Shkruan Halil Geci
Reagim ndaj shkrimit të Kadri Kryeziut, datë 10.08.2025
Një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj nostalgjikëve marksist-leninistë që përpiqen të rishkruajnë historinë dhe ta shesin si heroizëm atë që është thjesht propagandë personale.
O Kadri, mos e rrënjos gënjeshtrën si histori, se po del edhe ti si ai faqezî. Dekorata nuk është e barabartë me të vërtetën, dhe heroizmi nuk matet me medalje, por me veprat ndaj atdheut.
Kadri Kryeziu e paraqet si një nder të madh dekorimin nga Hashim Thaçi në 10-vjetorin e Pavarësisë. Në realitet, kjo ishte pjesë e një skenari ku politikanët dekorojnë miqtë dhe bashkëpunëtorët e bindur. O Kadri, medaljet nuk e bëjnë dikë të drejtë, as nuk pastrojnë gabimet politike e morale.
Megjithatë, po të pranoj, je pak më i mirë se mbeturinat e rrymave marksiste-leniniste, dhe kemi pasur respekt për ty, por truse gjuhën e mos e gënje popullin për një figurë që njihet si tradhtar i proceseve që vetë i ka nënshkruar e ratifikuar në Parlament.
Dëmet e dokumentuara që Hashim Thaçi i ka bërë Kosovës:
— Gjykata Speciale ,e themeluar dhe legjitimuar me votat e tij dhe të partisë së tij.
— Zajednica me kompetenca ekzekutive – e ratifikuar ligjërisht në Parlament.
— Falja e 8,226 hektarëve të Rugovës – dhuratë për Malin e Zi.
— Pa i përmendur “polarëve”: Vrasjet e porositura të veprimtarëve proamerikanë të LDK-së.
— Mospranimi i amerikanëve në Shtabin e UÇK-së.
— Vjedhjet dhe bizneset e përbashkëta me Radojçiçin dhe kriminelët serbë.
— Marrëveshja e fshehtë për ndarjen e Mitrovicës para lufte, për t’ia lënë Trepçën dhe Ujmanin Serbisë pas luftës.
— Pranimi i statusit ekstrateritorial për 40 kishat shqiptare, të cilat kurrë nuk kanë qenë serbe, do të thotë në fakt pranimi i 40 minishteteve të vogla serbe brenda territorit të Kosovës.
Kjo është një tradhti e pafalshme ndaj popullit shqiptar dhe Kosovës, dhe asnjëherë nuk do t’u falet Polarit dhe ndihmësve të tij.
Këto kisha nuk kanë pasur kurrë lidhje me Kishën Ortodokse Serbe, dhe pretendimet për të kundërtën janë të pavërteta dhe të dëmshme për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës.
— Kapja e çdo segmenti të biznesit dhe politikës.
— Bashkëpunimi me struktura anti-Kosovë.
Këto nuk janë “keqkuptime” – janë tradhti të mirëfillta nga një njeri që dy kokrra mend në kokën e vet nuk i ka pasur kurrë. Dhe ti, Kadri, del e na e lavdëron… siç thotë populli: “Kalemin ma lëmofsh”, mua dhe mbarë shqiptarëve kudo që janë.
Manipulimi i figurës së Hashimit
Kadri Be Kryeziu, “polarin” dhe rrethin e tij, i paraqet si trima të lindur. Faktet dhe dëshmitë e atyre që i kanë përcjellë deri në kufi, si edhe ne që i njohim mirë, tregojnë se më të ligj, më dinakë e më të pabesë se ky, me vëllain e tij Gani “polarin” dhe rrethin e tyre, nuk i njeh historia. Këta nuk ishin “trima të lindur”, por tradhtarë e të pabesë të lindur – prandaj realiteti nuk është siç mundohet ta paraqesë Kadriu.
Shumë dëshmi nga shokët e luftës tregojnë se vendimet e Thaçit shpesh merreshin për interesa politike, jo për trimëri. Kadri Beu, duke e paraqitur Hashimin si “trim” me shprehjen “o të kallë o të pshton”, harron se në atë kohë “polari” luante rolin e agjentit për shërbimet e huaja me të cilat bashkëpunonte, dhe kjo ty të dukej heroizëm. Në të vërtetë, ti dhe shumë si ti ishit kumarxhinj politikë që luajtët me fatin e popullit.
Lidhjet studentore dhe klanet e pushtetit
Kadrija e përmend Hashimin si shok dhome me vëllanë e tij. Po, mund të kenë qenë shokë dhome, por kjo nuk i bën automatikisht heronj. Shumë nga ato lidhje studentore u përdorën më vonë për krijimin e klaneve të pushtetit, e jo për kauzën kombëtare.
Legjenda e Tërdecit
Kadri “rrenci” e përmend Tërdecin e vitit 1998, ku thotë se “u rrethuam nga serbët”. Historia që ai rrëfen, ku Thaçi del si shpëtimtar, është e mbushur me romantizëm të sajuar. Shumë dëshmi tregojnë se roli i Thaçit në terren ishte i kufizuar dhe i orientuar më shumë në kontrollin politik të UÇK-së sesa në ballafaqim të drejtpërdrejtë me armikun. Madje, edhe vetë Thaçi ka pranuar se ka qenë shumë larg nga fronti.
Viktimizimi i rremë
Kryeziu thotë se shumë gjëra “i mvishen padrejtësisht” dhe e viktimizon Hashimin. Në realitet, një pjesë e madhe e akuzave kanë bazë të fortë ,nga korrupsioni, kapja e shtetit, deri te marrëveshjet e dëmshme me Serbinë. Pa harruar spiunimin tinëzar që u ka bërë shokëve të tij, duke shkuar në Prokurorinë e Hagës për ta shpëtuar veten dhe për t’i gjykuar ata me të cilët ka punuar. Kjo nuk është histori heroike ,kjo është pabesi dhe tradhti.
Procesi në Hagë
Kadrija thotë se “procesi gjyqësor në Hagë dhe burgosja e Hashimit janë të padrejta”. Përkundrazi ,ky është një shans që viktimat e luftës dhe pasluftës të marrin drejtësi. Ironikisht, ata që sot e vajtojnë Hashimin janë shpesh të njëjtët që dje e kritikonin me të drejtë, por tani përdorin burgosjen e tij për përfitime politike.
Kadri dhe nostalgjia marksiste
Kadriu, si ish-marksist-leninist, përpiqet ta shesë të kaluarën e tij si një kapitull romantik. Por në realitet, ideologjia që ai përfaqësonte ishte po aq shtypëse dhe anti-demokratike sa regjimet që populli ynë luftoi për t’i rrëzuar. Ata nuk mund të jenë moralistët e sotëm.
Mesazhi im për Kadri Kryeziun dhe të ngjashmit:
Historia nuk shkruhet me trillime dhe as nuk fshihet me dekorata. Populli shqiptar ka kujtesë të gjatë dhe di të dallojë midis atyre që luftuan për të dhe atyre që e përdorën luftën për veten.
Halil Geci
Prishtinë, 10.08.2025