Home » HIJA E ENDRRAVE DHE RRËFIMI I DUARVE

HIJA E ENDRRAVE DHE RRËFIMI I DUARVE

nga World Ks

HIJA E ENDRRAVE DHE RRËFIMI I DUARVE

(Zana Pira, “DUART E BABAIT”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “FAIK KONICA”, Prishtinë 2025. Faqe 124. ISBN 978-9951-31-079-6)

“…sepse liria e atdheut/ është kaq e ëmbël/ si vala e detit.”(f.107) Zana Pira

Fillim:

Vëllimi më i ri me poezi nga Zana Pira, mban titullin “DUART E BABAIT”, dhe është i ndarë në katër njësi ciklike: “Copëza shpirti”, “Sytë që qajnë”, “Imazh ëndrrash” dhe cikli “Duart e babait”, nga i cili është marrë edhe titulli i librit. Poezitë kanë një ndjeshmëri të theksuar, dhe vargjet nuk janë vetëm mjete shprehëse, por janë dritë që ndriçojnë mugëtirën e ndjenjave dhe përjetimeve njerëzore. Secili cikël i këtyre poezive është një udhëtim, një imazh që shpreh ndjesi dhe reflektim të dukurive të shumta, si të them një lloj dialogimi mes vetës, kohës dhe historisë, por mbi të gjitha shprhin ndjenjën e zemrës dhe të kujtesës si kujdestare e përhershme e rrugëtimit të saj poetik dhe jetësor. Poetesha Zana Pira, ka ndërtuar me mjaftë kujdes universin e saj të brendshëm, ku ëndrrat, humbjet dhe ngadhnjimet bashkëjetojnë, ndërsa lexuesi do të ndjen peshën e kohës, përpjkejet e shumta, mallin për ata që i mungojnë, si dhe dhimbjen, veçmas të babit, portreti i të të cilit duket si një pasqyrë ku poetesha mund të rrëfehet, për të gjitha sukseset a ngecjet e mundshme, por e veçanta e saj është se të gjitha poezitë lidhen me shpresën dhe pozivitetin që lind nga reflektimi i dukurive mbi jetën dhe përpjekjen për të mbijetuar.

Cikli: “Copëza shpirti”

Nëpër poezitë e poeteshës Zanë Pira, dhimbja nuk bërtet, por ajo di të flet me zë të ulët, si mall i qetë që nuk shuhet dot. “… pas vdekjes sate/ ka ndryshuar çdo gjë”, (f.9), shkruan ajo në poezinë “Tri pjata”, dhe në këtë rrëfim të heshtur për mungesën e babait, njeriu ndien se çdo fjalë është një ngashërim i mbledhur në buzët e Zanës. Vetmia, kujtimi, heshtja e shtëpisë, gjithëçka shndërrohet në “copëza lotësh” që dridhen si xixa mbi hirin e kujtesës.

Në këto poezi, jeta dhe vdekja ecin krah për krah, pa kufij të prerë midis tyre. Në poezinë “Thonë”, njeriu përfytyrohet si një qenie që “vdes dy herë”, (f.10), një herë kur lind, një herë kur mbyll sytë. Është një mënyrë për të thënë se çdo fillim mban në vete fundin, dhe çdo frymëmarrje është edhe shenjë e ndarjes që do të vijë. Poezia e Zana Pira, udhëton midis mitit dhe përditshmërisë: Rozafa, dhe të gjithë figurat tjera nga mitologjia rikthehen jo për të përsëritur legjendat, por për të shpjeguar dhimbjet moderne të shpirtit. “Rozafë, po ta them të drejtën,/ unë nuk humbas kurrë rrugën time”, (f.12), thotë poetesha, duke e kthyer legjendën e flijimit në një akt vetëdijeje: Gruas që nuk pranon më të muroset për të tjerët. Kështu, miti bëhet pasqyrë e së tashmes, dhe poezia një mënyrë për të rilindur përmes fjalës.

Poetesha gjen strehë te fjala, tek vargu dhe te vetë poezia si art shpëtimi: “Poezia ime/ askush nuk të pyet/ që brenda teje/ rroj artistikisht”, (poezia ART, f.19). Është ky një çast i thellë rrëfimi: Ajo pranon se arti nuk kërkon miratim, por mbijetesë shpirtërore. Cikli me poezi“Copëza shpirti” në thelbin e vet, është një udhëtim i brendshëm përmes kujtesës, humbjes dhe vetëzbulimit. Fjalët nuk rrëzojnë mure, por i ndriçojnë si dritë, dhe në çdo varg të saj, Zana Pira dëshmon se poezia mund të jetë edhe mënyrë për të jetuar, edhe mënyrë për të duruar jetën.

