Në pesë vjetorin e bërjes publike të aktakuzës ndaj ish-krerëve të UÇK’së, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zbuluar letrën që ia kishte dërguar Kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, në shtator të vitit 2022.
Kurti ka thënë se ka kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Ne letrën e publikuar, Kurti kishte kërkuar që ata të kthehen në shtëpi dhe ishte shprehur i gatshëm për të ofruar garanci shtetërore për lirimin e tyre.
“Ne besojmë se të akuzuarit mund të kthehen në shtëpi ndërsa presin gjyqin, pasi Policia e Kosovës ka garantuar se mund të mbikëqyrë arrestin e tyre shtëpiak nëse është e nevojshme. Për ta bërë këtë proces më të lehtë për familjet, si dhe për të akuzuarit, jam i gatshëm të ofroj garanci shtetërore për lirimin e përkohshëm të të gjithë të akuzuarve”, thuhet në letrën e publikuar.
Ai ka treguar arsyen pse e ka publikuar letrën sot.
“E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”, ka shkruar Kurti.
Ai ka thënë se ka punuar në heshtje gjatë për ketë.
“Kemi punuar gjatë dhe me përkushtim për këtë çështje, në heshtje, sepse shpesh puna e mirë bëhet pa zhurmë. Por ndonjëherë puna që nuk shihet, nuk dihet. Si Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! e si deputet prej vitit 2014 bashkë me Rexhën i patëm paraqitur të gjitha argumentet e qëndrimet për këtë Gjykatë që është sot duke gjykuar”, thuhet në postim.
Ndryshe, më 5 nëntor të vitit 2020 ishte bërë publike nga Dhomat e Specializuara në Hagë, aktakuza ndaj ish krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Veprat e pretenduara ndaj tyre kanë të bëjnë “me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.
Po më 5 nëntor 2020, Thaçi, Veseli, dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, ndërsa Krasniqi u transferua një ditë më parë, më 4 nëntor 2020. Procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve nisi më 3 prill 2023.
