Home » Konferenca e sotme, e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit

Konferenca e sotme, e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit

nga World Ks

Konferenca e sotme, e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit së bashku me Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, Trust Circle Foundation dhe organizatën Labyrinth, pati për qëllim që të nxisë dialog gjithëpërfshirës ndërmjet institucioneve shtetërore, organizatave të shoqërisë civile, profesionistëve dhe hisedarëve tjerë, për të trajtuar dhe parandaluar përdorimin e substancave narkotike nga fëmijët dhe të rinjtë. E dimë që sfida është shumë e madhe, por ne nuk mund të pranojmë që varësia të bëhet realiteti i hidhur i rrugëve tona, i shkollave apo i familjeve tona. Për ne është e qartë se lufta kundër varësisë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduar, e cila fillon nga parandalimi, vijon me edukimin edhe ndërgjegjësimin, ofron mbështetje psiko-sociale dhe shëndetësore me qëllim të zvogëlimit të dëmit për ata që marrin drogë dhe garanton rehabilitim e ri-integrim dinjitoz në shoqëri. Andaj, na duhet një front i bashkuar dhe i palëkundur kundër varësisë. Vetëm një komunitet i vetëdijesuar, i angazhuar dhe aktiv, mund të krijojë një të ardhme të lirë nga varësia.

Fjala ime e plotë:

I nderuar ushtrues i detyrës së Ministrit të Drejtësisë, z. Blerim Sallahu,

I nderuari drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Kryeministri, z.Habit Hajredini,

I nderuari drejtor i Klinikës Psikiatrike, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, Dr. Faton Kutllofci,

E nderuara presidente e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, znj. Remzije Krasniqi,

I nderuari drejtor në Qendrën ‘Labirint’, z. Safet Blakaj,

Të nderuar përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe të organizatave ndërkombëtare në Kosovë,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

Jemi mbledhur sot për një betejë të përbashkët, një betejë për jetën, për dinjitetin dhe për të ardhmen e fëmijët. “Një komunitet pa varësi” përtej një slogani, është mision kombëtar që na thërret të gjithëve, pa përjashtim.

Jemi këtu bashkë, sepse së bashku po angazhohemi për një shoqëri të lirë, ku çdo fëmijë dhe çdo i ri do të ketë mundësinë të jetojë me dinjitet dhe me shpresë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të qartë se lufta kundër varësisë kërkon qasje gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduar, e cila fillon nga parandalimi, vijon me edukimin edhe ndërgjegjësimin, ofron mbështetje psiko-sociale dhe shëndetësore me qëllim të zvogëlimit të dëmit për ata që marrin drogë dhe garanton rehabilitim e ri-integrim dinjitoz në shoqëri.

Andaj, jemi të përkushtuar në zbatimin e Strategjisë Shtetërore kundër Drogave 2024–2028, si një nga prioritetet për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të sigurisë së qytetarëve. Përmes kësaj strategjie dhe Planit të Veprimit, kemi përcaktuar masa të qarta, të cilat e kombinojnë luftimin e zinxhirëve të shpërndarjes së drogave me forcimin e mekanizmave të edukimit, në veçanti te moshat e reja shkollore, por edhe parandalimin e rehabilitimin duke i pasur gjithashtu në fokus.

Ne po fuqizojmë Policinë në luftën kundër shpërndarjes së substancave narkotike, ndërkohë që po investojmë në qendra trajtimi dhe programe rehabilitimi për të rinjtë tanë. Një shembull i këtij bashkëpunimi është mbështetja prej afro 39 mijë eurosh, që Ministria e Drejtësisë ka ndarë për organizatën ‘Labirinti’ për vitin 2025, si dhe nga Ministria e Shëndetësisë është rritur përkrahja nga 16 mijë euro në vitin 2023, në 44 mijë euro për vitin 2024, ndërkaq për 30 muajt e ardhshëm janë ndarë afër 60 mijë euro në fushën e edukimit dhe ngritjes së vetëdijes për testim për HIV dhe Hepatit C tek përdoruesit injektues të drogave. Një program i udhëhequr nga peer edukatorët, siç quhet, ku pjesëtarëve të komunitetit iu ofrohet një rol udhëheqës dhe një rol më i fortë mbikëqyrës për komunitetin, po ashtu është pjesë e planit tonë të veprimit që po e zhvillojmë aktualisht.

Paralelisht, po investohet për programe parandaluese, edukative dhe shërbime të trajtimit dhe rehabilitimit për përdoruesit e drogave, në mënyrë që të zvogëlohet dëmi shëndetësor dhe social i varësisë. Përmes këtij angazhimi, Kosova synon të ndërtojë një shoqëri më të sigurt dhe më të shëndetshme.

Të nderuar të pranishëm,

E dimë që sfida është shumë e madhe, por ne nuk mund të pranojmë që varësia të bëhet realiteti i hidhur i rrugëve tona, i shkollave tona, apo i familjeve tona.

Kjo është një betejë që e fitojmë vetëm së bashku: institucionet, policia, komunat, shoqëria civile, mediat, shkollat, prindërit dhe vetë të rinjtë.

Andaj, sot bëjmë thirrje për një front të bashkuar dhe të palëkundur kundër varësisë. Vetëm një komunitet i vetëdijesuar, i angazhuar dhe aktiv, mund të krijojë një të ardhme të lirë nga varësia.

Unë ju falënderoj për përkushtimin dhe kontributin tuaj, veçanërisht Zyrën për Qeverisje të Mirë në Kryeministri, Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Drejtësisë, organizatën ‘Labirinti’ dhe të gjithë partnerët tanë.

Uroj që bashkëpunimi i mirë mes institucioneve publike, Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe organizatave të shoqërisë civile, të vazhdojë të jetë i frytshëm, në dobi të fëmijëve të Kosovës pa dallim.

Jemi bashkë në këtë rrugëtim me forcë, vendosmëri dhe me shpresë të përbashkët.

Le të llogarisim vazhdimisht në njëri-tjetrin.

Ju falemnderit.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment