17
Heshtja e botës
Në përqafim me mëkatin u tret njeriu,
në lakmi humbi ndjenjën e vet,
gëzohej nga fatkeqësia e tjetrit,
harroi se ç’do të thotë të jesh njerëzor.
Të pasurit shkelën pa mëshirë
nderin dhe shpirtin e të varfërve,
u ngjanin egërsirave të lidhur me djallin,
humanizmi bëhej veç për emër.
Ndërsa të tjerët luftonin për kafshatën e gojës,
të etur për një pikë ujë,
trupat e tyre kthyer në hije,
eshtrat dukeshin pa aparatura.
Në sytë e tyre rrinte trishtimi,
fytyrat pasqyronin pafajësinë,
lotët derdheshin si det i trazuar…
dhe bota… hesht.
Por diku thellë, një zë ngrihet,
si dritë që thyen terrin,
kujton se njerëzimi jeton,
sa herë një zemër zgjedh të jetë mirësi.
Adifete Shiti ©
Shtator,2025
Dardani