Home » KRITIKA SI IDE E HARTËS SHPIRTËRORE TË POEZISË SHQIPE

KRITIKA SI IDE E HARTËS SHPIRTËRORE TË POEZISË SHQIPE

nga World Ks

Botime kritiko-letrare

—————————–

Prend BUZHALA

KRITIKA SI IDE E HARTËS SHPIRTËRORE TË POEZISË SHQIPE

(Shefqet Dibrani: “Vëzhgimeve letrare mbi poezinë e sotme shqipe” [4], kritikë letrare, shtëpia botuese “Faik Konica, Prishtinë, 2025)

Shefqet Dibrani, me një fond të pasur librash në fushën e kritikës e studimeve letrare, tashmë është emër i njohur dhe i respektuar në fushën e letrave shqipe. Puna e tij si kritik, e lidhur ngushtë me krijimtarisë letrare, spikat rëndësinë e kritikës si element të rëndësishëm për zhvillimin dhe pasurimin e letërsisë sonë, pasi ai ka një qasje të dyfishtë: është krijues dhe kritik. Kjo ia krijon mundësinë atij që të japë një analizë të mirëfilltë dhe të pasur për veprat letrare, duke e ndërlidhur kritikën me pasionin e tij për artin e letërsisë. Në këtë kontekst, ai është interpretues i veprës, por gjithashtu dhe një pjesëmarrës aktiv në krijimin e kuptimit të saj.

1. Objektiviteti dhe subjekti i kritikës letrare:

ideja e hartës shpirtërore të poezisë shqipe

Një aspekt tjetër i rëndësishëm i kritikës së Dibranit është se ai thekson që në hyrje të këtij vëllimi vendosjen e një ekuilibri të vështirë mes objektivitetit dhe subjektivitetit në kritikë. Ai argumenton se kritika duhet të jetë objektive, por gjithashtu duhet të përfshijë dhe aspektet personale të mendimit të kritikës, të cilat e pasurojnë analizën letrare. Ky aspekt nënkupton një qasje më të thellë dhe më reflektuese përmes së cilës ai jo vetëm që analizoi veprën, por gjithashtu krijon mundësinë e shpalosjes së mesazhit dhe vlerës së saj artistike për lexuesin. Dibrani e sheh kritikën letrare si një hapësirë për zbulimin e vlerave artistike të veprës letrare. I vetëdijshëm se roli kryesor i kritikës qëndron në pasurimin e artit letrar; i vetëdijshëm po ashtu se kritikët duhet të kenë rol aktiv në ndihmën që u japin autorëve për t’i përmirësuar veprat e tyre, për ta pasuruar stilin dhe mesazhin e tyre dhe që të ndihmojnë që letërsia të arrijë një nivel më të lartë; edhe ky vëllim përbën një reflektim të mirëfilltë mbi rolin e kritikës letrare në letërsinë shqipe, duke u përqendruar në rëndësinë e analizës dhe vlerësimit të veprave letrare. Si kritik dhe krijues, ai është paraqitur si autor që ndihmon për ta ndriçuar rrugën e kuptimit të letërsisë, duke ruajtur një drejtpeshim të ndjeshëm mes objektivitetit dhe subjektivitetit.

Teksti hyrës “Parathënie, qasje e shqyrtimeve letrare” shërben si hyrje programatike dhe refleksive, që shpjegon jo vetëm synimin e librit, por edhe filozofinë e tij të kritikës letrare. Autori e vendos këtë libër si pjesë organike të një projekti më të madh kritik, ku tri vëllimet pararendëse krijojnë një bosht serioz të angazhimit të tij letrar. Kjo e bën vëllimin e katërt jo vetëm vazhdimësi, por edhe si zhvillim e arritje metodologjike, ashtu edhe estetike. Ndryshe nga vëllimet e para, ku parimi ishte më strikt, këtu tashmë ka një zgjatje natyrale të perspektivës. Autori zgjedh të ndalet te poezi të vetme, te triptikë lirikë, por edhe te vëllime të plota poetike. Strukturimi i tillë, jo vetëm shton larushinë, por edhe dëshmon për fleksibilitetin kritik dhe prirjen për ta zbërthyer vlerën letrare në forma të ndryshme. Autori e zhvendos kritikën nga pozita e “gjyqtarit” në pozicionin e “bashkudhëtarit” me poezinë. Ky është tipar i kritikës së re humaniste, e cila, në vend të dogmave estetike, parapëlqen depërtimin në brendësi të përjetimit poetik. Një prej shqiptimeve autoriale më të pëlqyeshme të parathënies, është ideja e hartës shpirtërore të poezisë shqipe. Autori e sheh këtë libër si pjesë të një harte të madhe, që dokumenton gjallërinë, drejtimet, dilemat, zërat dhe frymën e poezisë bashkëkohore. E pranon sinqerisht se asnjë kritik nuk mund t’i prekë të gjitha dritëhijet e një vepre. Kjo e bën qasjen e tij modeste dhe të hapur, cilësi të sinqertë dhe origjinale në kritikën tonë. Ajo që mbetet e rëndësishme është përpjekja e ndershme dhe depërtuese. Kësisoj, i ndërgjegjshëm, që, nëse ky vëllim arrin të prekë thelbin e letërsisë që shqyrton, të gjejë vend në tryezat e lexuesve e studiuesve, të nxisë dialog mbi poezinë shqipe; atëherë misioni i tij është i realizuar.

Pra, janë katër vëllime me kritika letrare që e kanë titullin e përbashkët “Vëzhgime letrare mbi poezinë e sotme shqipe” dhe përbëjnë një cikël të plotë të studimeve dhe mbi krijimtarinë poetike bashkëkohore në gjuhën shqipe. Katër vëllimet e kësaj serie, të gjitha me titullin e përbashkët, përbëjnë një korpus kritik të konsoliduar, i cili synon të ofrojë një panoramë të gjerë dhe analitike të poezisë shqipe bashkëkohore.

Koncepti i hartës shpirtërore, siç e përmendëm, është një ide shumë e rëndësishme në kritikën bashkëkohore, sepse e pranon pluralitetin e zërave, nuk e redukton poezinë në shkolla letrare dhe lejon bashkëjetesën e stileve dhe poetikave të ndryshme. Në kontekstin shqiptar, ku mungojnë panoramat e plota kritike, kjo përpjekje e vendos serinë në një rol dokumentues dhe orientues. Në këtë hapësirë tonën letrare ku botimet janë të shumta, por shpesh pa filtrin e redaktimit kritik, mungon kritika profesionale e rregullt, sistemet botuese nuk kanë redaktorë të brendshëm, kurse universitetet e kanë dobësuar rolin e tyre në kritikën letrare; atëherë kjo seri merr vlerën e një alternative të munguar institucionalisht.

2. Vëllimi kritiko-letrar

si panoramë e lëvizshme e kohës sonë poetike

Në këtë vëllim të katërt të “Vëzhgimeve letrare mbi poezinë e sotme shqipe” vijnë së bashku njëzet e pesë zëra poetikë, secili me botën e tij lirike, me ritmin dhe shpirtin e vet krijues. Të mbledhur në një tërësi të vetme, ata formojnë një mozaik poetik, ku secili krijim është një botë më vete, e të gjitha bashkë krijojnë një panoramë të gjallë poetike.

Te vëllimi i katërt përfshihen këta 25 poetë e këto vepra e krijime poetike:

1. Gjekë Marinaj, PARADIGMA E PARAJSËS, 2. Shpend Sollaku Noé, ATDHEU I TJETRIT, 3. Emmy Krosi, TAEDIUM VITAE, 4. Sevdije Rexhepi, MOLLË E NDALUAR,

5. Sali Bytyçi, ZOTI ATË DITË NUK ISHTE NË DUBRAVË, 6. Sabit Rrustemi, BRENDA MUNGESËS QË GËRRYEN, 7. Asja Mulgeci, NGAT TEJE, 8. Ajne Ibërhysaj, GRAVURË ME NGJYRAT E KOHËS, 9. Jani Malo, SHPJEGIM PËR ORËT, 10. Musa Jupolli, LETRA E USHTARIT, 11. Klejda Plangarica, GATITU, 12. Rrahim Sadiku, ZGJUAR ME ETJEN

13. Nexhat Rexha, TRIPTIK POETIK, 14. Izet Duraku, MOTRA, 15. Mercedes Gega, VJESHTA ËSHTË SHTËPIA IME, 16. Mentor Thaqi, OFSHAMA E BARDH MALIT, 17. Ndue Dedaj, TRIPTIK POETIK, 18. Buzëdhelpri [Agostino Giordano], NATA E KOSOVËS, 19. Jozef Radi, JETA IME PREJ HEBREU, 20. Mimoza Erebara, DITË LUFTE

21. Besim R. Cengu, DHÛ NË SHPIRT, 22. Demir Reshiti, ABETAKA, 23. Naxhije Gashani, NËN DRITËN E SHPIRTIT TIM, 24. Lumni Nimani, DRITËLOTËT E SHPIRTIT dhe 25. Bashkim Halilaj, GJURMË ECJESH

Përmes këtyre autorëve, lexuesi shtegton nëpër hapësira të shumta të ndjeshmërisë njerëzore: nga metafizika e Gjekë Marinajt te atdheu i rikrijuar i Shpend Sollaku Noé; nga melankolia dhe kërkimi i brendshëm i Emmy Krosit te drama e kujtesës që ngrihet në vargjet e Sali Bytyçit. Secili poet sjell një këndvështrim, një rrjedhë të brendshme, një tension të pazëvendësueshëm që e lidh artin me kohën, njeriun me fatin dhe fjalën me përvojën e tij. Në këtë mozaik, poezia merr formua të ndryshme të pulsimeve shpirtërore, ritmesh, trajta çastesh dhe përmasash kohore njerëzore: ajo zhytet në mungesën që gërryen tek Sabit Rrustemi, merr frymë femërore në vargjet e Asja Mulgecit dhe Ajne Ibërhysajt, ringjall kujtimet kolektive te Musa Jupolli, ndërsa bëhet zë i metaforave të heshtura te Klejda Plangarica e Rrahim Sadiku. Triptikët poetikë të Nexhat Rexhës e Ndue Dedajt e shtojnë këtë shumësi tonale, ndërsa tingulli liriko-dramatik i Izet Durakut e Mercedes Gegës sjell një harmoni të veçantë midis thellësisë dhe thjeshtësisë. Në rreshtimet e Mentor Thaqit fjala ngjitet lart, si mal i bardhë që merr frymë, ndërsa Buzëdhelpri (Agostino Giordano) i jep vargut shqip një dimension dygjuhësor, duke e çuar poezinë përtej kufijve të origjinës. Jozef Radi e Mimoza Erebara sjellin rrëfime të përjetimit historik, ndërsa Demir Reshiti ndërton ura të reja midis mënyrave të të shkruarit dhe të përjetimit. Po aq të veçanta janë dritat e brendshme që sjellin Naxhije Gashani e Lumni Nimani, si dhe udhëtimi i qetë poetik i Bashkim Halilajt.

Së bashku, këta autorë formojnë një bashkëtingëllim të shumëfishtë, formojnë një simfoni të poezisë bashkëkohore ku secili zë lirik është i dallueshëm dhe i lidhur me të tjerët. Ky vëllim është dëshmi se poezia shqipe nuk vjen në një ngjyrë të vetme: ajo shpërfaqet si dritë me shumë prizma e prirje; është një hartë shpirtërore e gjerë ku secili poet shton një emërtesë artistike, një fjalë-ngjyrë, një lëvizje, një përjetim të bukur. Duke i mbledhur këta zëra në një libër të vetëm, krijohet një panoramë e lëvizshme e kohës sonë poetike, krijohet, siç thotë autori, një hartë e brendshme e shpirtit shqiptar, ku vargjet bëhen dëshmi e një përvoje unike, por njëkohësisht pjesë e një tërësie të madhe letrare. Ky mozaik poetik na shfaqet si një përzgjedhje. Mirëpo, më shumë është një reflektim i gjallë i asaj që poezia jonë ka qenë, është dhe mund të bëhet.

3. Interpretimi si model i të bukurës estetike:

midis analitikes dhe meditatives

Këtë pikë shtegtimi nëpër viset e “hartës” e nis me poezinë e Gjekë Marinajt. Teksti kritik që e shoqëron vëllimin poetik “Paradigma e Parajsës” të Gjekë Marinajt e ndërton një qasje interpretuese që mbështetet në tri shtylla të pandashme: estetikën e të bukurës, etikën e përkushtimit dhe në psikologjinë e përjetimit liriko–erotik. Këto tri dimensione e kthejnë analizën jo vetëm në një shqyrtim të vargjeve, por edhe në një akt të leximit të ndërgjegjshëm, ku kritiku ndërthur e krijon lidhje midis strukturës poetike dhe përjetimit universal të dashurisë. Ky këndvështrim e ndërlidh interpretimin me traditën estetike të letërsisë, duke e shndërruar analizën në një meditim mbi marrëdhënien midis artit dhe ndjenjës. Vlera e kësaj metode qëndron në faktin se poezia nuk trajtohet vetëm si tekst, por si ngjarje estetike që prodhon kuptime përmes strukturës figurative, ritmit, ngjyrimeve metaforike dhe simboleve të shumta të së bukurës: syri, deti, muzgu, eklipsi, fytyra e ditës. Qasja kritike depërton në dimensionin psikologjik të lirikës, duke e parë poezinë si proces përjetimi, si transformim shpirtëror dhe emocional. Kritiku ndalet në mënyrën se si vargu “të fut në brendësinë e vet” për t’i dhënë lexuesit një vend të ri, të fshehtë dhe intim. Kjo qasje fenomenologjike e prezanton poezinë si hapësirë ku lexuesi bëhet pjesë aktive: jo vetëm spektator, por bashkëpërjetues.

