Shkruan :Mimoza Rexhvelaj
Ajo më pyeti se çfarë quaj unë toksike, apo njeri toksik…
-I parë nga këndvështrimi im, toksiku nuk është domosdoshmërisht ai njeri, që të bën keq me vetëdije, por ai njeri që jeton në një kontradiktë të dhimbshme: nuk të lëshon, por as nuk të përqafon siç duhet.
Ai që të lidh me fije të padukshme, të mban pezull, pa të dhënë tokë ku të shkelësh…se për të lëshuar rrënjë nuk bëhet fjalë.
Ajo që e bën marrëdhënien me njerëz të tillë të lodhshme është mungesa e koherencës: fjala nuk përputhet me veprën, ndjenja nuk përputhet me sjelljen.
Kështu, ti mbetesh gjithmonë në një gjendje të pasigurt, ku as s’je plotësisht i dashur, as plotësisht i lirë.
Në thelb, toksiciteti është shterimi i shpirtit…
Është ajo gjendja e të qenurit pezull, kur ndihesh “i pamjaftueshëm” kur pranë dikujt lodhesh më shumë sesa rritesh.
Toksike është gjendja, kur zemra jote bëhet terren betejash të heshtura,derisa kupton se dashuria nuk duhet të të shterojë, por të të ushqejë.
Atëherë zgjedhja bëhet e qartë, më mirë t’i humbësh këta njerëz, sesa t’i kesh pranë, sepse humbja e tyre, është fitorja jote.
Është kthim te vetja dhe aty fillon transformimi…
( presim mendime dhe ide të tjera rreth njerëzve toksik)