Nuk e di a po e shikoni paradën “Forca e Unitetit” në Serbi, por Aleksandar Vuçiqi duket se paska vendosur të prezantojë të gjithë arsenalin e ushtrisë, policisë dhe forcave të veta të armatosura.
Janë prezantuar automjetet e blinduara, tanket, forcat ajrore, raketat, armët, dronat e madje edhe flota ujore… Ata që janë të interesuar mund të shohin pra të gjitha kapacitetet e Serbisë për luftë – në televizor.
Kjo ka shkaktuar kritika, sepse disa analistë serbë po thonë se Serbia po prezanton të gjitha forcat, që “mund të shohin armiqtë” e Serbisë dhe të dinë krejt çka ka Serbia, e ndër këta armiq më së shumti po përmenden Kosova dhe Kroacia…
Shume interesante është që në këtë paradë nuk po shihet asnjë zyrtar i lartë nga Rusia, Bjellorusia dhe vendet tjera mike të Serbisë…
Pranë Vuçiqit, në vendin kryesor pranë tij, qenka ulur Mohamed bin Zayed Al Nahyan nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Liderë të tjerë nuk po shihen… Por pas ca kohe, edhe Zayed u largua dhe vendin e tij e zuri Milorad Dodiku i Republikës Serbe.
Në rreshtin e dytë janë disa atashe ushtarakë, si ai i Hungarisë për shembull, por asnjë zyrtar i lartë.
Vuçiqi e ka paralajmëruar këtë paradë si “përgjigje ndaj atyre që po e kërcënojnë Serbinë”, e më së shpeshti këtu janë përmendur Kroacia, Kosova, e madje edhe Sllovenia…
Por shumë analistë në Serbi thonë se kjo është në fakt një përgjigje e Vuçiqit ndaj “armiqve të brendshëm”, sepse nga jashtë Serbinë nuk e ka kërcënuar askush, përveç në trillimet e Vuçiqit dhe qeverisë së tij. Serbia dhe serbët janë në fakt ata që kanë kërcënuar të tjerë kohët e fundit, si Kosovën apo dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Ndryshe, Beogradi është bllokuar nga forca të mëdha policore, në mënyrë që të mos ketë protesta. Studentë dhe qytetarë janë mbledhur në periferi, por nuk po lejohen të kalojnë në qendër…