Vlera metodike e tekstit kritik qëndron në kombinimin e dy mënyrave të të lexuarit: në qasje analitike, që shpjegon vargje, citon fragmente, identifikon motive dhe figura letrare dhe në qasje meditative, që e shikon poezinë si zhvillim të brendshëm të mendimit dhe si reflektim mbi natyrën njerëzore. Ky gërshetim i jep kritikës rrjedhshmëri leximi, që e bën atë të ngjajë me një udhëtim interpretues më shumë sesa me një vlerësim akademik të ftohtë. Teksti kritik ruan një ton të ngrohtë, njerëzor, të afërt me subjektin, por pa rënë në sentimentalizëm.

Në leximin e vëllimit “Atdheu i tjetrit” të Sheond Sollakut, vërehet menjëherë se kemi të bëjmë me një poezi që nuk kërkon të shpjegohet, por të dëgjohet, si një gur i lashtë që ruan nxehtësinë e çdo kohe mbi të cilën ka kaluar. Poezitë dhe poemat e Shpend Sollaku Noé tutje një rrëfimi linear, shfaqen si mozaik i ndërprerë kujtesash, ku copëzat mbajnë dritën dhe plasaritjen e vet: copëza fëmijërie të trazuar, copëza diktature, copëza emigrimi, copëza deti e mitesh, copëza të një atdheu që gjithnjë mungon: qoftë kur je brenda, qoftë kur je Simbolika e “sfinksit” dhe “mëzave të kaltër” e vendos poetin në pozitën e rojtarit të padukshëm të së vërtetës – atje ku nuk flitet, por transmetohet përtej fjalëve. Teksti poetik shndërrohet kështu në fantazmë të historisë, një familjaritet i përhershëm i së kaluarës që ende lëviz nën sipërfaqe.

Ndërsa Emmy Krosi te libri “Taedium vitae, koha tepricë e vetes” paraqitet si një krijuese e pazakontë në poezinë shqipe bashkëkohore. Ky vëllim përbën dhe një sistem simbolik, një univers intertekstesh, ku ndërthuren mitologjia greke dhe ajo lindore, figura biblike dhe liturgjike, etnotipi dhe epika shqiptare, arketipat junguianë, referenca filmike, historike, filozofike, si dhe shtresëzime të shumta gjuhësore: nga fonetika deri tek semantika më e imët.

Analiza e poezisë “Mollë e ndaluar” të Sevdije Rexhepit e vë në pah mënyrën se si një tekst i shkurtër lirik mban brenda vetes një denduri kuptimore, simbolike dhe kulturore, duke dëshmuar se poezia bashkëkohore shqiptare ruan aftësinë për t’i sintetizuar përvojat kolektive dhe intime në forma të shkurtra, por të ngarkuara emocionalisht. Vlera e interpretimit këtu qëndron në faktin se teksti e tejkalon planin e thjeshtë figurativ dhe kërkon një qasje hermeneutike, që i hap rrugë leximit biblik, mitik, shoqëror dhe psikologjik. Vlera kritike e kësaj metode qëndron në faktin se hapet një hapësirë interpretimi ku lexuesi bëhet bashkëkrijues i kuptimit.

Analiza ka vlerë të madhe sepse nuk e sheh poezinë si tekst të izoluar, por si pjesë të biografisë kulturore të poetes. Referenca për Balad-in (Iraku Verior), misionin humanitar dhe hapësirën simbolike të Edenit e japin dimensionin intertekstual dhe interkulturor të poezisë.

Teksti kritik i Shefqet Dibranit e bën poezinë të komunikojë me diskursin bashkëkohor letrar e kulturor. Poezia vendoset me dinjitet në korpusin e lirikës moderne shqipe.

Teksti kritik “Zoti atë ditë nuk ishte në Dubravë?!” kushtuar vëllimit poetik “Koha bun te njerëzit”, nënvizon se triptiku poetik i Sali Bytyçit, i përbërë nga tri poezi: “Pa titull, (***)”, “Dita e kujtesës ose Barazia e shtetit serb” dhe “Zoti atë ditë nuk ishte në Dubravë” , arrin ta përçojë dhimbjen kolektive dhe revoltën ndaj dhunës serbe. Poezitë bazohen në përjetime personale të autorit dhe dëshminë e të mbijetuarve, duke i dhënë rrëfimit një peshë të fortë dokumentare dhe emocionale. Kritika e Shefqet Dibranit nënvizon se Sali Bytyçi, përmes këtij triptiku, i jep një gjuhë poetike dhimbjes dhe revoltës kolektive, duke shtruar pyetje të rëndësishme për historinë, drejtësinë, përgjegjësinë dhe ekzistencën hyjnore. Poezia bëhet dëshmi, aktakuzë dhe testament i kujtesës, duke u kthyer në një dokument emocional dhe kulturor.

4. Miti dhe përjetësia e poetike:

vlerësimi i poezisë si akt moral dhe etik

Teksti kritiko-letrar i Shefqetit kushtuar poezisë së Sabit Rrustemit, demonstron prirjen për ta shqiptuar thelbin emocional të poezisë. Kudo në poezinë e vet Sabit Rrustemi, veçmas në ato me dedikim, Ali Podrimja shfaqet si figurë mitike, një babë shpirtëror [“Bacë”], një udhëheqës i padukshëm i botës letrare e kulturore tek ne në Kosovë, por edhe si një Njeri i Mirë, të cilin e kemi dashur shumë, pa ia thënë këtë dashuri mjaftueshëm për të gjallë të tij. Autori i analizës përveçse bën përshkrim sipërfaqësor të ngjarjeve apo fjalëve, ai identifikon lidhjen mes mungesës, dhimbjes dhe përjetësisë poetike, duke nxjerrë në pah si vargu “brenda mungesës që gërryen” shpreh një gjendje ekzistenciale universale. Ky punim interpretues dëfton një intuitë e domethënie historike dhe kulturore, duke e integruar figurën e Ali Podrimjes si referencë mitike dhe poetike. Ai e sheh Podrimjen si subjekt elegjie, por edhe si simbol të poezisë dhe shpirtit kulturor shqiptar, duke e vendosur vargun e S. Rrustemit në një kontekst më të gjerë, që lidhet me trashëgiminë letrare dhe identitetin kulturor. Interpretimi është i ndërtuar në mënyrë të strukturuar, meqë ndjek disa plane: fillimi me kontekstin e poetit dhe poezisë, struktura tematike, analiza e metaforave dhe simbolikës, dhe përfundimi me kuptimin ekzistencial dhe përjetësinë e poezisë. Kjo qasje e bën tekstin të qasshëm, duke i lehtësuar lexuesit ta ndjekë rrjedhën e argumentit kritik.

Kur ligjëron për lirikat e Asja Mulgecit që trajtojnë dashurinë, mungesën dhe përjetimet intime, shpesh me ngjyrim erotik dhe emocional; kritiku Sh. Dibrani vë në pah se një nga idetë kryesore është vështirësia e dashurisë për ta kuptuar në kohë, siç reflektohet në vargjet: “Sa vshtirë me dijtë me m’dashtë mue!”. Lirika e Mulgecit është autentike, direkte dhe lirike, duke e bërë përjetimin poetik të afërt me lexuesin.

Herën tjetër autori e nis shkrimin kritik me një njohje personale të poeteshës Ajne Ibërhysaj, duke e vendosur lexuesin në një kontekst real dhe të afërt. Teksti kritik nxjerr në pah se poezia e Ibërhysajt përqendrohet te dhembjet e kohës, ku shqiptohen dhembja personale dhe kolektive, trauma dhe sfida jetësore, përjetimet individuale dhe historike të Kosovës; ku trajtohen dashuria dhe refleksioni emocional. Autori vlerëson se Ajne Iblrhysaj krijon një estetikë poetike të qëllimshme, ku ritmi, zëri dhe imazhet e vargut ndërthuren për të dhënë efekt emocional maksimal.

Kështu vepron edhe për poezitë e Klejda Plangaricës dhe Javer Malos, që me librat e tyre poetikë, paraqesin një drejtpeshim midis lirikes meditative dhe reflektimit mbi realitetin, duke sjellë mesazhe të fuqishme emocionale dhe kulturore.

Ka një shtjellim të detajuar kritiko-letrat= mbi vëllimin “Zgjuar me etjen”: të Rrahim Sadikut, ku teksti kritik e evidenton qartë se poezia e tij nuk është zbukurim estetik, por përpjekje për të gërmuar në thellësitë e shpirtit njerëzor. Analiza e ndërlidh poezinë me jetën e poetit, me përjetimet e tij gjatë burgimeve serbo-jugosllave dhe me pjesëmarrjen në luftën çlirimtare të Kosovës. Trajtimi i tillë është dëshmi se figurat letrare dhe motivet poetike paraqesin vuajtjen kolektive dhe individuale, duke i dhënë poezisë edhe një përmasë etike. Kritika thekson se poezia e Sadikut ka funksion shpirtëror dhe human, ku falja, dashuria dhe ringjallja shpirtërore bëhen mesazhe morale dhe të përjetueshme për lexuesin. Kritika vëren se poezia është një bisedë me vetveten, ku subjekti lirik eksploron dashurinë, vuajtjen dhe shpresën.

Një tekst mbi veprën me poezi të zgjedhura të Nexhat Rexhës me titull “Dalja prej anatemës”, ofron një analizë të thelluar, duke nxjerrë në pah disa aspekte kyçe. Poezitë që interpretohen, secila ndër to, ka përmasë të veçantë përjetim, siç janë lirikat përkushtimore: mbi Ali Podrimjen, Fehime Selimin dhe Qerim Arifin; lirika që përfaqësojnë guximin dhe fuqinë poetike; shpresën dhe dashurinë; portretizimet e kujtesës historike etj. Poezitë ndërthuren me kujtesën historike dhe gjeografike: Kosova Lindore, Presheva, Dardania, duke e bërë poezinë një hapësirë komunikimi për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe përkujtimin e një historie përlot sakrifica e vuajtje. Dibrani thekson se poezitë janë akt qytetar dhe një formë rezistence ndaj harresës. Madje, ai thekson se triptiku nuk është vetëm elegji për poetët që nuk jetojnë më, por edhe reflektim mbi vetminë, dhimbjen dhe humanizmin. Edhe me këtë rast teksti kritik i Dibranit ka disa merita të veçanta ku spikaten struktura dhe qartësia. Kritiku prezanton hyrjen, analizën e secilës poezi dhe përmbylljen në mënyrë të qartë dhe logjike. Vendos lidhjen midis vargut, figurës së poetit dhe simbolikës historike që të bëhet e qartë për lexuesin.

5. Leximet letrare interpretuese të një poezie

Siç e pamë, në strukturën e këtij vëllimi futen edhe tekstet e leximeve letrare e interpretuese mbi një poezi. Leximi i një poezie është akt intelektual dhe i mendimit krijues letrar një hapësirë ku fjala fiton peshë të brendshme. Poezia nuk ofron gjithmonë përgjigje të drejtpërdrejta; ajo zgjedh të ligjërojë me nëntekste përpara nesh dhe të na ftojë të dëgjojmë atë që nuk shqiptohet dot lehtë. Pikërisht këtu fillon interpretimi: në përpjekjen për të kapur tingullin e ë pathënës, për t’i përkthyer në gjuhën tonë përjetimet që poeti ka fshehur mes vargjeve. Fjalët e zakonshme ngrihen në një shkallë tjetër ku bëhen simbole dhe kërkime të brendshme. Në këtë aventurë leximi, lexuesi kupton se poezia, përpos asaj që lexohet drejtpërdrejt, është edhe ajo që ndjehet e përjetohet.

Në këtë kahe interpretimesh hyn edhe leximi letrar i poezisë “Motra”, të poetit Izet Duraku. Poezia trajton pikëllimin dhe humbjen tragjike të një vajze, e cila përjetësohet si legjendë në kujtesën kolektive dhe personale të poetit. Do të thoshim se leximi i poezisë si proces kënaqësie estetike, është edhe një trajtë e kuptimit të botës së brendshme të autorit dhe të kohës që ai përfaqëson.

Leximi i poezisë kërkon një qasje që shkon përtej shijimit intuitiv të vargjeve. Kritiku letrar ndërton një interpretim që mbështetet mbi nocione poetike, koncepte estetike dhe terma teorikë, përmes të cilëve poezia shndërrohet në objekt studimi. Kjo quhet gjuhë nocionore, sepse mbështetet në nocione që i përkasin teorisë së letërsisë: figuracioni, simbolika, motivet, subjekti lirik, struktura semantike, ritmi, tonet, por edhe nocione më abstrakte si diskursi poetik apo universi letrar. Kësisoj, edhe Shefqet Dibrani, pa pretendimet për ta bërë tekstin e tij kritik në rrjete të ndërliqshme nocionesh të tilla, synon thjesht ta shpjegojë tekstin, të ndërtojë një kornizë interpretimi që ta evidentojë funksionin e elementëve poetikë dhe procedimin krijues se si ata krijojnë kuptime poetike. Kjo qasje e thellon leximin, duke e vendosur poezinë në marrëdhënie me kontekstin historik, kulturor e estetik. Kështu, kritiku letrar, e interpreton poezinë, por edhe e vendos atë në një dialog më të gjerë teorik, duke e paraqitur si fenomen estetik, kulturor dhe konceptual, i cili kërkon reflektim të vazhdueshëm.

Këtë procedim kritiko-letra e imponon edhe identiteti i një vepre poetike, bie fjala, siç është ajo me titull “Ofshama e Bardh Malit n’nji kallxim” e Mentor Thaqit, që përkufizohen si rrëfejza. Libri trajton jetën, zakonet, vese e tragjeditë e një shoqërie përmes personazhit Bardh Mali, i cili përjeton dhimbje, mall dhe vuajtje të thella shpirtërore. Ofshama e Bardh Malit është simbol i rënkimeve, ankimimeve dhe reflektimeve mbi të keqen e shoqërisë dhe të njerëzve, duke u shndërruar në mesazh moral dhe edukativ. Autori përdor gegërishten arkaike, duke rikthyer fjalë të rralla dhe shprehje të harruara, që e bëjnë tekstin të veçantë dhe të pasur nga ana leksikore. Bardh Mali shërben si figurë simbolike që personifikon përjetimet e një brezi dhe të shoqërisë. Libri shihet si gërshetim unik i prozës dhe poezisë, ku të dyja format e përforcojnë mesazhin dhe përgjërimin.

Poezia “Nata e Kosovës” e poetit arbëresh Agostino Giordano, vjen në radhën e përzgjedhjeve autoriale për lexim letrar. Ky poet arbëresh, i njohur me pseudonimin BuzëdhelprI, dhuron këtë krijim poetik me tematikë mbi dhunën çnjerëzore të ushtruar mbi popullin e Kosovës nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. Dibrani thekson se poeti në vargun elegjiak dënon masakrat, përdhunimet, dëbimet, zhdukjen e identitetit dhe përpjekjet për spastrimin etnik. Trauma e ikjes dhe dëbimit është e ngjashme, duke krijuar një lidhje emocionale dhe historike midis dy tragjedive shqiptare: arbëreshëve e hebrenjve. Ky paralelizëm forcon mesazhin mbi rrezikun e harresës dhe nevojën për drejtësi. Ky dallim thekson një dimension moral: një pushtim i shtrirë, por kontrollues (osmanët), kundrejt një shfarosjeje të planifikuar dhe çnjerëzore (serbët). Poezia është akt moral dhe human: të kujtojmë, të dënojmë krimin dhe të ruajmë identitetin.

Leximit interpretues i nënshtrohet edhe poezia e Jozef Radit “Jeta ime prej hebreu”. Poezia e Jozef Radit është një reflektim mbi vuajtjet njerëzore, të cilat ai i krahasoi me vuajtjet historike të hebrenjve gjatë Holokaustit. Përdorimi i figurës së Hebreut është një metaforë e dhimbjes universale dhe e përndjekjes sistematike, ku vuajtjet personale të poetit dhe të popullit shqiptar nën diktaturën komuniste krahasohen me ato të hebrenjve në kampet e shfarosjes. Poezia është e shkruar me anë të ligjërimit gegnisht, me një ngarkesë emocionale të lartë.

Tekstit kritik për vëllimin poetik “Nën dritën e shpirtit tim” nga Naxhije Gashani, zbulon motivet kryesore të poezisë së Naxhije Gashanit: dashurinë, dhimbjen, kujtesën, lirinë dhe ekzistencën e femrës si qendër e jetës familjare dhe shoqërore. Eseja nënvizon se vëllimi trajton jetën si ekzistencë të grave: nënat, motrat, vajzat, si shtyllë të shoqërisë, duke evidentuar rolin e tyre në ruajtjen e kujtesës dhe të moralit shoqëror.

Ndërkaq, te vëllimi “Dritëlotët e shpirtit” i Lumni Nimant, Shefqet Dibrani veçon motivikën dhe tematikën: dashurinë, atdhedashurinë, kurbetin, dhimbjen dhe humbjen. Madje, cikli elegjiak, i dedikuar të birit të ndjerë, është kulmi emocional i vëllimit. Vargjet shprehin dhimbje të papërshkrueshme, humbje të besueshmërisë dhe përjetime që rezonojnë me çdo lexues që ka përjetuar humbje.

Libri poetik për fëmijë “Abetaka” i Demir Reshitit, ndjek rendin alfabetik, duke i dedikuar çdo vjershe një shkronje dhe një kafshe, shpend, insekt ose peshk. Vjershat janë të shkurtra, katër vargje, me rimë dhe ritëm të qartë, gjë që i bën të lehta për t’u mësuar përmendësh. Shërben si mjet ndihmës për mësimin e gjuhës, alfabetit, dhe njohurive të para për natyrën dhe botën shtazore.

Lexim të detajuar autori i bën edhe vëllimit poetik “Gjurmë ecjesh” të Bashkim Halilajt. Libri është një mozaik i motivimeve të ndryshme poetike, si rëndom për poetët mërgimtarë, me ato të atdhedashurisë, mërgimit, motivet sociale dhe kritike, ato familajre, përkushtuese, humane dhe edukuese. Rëndom, motivet e tilla thuren me vargje të drejtpërdrejta, të ndjeshme dhe lirike, me ritëm të qetë dhe melankolik. Kritiku letra veçon librin si dëshmi kulturore të shqiptarëve në diasporë, duke dokumentuar përjetimet, ndjenjat dhe lidhjen me atdheun.

6. Projekt i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm kritik

Shkrimet i kushtojnë rëndësi veçanërisht autorëve që jetojnë jashtë Atdheut. Shumë autorë trajtojnë probleme sociale, padrejtësi sociale, dhunë, padrejtësi historike ose luftëra çlirimtare. Kritika e Shefqetit i interpreton këto vargje si dimension emocional dhe human, i lidhur me shpirtin dhe gjenezën e autorit.

Sikundër vërehet, fokusi i shkrimeve të Shefqet Dibranit fillimisht bie mbi autorin dhe kontekstin biografik. Disa shkrime fillojnë me një prezantim të autorit, vendlindjen, arsimin, mërgimin ose aktivitetin kulturor. P.sh., te poetët Bashkim Halilaj, Gjekë Marinaj, Shpend Sollaku Noé, Emmy Krosi etj. kritika e lidh jetën dhe veprën e tyre për ta kuptuar ndikimin e mjedisit në krijimtari. Shumë vepra kanë motiv patriotik, veçanërisht tek autorët Bashkim Halilaj, Shpend Sollaku, Gjekë Marinaj, Musa Jupolli. Shkrimet vlerësojnë stilin, ritmin, simbolikën dhe përdorimin e figurave poetike. Shumë prej autorëve (Emmy Krosi, Ajne Ibërhysaj, Mentor Thaqi, Lumni Nimani) vlerësohen për qartësinë e shprehjes dhe për fuqinë emotive të vargjeve. Poetë të tjerë, sidomos ata me vepra të thelluara si Gjekë Marinaj (“Paradigma e parajsës”) ose poezia e Jozef Radit (“Jeta ime prej hebreu”), analizohen për reflektimin mbi historinë, identitetin dhe përvojën njerëzore. Kritika lidh idetë filozofike me poetikën, duke nxjerrë në pah mesazhin universal dhe individual. Kund e kund, kritika i trajton veprat si dëshmi të kohës, traditës dhe kulturës sonë, veçanërisht për autorët në diasporë.

Shkrimet për shumicën e autorëve përdorin një strukturë klasike: prezantim i autorit, konteksti biografik, analiza e motiveve dhe temave, përfundimi me vlerësim të përgjithshëm. Kjo qasje është e qartë dhe e lehtë për lexuesin. Pjesa më e madhe e kritikave janë deskriptive dhe interpretative, duke u fokusuar më shumë në tematikë dhe motiv. Dallimi i kritikave të ndryshme është se disa janë më të thelluara, duke përfshirë reflektime filozofike (p.sh., Marinaj, Radi), kurse të tjerat janë më përshkruese (p.sh., Halilaj, Mercedes Gega), duke theksuar ndjenjat dhe mesazhin. Kritikat janë përgjithësisht pozitive, afirmative dhe nxitëse, duke theksuar vlerat morale dhe kontribuese të autorëve.

Autori synon një kritikë pa ngarkesa teorike të panevojshme, pa pompozitet, pa favorizime apo paragjykime, por me një qasje moderne dhe të ndershme.

Parimi “një autor, një vepër” dhe vlerat e tij, ka disa efekte pozitive: shmang subjektivizmin e tepruar ndaj autorëve të preferuar, krijon barazi trajtimi, nxit kritikën të përqendrohet në thelbin e një vepre dhe jo në figurën krijuese, dhe, më në fund, ia jep lexuesit një panoramë të larmishme të poezisë bashkëkohore. Në vëllimin e katërt, zhdërvjelltësia (një poezi, triptikë, vëllime të plota) tregon pjekuri kritike dhe guxim metodologjik. Në të gjitha vëllimet (dhe kjo duket qartë edhe në parathënien e këtij libri), autori kërkon ta shmangë kritikën normative. Kjo e vendos qasjen e tij pranë kritikës hermeneutike dhe fenomenologjike, ku teksti letrar shihet si hapësirë për interpretim, ndryshe nga qasjet tjera që e shohin një vepër letrare si material për dënim apo lavdërim. Qasja që përshkruhet është humane, analitike, me ton refleksiv, pa teorizime të tepërta, e drejtuar drejt lexuesit të zakonshëm e jo vetëm drejt akademikut. Ky pozicionim e bën kritikën më të pranueshme, të afërt me lexuesin.

Katër vëllimet e tij krijojnë një panoramë të besueshme dhe të shumëllojshme të poezisë bashkëkohore, duke ndërthurur ndjeshmërinë estetike me përgjegjësinë kritike. Është një seri që mund të shërbejë si referencë për studiuesit, si busull për lexuesit dhe si pasqyrë për vetë poetët.

. Seria e tillë shërben si formë orientimi, si kronikë e zhvillimeve letrare, por edhe si memorie kritike për poezinë bashkëkohore. Nga një këndvështrim i pavarur, seria e tillë, si projekt ambicioz, e zgjeron diskursin kritik, fut qasje moderne interpretimi, krijon arkiv poetësh bashkëkohorë, dokumenton prirjet letrare të brezave dhe ndërton një platformë të qëndrueshme të kritikës së poezisë.

Nga perspektiva e një vlerësimi të jashtëm, “Vëzhgime letrare mbi poezinë e sotme shqipe” është një projekt i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm kritik që plotëson një boshllëk të dukshëm në kulturën letrare shqipe.

Dhjetor 2025

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment