Home » Jemi duke jetuar në njē epokë sipërfaqësore, ku gjithçka shijohet shpejt, digjet shpejt, harrohet edhe më shpejt.

Jemi duke jetuar në njē epokë sipërfaqësore, ku gjithçka shijohet shpejt, digjet shpejt, harrohet edhe më shpejt.

nga World Ks

Jemi duke jetuar në njē epokë sipërfaqësore, ku gjithçka shijohet shpejt, digjet shpejt, harrohet edhe më shpejt. Një botë që nuk pret, që nuk thellohet, që ka frikë të ndalet. Një realitet i cekët, ku lidhjet ndërnjerëzore kanë humbur kuptimin e vërtetë. Ku njerëzit nuk i lën kohë kohës, por ngarendin të gjejnë kënaqësinë tjetër para se ta shijojnë të tashmen.

Kjo jetë sipërfaqësore, e mbështjellë me filtra virtualë dhe emocione të paketuara për konsum të shpejtë, e ka bërë dashurinë e vërtetë të duket si një mit i harruar.

Njerëzit sot shpesh nuk duan të dashurojnë, por duan vetëm të shpëtojnë nga vetmia. E ndërsa zemrat kërkojnë ngrohtësinë e ndërsjellë, fatet shpesh mbeten të bllokuara në ciklin e përzgjedhjeve të pafundme.

Konsumi emocional ka zëvendësuar ndërtimin e ndjenjave.

Kur gjithçka është e zëvendësueshme, edhe dashuria humb kuptimin. Në vend të thellësisë, zgjedhim paraqitjen. Në vend të përkushtimit, zgjedhim rehatinë e ikjes. Nuk duam të punojmë për dashurinë, sepse besojmë se ajo duhet të vijë perfekte dhe të mbetet e tillë gjithmonë.

Por diçka ka nisur të lëvizë. Si një kthjellim pas stuhisë. E ndoshta është lodhja kolektive nga zbrazëtia, nga vetmia në mesin e turmës, po bën që shumë njerëz t’i kthehen familjes si strehë, jo si detyrim. Një dëshirë e re, e vjetër në thelb, po lind: me qenë pranë dikujt që të njeh, jo vetëm që të sheh. Me ndërtu diçka që zgjat, jo që vetëm eksiton për pak.

Njerëzit po e kërkojnë sërish besnikërinë – jo si burg, por si liri për të qenë vetja, në sigurinë e pranimit pa kushte. Po e kuptojnë se dashuria e vërtetë s’mund të zhvillohet në rrëmuja emocionale, por rritet në orët e durimit, në heshtjen e mirëkuptimit, në sakrificën e përbashkët.

Ka një kthim të ngadaltë drejt thellësisë. Një zgjim nga ëndrrat në virtualitetin fals, një kujtim nga kohërat e kaluara kur njerëzit, dashuria, autenticiteti kishin vërtetë rëndësi.

Shumë njerëz po i kthehen spiritualitetit, qoftë në formën e lutjes, meditimit, apo thjesht reflektimit të heshtur për të kuptuar më shumë veten e përmes vetes, edhe tjetrin. Sepse vetëm kur jemi të lidhur me shpirtin tonë, mund të lidhemi vërtet me dikë tjetër.

Në këtë kthesë të brendshme, po rilind ideja se dashuria nuk është ndjenjë që na gjen, por përkushtim që ne ndërtojmë. Dhe ky është premtimi më i bukur i kohës sonë: se pavarësisht sipërfaqes ku jemi mësuar të notojmë, thellësia nuk është zhdukur. Ajo vetëm pret të rizbulohet për të na dëftuar rrugën për te vetja. Tek pastaj rilidhemi me jetën dhe gjejmë kuptimin e saj që e kishim humbur në virtualitet: dashurinë.

L.A.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment