Home » Kryeministri Kurti me rastin e prezantimit të metodologjisë së Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve ekonomike të kryera gjatë luftës në Kosovë:

Kryeministri Kurti me rastin e prezantimit të metodologjisë së Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve ekonomike të kryera gjatë luftës në Kosovë:

nga World Ks

Lufta në Kosovë ishte projekt i shkatërrimit e i asgjësimit, i plaçkitjes e i rrëmbimit nga ana e forcave të Serbisë, me krime të organizuara e të planifikuara. Gjatë luftës, populli i Kosovës përjetoi dhimbje të mëdha: vrasje, zhdukje me dhunë, dëbime masive, shkatërrim të pasurisë dhe plaçkitje sistematike. Krahas dëmit të jashtëzakonshëm në jetët e njerëzve nga gjenocidi i Serbisë, në Kosovë janë shkaktuar edhe dëme të pallogaritshme ekonomike, përfshirë djegien e pronave private dhe publike, rrënimin e infrastrukturës, shkatërrimin e objekteve kulturore e arsimore, grabitjen dhe shkatërrimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kombëtare. Dokumentimi i tyre është jetik.

E nderuara Ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,

I nderuar Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë, z. Atdhe Hetemi,

E nderuara znj. Leonora Vranja, Zyrtare e Lartë për Hulumtim të Krimeve Ekonomike,

Të nderuar akademikë, profesorë, studiues, përfaqësues të institucioneve vendore,

I nderuar major Bashkim Spahiu nga Drejtoria për Krime të luftës në Policinë e Kosovës,

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Mirë se keni ardhur në këtë takim konsultativ, ku prezantohet metodologjia për dokumentimin dhe hulumtimin e krimeve ekonomike të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ky proces, përtej së qeni detyrë institucionale e profesionale, është obligim moral ndaj viktimave dhe obligim kombëtar për Republikën tonë. Na shërben për ballafaqimin me të kaluarën, për të tashmen me dinjitet dhe një të ardhme më të drejtë e më të qëndrueshme për shoqërinë tonë.

Lufta në Kosovë ishte projekt i shkatërrimit e i asgjësimit, i plaçkitjes e i rrëmbimit nga ana e forcave të Serbisë, me krime të organizuara e të planifikuara. Andaj dokumentimi i tyre është jetik.

Gjatë luftës, populli i Kosovës përjetoi dhimbje të mëdha: vrasje, zhdukje me dhunë, dëbime masive, shkatërrim të pasurisë dhe plaçkitje sistematike. Krahas dëmit të jashtëzakonshëm në jetët e njerëzve nga gjenocidi i Serbisë, në Kosovë janë shkaktuar edhe dëme të pallogaritshme ekonomike, përfshirë djegien e pronave private dhe publike, rrënimin e infrastrukturës, shkatërrimin e objekteve kulturore e arsimore, grabitjen dhe shkatërrimin e trashëgimisë shpirtërore dhe kombëtare.

Dokumentimi i këtyre krimeve ekonomike është pjesë integrale e së vërtetës historike. Përveç funksionit arkivor e akademik, është edhe instrument drejtësie dhe transparence. Përmes një metodologjie të qartë, profesionale dhe gjithëpërfshirëse mund të ndërtojmë një arkiv të besueshëm, i cili do të shërbejë edhe për kujtesën kolektive të brezave që vijnë.

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka mbështetur fuqishëm Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës, i cili që prej themelimit në nëntor të vitit 2023 ka shënuar hapa të rëndësishëm. Sot, ne kemi një institucion të konsoliduar, me seli qendrore në Prishtinë dhe me gjashtë zyra rajonale. Kjo ka mundësuar një rrjet të gjerë për mbledhjen, verifikimin dhe ruajtjen e materialeve që lidhen me krimet e kryera gjatë luftës 1998-1999.

Rezultatet flasin vetë: mbi 345 metra linearë material fizik dhe 23.6 terabyte materiale digjitale tashmë ruhen në arkivat e institutit, një arritje kjo e jashtëzakonshme për Institutin dhe Republikën tonë dhe një rritje e dukshme krahasuar edhe me vitin e kaluar. Po ashtu, është arritur një bashkëpunim i gjerë me mbi 500 burime, të cilët kanë dorëzuar materiale me vlerë të madhe dokumentuese.

Sot, me aneksin e metodologjisë për dokumentimin e krimeve ekonomike, po e hedhim së bashku një hap tjetër të rëndësishëm. Ky dokument do të jetë udhërrëfyes për mbledhjen e fakteve, duke garantuar që puna përfundimtare të jetë edhe e saktë edhe e unifikuar.

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të mbështetur këtë proces, përmes së cilit ne u japim zë viktimave dhe gjithashtu u japim edhe peshë dëshmive të së kaluarës sonë të dhimbshme. Çdo dokument i mbledhur, çdo dëshmi e ruajtur, është akt nderimi për të rënët, dhe premtim se krimet e kryera gjatë luftës, pra krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë nuk do të harrohen asnjëherë.

Të nderuar të pranishëm,

E vërteta është themeli mbi të cilin ndërtohet drejtësia dhe qëndron paqja dhe lulëzon demokracia. Andaj, është e domosdoshme qasja e bazuar në fakte, në dokumente dhe në kujtesë të saktë historike.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dua të falënderoj Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës për punën e angazhimin e deritanishëm, si dhe të gjithë ju që kontribuoni në këtë proces kaq të rëndësishëm. Jemi të bindur se me përkushtim, bashkëpunim dhe profesionalizëm, do të arrijmë të vendosim themele të forta për drejtësi dhe paqe të qëndrueshme në vendin tonë.

Kujtimi i luftës sonë për çlirim e liri është i shenjtë. Detyra jonë është ta ruajmë atë, ta dokumentojmë dhe ta përcjellim brez pas brezi. Kësisoj, sakrifica e popullit tonë do të kthehet në dritë për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment