Shkruan Luljeta Aliu
Disa njerëz nuk hyjnë në jetën tënde për të dhënë dashuri. Ata vijnë për të të zgjuar. Përmes dhimbjeve që të shkaktojnë, ti i zbulon traumat tua. Kur e gjen burimin e traumave dhe fillon të punosh me veten, vjen shërimi, kthehet forca. Shërimi pastaj e ndryshon edhe qasjen e të tjerëve ndaj teje.
Lëndimi zakonisht ndodh kur nuk vendosim kufij të qartë. Apo kur njerëzit nuk i përfillin kufijtë tanë dhe prapë ne nuk largohemi. Kështu i mësojmë se veprimet e tyre nuk kanë pasoja, duke ua dhënë lirinë të na trajtojnë pa respektin që na takon.
Pse i lejon të jenë të pakujdesshëm me ty? Pse vazhdon të tregosh mirëkuptim ndonëse ndaj teje nuk sillen me respekt?
Pse investon energji për ta mbajtur gjallë një relacion me ta, kur as marrëdhënie nuk mund të quhet, sepse ata vetëm marrin, por nuk japin asgjë.
Megjithatë, njerëzit që më së shumti na shqetësojnë, janë mësuesit tanë më të mirë në jetë. Në fakt ata po të japin një mësim: Nëse i lejon njerëzit të sillen pa respekt e nuk largohesh prej tyre, problemi nuk janë ata por ti.
Aq pak vlerë paske që pranon çfarëdo sjellje?
Pse i toleron, pse nuk largohesh?
Apo aq shumë ke nevojë që dikush tjetër të të dojë në mënyrë që të ndihesh i vlefshëm? Ke nevojë për dashuri, po. Por dashurinë ndaj vetvetes nuk mund ta zëvendësojë askush. Asnjë njeri.
Dashurinë ndaj vetvetes e zhvillon duke kërkuar të trajtohesh me respekt. Nëse nuk e respekton veten, as të tjerët nuk të respektojnë. Të lejosh që të tjerët të sillen pa respekt ndaj teje dhe të mos largohesh nga ta është dëshmi që ti nuk e do veten.
E pse nuk e do veten?
A është dashur të fitosh dashurinë e prindërve përmes performancës, suksesit, kujdesit e nënshtrimit ndaj tyre?
Kur nuk i ke përmbushur pritjet e tyre, prindërit kanë qenë të ashpër dhe ti ke krijuar bindjen se ata nuk të duan? Ke filluar të mendosh se diçka nuk është në rregull me ty, se ti nuk je në rregull, se ti nuk je i mjaftueshëm, se ti nuk je i mirë. Ke krijuar bindjen se je i keq.
E kur dikush të trajton pa respekt e pa ndjeshmëri, ty të pushton ankthi se do të ta mohojnë dashurinë. Sepse «dashuria» për ty është ajo ndjenja që ke përjetuar në fëmijëri nga prindërit tu. Përmes përmbushjes së pritjeve të tyre të është dashur të dëshmosh se e meriton dashurinë. Je mësuar që dashurinë e fiton duke e mohuar veten. Se dashuria kërkon sakrificë. Se dashuria është dhimbje, është vuajtje.
Kur rritesh, vuajtjen, kaosin, dhimbjen e pranon si pjesë të dashurisë, sepse vetëm ashtu e njeh dashurinë. Qetësia në dashuri, paqja dhe mirëkuptimi të duken të mërzitshme, të duket se asaj dashurie i mungon pasioni, ngase mendon që dashuria duhet të shoqërohet nga momente dramatike. Kaosin dhe pasigurinë i ngatërron me pasionin.
Por të fajësosh prindërit apo këdo tjetër nuk do të ndihmojë. Pa marrë parasysh çfarë kemi përjetuar, prapë mbetemi përgjegjës për ndërtimin e personalitetit tonë. Duhet të kuptojmë se ata që na kanë lënduar nuk e kanë bërë me qëllim të keq, por ndoshta edhe ata ishin të traumatizuar apo thjesht të paaftë të kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre. Prandaj duhet t’i falim, sepse nuk kanë ditur më mirë. Falja na liron nga pesha e ndjenjave negative si urrejtja apo mëria.
Të mos jesh ashtu si kanë dëshiruar prindërit apo kushdoqoftë, nuk do të thotë se ke dështuar, apo se nuk je njeri i mirë. Ti ndoshta je më i mirë se ata, por je thjesht ndryshe, ke një karakter tëndin të veçantë që nuk ka pranuar të dizajnohet e ndërtohet nga të tjerët, por që ka kërkuar dhe gjetur rrugën e tij vetë. Ti je unik!
Duhet të kesh mirëkuptim dhe respekt për veten, ta duash veten. Kjo nuk nënkupton të mos punosh me veten tënde. Apo që nuk ke nevojë për dashuri. Njerëzit nuk janë të ndërtuar të jetojnë vetë.
Ta duash veten tënde nuk do të thotë të bëhesh egoist, pra të mendosh vetëm si të arrish synimet tua pa pasur respekt për të tjerët. Nëse sillesh pa respekt, pa ndjeshmëri apo me agresivitet, njerëzit do të largohen. Ndoshta jo të gjithë, por sigurisht ata nga të cilët do të mësoje, ata të cilët kanë respekt ndaj vetvetes dhe nuk pranojnë çfarëdo sjellje, sepse e njohin vlerën e tyre.
Mund të gjesh njerëz tjerë që pranojnë gjithçka dhe nënshtrohen. Por këta nuk do të jenë mësues të mirë për ty, sepse nuk kundërshtojnë asnjëherë e ti do të mbetesh aty ku ke qenë, në pikën e njëjtë, pa pasur nevojë të përmirësosh të metat tua.
Nëse ke fat, do të qëndrojnë afër teje edhe njerëz të fortë që përkundër sjelljeve tua të papranueshme ende besojnë se do ta gjesh forcën të punosh me veten. Këta njerëz të duan me durim, sepse ndiejnë dhembshuri për ty. Ata të rrinë afër duke të përkrahur dhe duke të motivuar që të përballesh me traumat tua. Ata presin shërimin dhe suksesin tënd.
Të suksesshëm bëhen njerëzit që i përmirësojnë të metat e tyre, ata që i shërojnë traumat dhe ankthet. Ky shërim u garanton jo vetëm dashurinë ndaj vetes, por edhe dashurinë dhe respektin e të tjerëve.
Pra, njerëzit që na sfidojnë më së shumti, janë mësuesit tanë më të mirë!
L.A. 13.07.2025