Çun Lajçi
11 orë ·
Ec, mos e kthe kokën mbrapa! Shqiptari veç mbrapshtë mendon!
Dje shkrova për Gjestin – djaloshin që e njoha nga një shou televiziv dhe më bënë për vete sytë që i flisnin më shumë se britmat e pakuptimta të të tjerëve!
Shkrova dje dhe askujt s’ia tregova psehin!
Disa më dolën krah, ca të tjerë u shfrynë: – “Mjerë ti, sa poshtë paske rënë! Të kemi marrë për njeri të madh e ti shkruan për hiça!”
Kështu më përqeshën edhe kur fola për pushtetarët e t’fortit e partive. Por tani që e ndrrova lapsin dhe shkrova për të panjohurin, të voglin, tani, m’thuani; – kush po zvogëlohet?
S’u mora me shpirtligët, u mora me kujtimet: – Ai, Gjesti i vogël, më kujtoi moshën time të bardhë, kur zbrita në Tiranë, në vitin ’72.
Ah, sa i ngjashëm qenka me mua! – thashë mbrëmë, kur Gjesti s’e përfilli artistin Laert, as këngëtaren Rozi, as bukuroshen e skenës Egli, – ashtu siç bëra unë dikur me Mimikën, Eglantinën e Bujar Lakon.
Por ah! Në një dekadë tjetër, askush s’do ta besojë se një djalosh pa shkollë, pa punë, pa muskuj, e mundi një intelektual teatri, një gazetare syverdhë dhe e bëri ta dashurojë marrëzisht një aktore – yll e bukur.
Dhe e mbajti fjalën:
– “Po që se kthehen dhunuesit që më bullizuan, unë do të ngjitem murit e s’do të rri me njerëz të degjeneruar!”
Dhe ai e bëri!
Unë shkrova për Besartin – Gjestin që i flet mimika e gjesti më shumë se fjala – sepse ai më ngjante mua, Çunit të vitit ‘72, që kur zbriti në Tiranë, i hoqi këpucët dhe eci sheshit zbathur.
Por tani askush s’më beson, ashtu siç nuk do t’i besojnë as Gjestit, gjeneratat që do t’vijnë.
Unë s’e pyeta kush je dhe si quhesh, por ia hodha dorën rreth qafës Mimika Lucës – brunës, dhe qafë përqafë eca deri përtej Lanës.
– “Kush je ti, aman, se më çmende!”, – u ndal dhe nguli këmbë!
– “Çuni i Rugovës, jarani i shtatë çobaneshave, djal kaçaku, që pak me m’këcye kandari t’i puthi buzët – e s’mërzitem çka mund të thotë Xhaxhi!”
Pa i kërkuar falje, e lashë dhe shkova n’kafe te Rikard Ljarja. Kur i tregova, më tha: – “E puthe?”
– “Jo, ore,” – iu përgjigja. – “S’e kisha mendjen te dashuria, po te kopilia! Desha veç zërin t’ia çoi vetes e t’flet Tirana se si një Çun po ecën zbathur me një aktore filmi, qafë përqafë!”
Rikard Larja dhe Bujar Lako shpërthyen:
– “Shyqyr që s’e ke prekur, se t’kishte vra Ndrekë Luca. Ai është nga Dukagjini, dhe shaljanët nuk falin!”
Rikardi shumë herë thoshte:
– “Me vite ka folur çarshia: ‘Kush ishte ai çuni që ecte zbathur, duke i përqafë aktoret tona? Ishte agjent sigurimi? Spiun jugosllav? Apo artist që provokonte pushtetin?”
Askujt s’i kishte shkuar mendja se unë isha vetvetja! Rebel që s’përfillte sistemin, titujt akademikë, bukuroshet e filmave, apo aktorët me nam si Ljarja e Lako.
Thjesht, isha vetvetja, guximtar, provokues, njeri plot kureshtje, dashamirës i së bukurës!
Dje, m’u kujtua viti ‘72, dhe shkrova për djaloshin nga Peja – kelmendas si rugovasët e mi – sepse m’pëlqeu energjia e tij pozitive, pulsi rinor dhe dëshira për të bukurën.
– Po, Besart Kelmendi mund të jetë i paditur, por jo i pafytyrë si ca artistë që fluturojnë pa krahë dhe fyejnë e bullizojnë një djalosh 24-vjeçar, që mëton finalen e BB Albania VIP!
Prapë më fyen, prapë më shanë: – “T’paskan paguar!” E kemi ditur se ti shkruan për lek!”
– Analfabetët paskan zbritur në Dardani, – thashë, dhe shkrova:
– Ec, mos e kthe kokën mbrapa, se shqiptari veç mbrapshtë mendon!