Cikli: “Sytë që qajnë”

Në varjet e poeteshës Zana Pira, qetësia nuk është paqë, është një rrjedhë e brendshme dhimbjesh që kërkojnë zë, por e dinë se fjala kurrë s’mund t’i shërojë plotësisht. “Sytë që qajnë në heshtje/ dhimbjet e shpirtit/ nuk shërohen lehtë”, (f.39), shkruan ajo, dhe kështu fillon një përsiatje e thellë mbi kufijtë e durimit njerëzor, mbi atë se si njeriu i përtyp ndarjet, humbjet, dhe përsëri vazhdon të jetojë. Poezia “Sytë që qajnë”, (po aty, f.39), është një udhëtim shpirtëror i trishtët, ku kujtimet, shenjat e dashurisë, dhe humbjet ndërthuren si fije të holla dritash në errësirë. Çdo poezi e saj është si një çast i mbledhur mes të djeshmes dhe të sotmes, një përpjekje për ta rikthyer kuptimin e jetës përmes artit letrar.

Në poezinë “Mos i trazo dallgët”, poetesha flet me detin sikur me një qenie të gjallë, një dëshmitar të besueshëm të shpirtit të saj. Aty dashuria është e ndaluar, por prania shpirtërore mbetet: “Mos i trazo dallgët/ për mungesën time/ as mos u dëshpëro/ mbaje veten fort…”, (f.37). në këtë varg deti bëhet metaforë e durimit, e përjetësisë së lidhjes që as koha nuk mund ta zhbëjë.

Në poezinë “Tiktaket e orës”, koha shndërrohet në mall për nënën e humbur, zëri i saj mungon, por ora ende rreh si zemër: “Tiktaket e orës sate/ ende nuk ndalen/ për një minutë heshtje/ ngrihen në këmbë”, (f.44). Kjo ndjenjë e lidhjes midis të gjallëve dhe të vdekurve është thelbësore në universin poetik të Zanë Pires, aty vdekja nuk është fund, por një ritëm i përbashkët që vazhdon në heshtje.

Në poezitë e tjera, bota bëhet arenë e përmbysur ku njeriu kërkon dritë mes stuhive: “Ajrin as plumbi/ nuk mund ta shpojë/ kur dridhet toka ashpër”, (f.43), thotë poetesha në poezinë “Stuhia”, ndërsa në poezinë “Lexo” tingëllon një urdhër i brendshëm moral: të jetosh me vetëdije, të mos dorëzohesh ndaj errësirës. Diku në një poezi, në fund të këtij cikli, poetesha do të gjej një qetësi tjetër. Ajo nuk qan më për të njëjtën arsye, por sepse ka kuptuar që edhe dhimbja ka ritmin e vet. “Mos u çuditni/ nëse në sytë e mi/ shfaqet një pikë loti/ edhe pse sot/ nuk bie shi”, (f.57), ky varg, nga poezia “Rrugëtim lotësh”, është mbase tërë pesha artistike e ciklit: Pranimi se dhimbja është pjesë e dritës njerëzore, jo e terri të saj. Pezia“Sytë që qajnë”, (f.39) është një poezi e ndjeshme mbi përjetimin e mungesës dhe rezistencën shpirtërore përmes artit. Në secilën poezi, Zana Pira tregohet e denjë se ndjeshmëria nuk është dobësi, por forcë e brendshme për ta përkthyer dhimbjen në poezi, humbjen në kujtesë, dhe lotin në dritë.

Cikli: “Imazh ëndrrash”

Edhe cikli “Imazh ëndrrash” është një lloj përpjekjeje e brendshme drejt misterit dhe të papriturave që mund t’i sjell koha e cila nuk mund të ndalet. Poezitë si “Kohë e inatosur” ose “Flas me heshtjen” flasin për këtë me një ndjesi mjaftë të theksuar të izolimit dhe kërkimit të kuptimit. Zana Pira, përdor imazhe mitologjike dhe historike siç janë: Artemida, Adonisi e Sizifi, jo vetëm si figura mitologjike, por edhe si pasqyra të ndjenjave dhe përjetimeve të saj. P.sh. dhimbja, frika, dëshira për të kuptuar dhe për të kapur kohën.

Në poezinë “Kohë e inatosur”, shohim një shpërthim të brendshëm: “librat e historisë pa adresë/ nuk më mjaftojnë/ përtej ikjeve pyllnajave/ me tërë kohën e inatosur…”, (f.61). Në këto vargje, historia dhe leximi nuk janë thjesht perjetime së jashtmi, por ato janë ndjenja që pasqyrojnë anën e brendshme të shpirtit të saj që kërkon kuptim, një rrugë për të kuptuar vetveten dhe të tjerët atë. Si tërësi, cikli tingëllon sikur të ishte një simfoni e heshtjes, aty ku shiu, labirintet dhe tingujt e erës bëhen pjesë e një dialogu të brendshëm me botën dhe vetveten. Ëndrrat e saj nuk janë thjesht vizione të papërcaktuara, ato janë shenja të vetëdijes së lartë krijuese, mbi njohjen dhe humbjen, të përjetuara me dhimbje, mall dhe dashuri.

Poetesha Zanë Pira udhëton më tej, duke eksploruar hapësira dhe përvoja që tejkalojnë kufijtë personal. Poezitë e saj flasin për motivin urban, qytetërimin dhe lidhjen mes individit dhe botës përreth, duke ruajtur gjithmonë një ton reflektiv dhe melankolik. Për shembull, në poezinë “Metropoleve të botës”, ajo zbulon vetminë e thellë të njeriut që udhëton vetëm dhe kërkon kuptim nga të tjerët: “ngado që të udhëtoj/ metropoleve te botës/ zbuloj diçka të re/ diçka që nuk e kam parë/ kurrë me sy”, (f.67). Këtu, jeta dhe qyteti bëhen pasqyrë e ndjenjave dhe perceptimeve, një terren ku e reja shfaqet vetëm për ata që e shikojnë me vëmendje dhe ndjeshmëri. Poezitë e saj lidhen ngushtë me ekzistencën dhe memorien, me mallin për atë që është humbur dhe me etjen për të kapur kohën që ikën. Poetesha Zanë Pira, përdor mitin dhe legjendën, si: Euridika, Orfeu, Adonisi, si dhe mjete të tjera figurative, për të shprehur marrëdhënien e saj mes dashurisë, humbjes dhe kujtesës.

Cikli: “Duart e Babait”

Cikli “Duart e Babait” është më intim dhe personal, duke u zhvendosur nga universi mitologjik në kujtimet e fëmijërisë dhe lidhjen me figurën e babait. Poezitë e këtij cikli janë plot mall, humbje dhe përpjekje për të kuptuar jetën dhe vdekjen. Çdo varg është një pasqyrë e emocioneve të brendshme, e kujtimeve të gjalla dhe dhembjes së pranishme.

Në poemën “Malli më vret”, shprehet pikëllim i thellë për mungesën e babait, por edhe një lidhje shpirtërore që mbetet e gjallë: “Dua të të them baba/ mos më le të flas/ vetë me vete/ është sikur nuk ekzistoj fare”, (f.85). Në këtë cikël, poetesha Zana Pira, e ngre kujtimin në art dhe dhimbjen në përjetësi. Ajo i qaset figurës së babait jo vetëm me mallin e bijës, por me ndjesinë e një shpirti që kërkon të kuptojë vetë jetën përmes duarve të lodhura që mbollën grurin e saj. Në këtë cikël, rrjedha e vargjeve është si një lutje e qetë nën shi, ku çdo kujtim bëhet farë që mbin në fushat e kujtesës.

Edhe në poezinë që mban titullin e ciklit dhe të librit, babai është një figurë epike dhe hyjnore në thjeshtësi: “Baba/ Vazhdo të hedhësh farën e grurit në arë/ sepse në pranverë/ pemët kanë filluar të lulëzojnë/ sërish herët më mëngjes”, (f.83). Ky urdhër i butë, i përcjellë përtej jetës, është si një përshpëritje e besimit se puna, dashuria dhe kujtesa nuk mbarojnë me vdekjen, ato vetëm ndërron formë, kurse jeta e Babait vazhdon të jetojë në poezitë e së bijës.

Në poezinë “Kur isha fëmijë”, poetesha rikthen me një ndjeshmëri prekëse skenën e fëmijërisë: “Nëna shtronte sofren me pak bukë/ e fëmijë ishim shumë…”, (f.81), dhe ky kujtim i varfërisë bëhet një dritare ku shikohen rrënjët e përulur të dashurisë prindërore, një ndjenjë që nuk kërkon asgjë, por jep gjithçka. Cikli përmbyllet qetësisht, si një rrotullim i ngadalshëm i stinëve. Nga loti i fëmijës, te nderimi i vajzës për babanë që “nuk u zgjua më nga gjumi”. Poezia e Zanë Pira, bëhet testament dashurie, një mënyrë për të mbjellë kujtesën në tokën e fjalës.

Përfundim:

Poetesha Zana Pira, ka ndërtuar një botë poetike ku lexuesi lundron mes kohës, kujtesës dhe emocioneve. Nga ëndrrat dhe humbjet e mitit te zëri i brendshëm dhe kujtimet e babait, çdo cikël është një kapitull i vetëdijes dhe i ndjeshmërisë njerëzore. Poezia e saj nuk është thjesht letërsi; është një pasqyrë shpirtërore, një meditacion mbi jetën, dashurinë, kohën dhe humbjen. Pa dyshim, Zana Pira, është një zë poetik i fuqishëm në Kosovë dhe më gjerë, jo vetëm për temat që trajton, por edhe për mënyrën e ndjeshme dhe të thellë të të shprehurit.

Prishtinë, 13 tetor 2025.

Shefqet DIBRANI

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment