Home » TANI DUHET TË JETOJMË

TANI DUHET TË JETOJMË

nga World Ks

TANI DUHET TË JETOJMË

Arbër Ahmetaj, “TANI S’DUHET TË VDESIM”, poemë, botuar në <Revistën “NËNTORI”, Nr.4/ 1990, faqe 62-68. Revista “Nëntori”, ishte Organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe dilte si E përmuajshme letrare, artistike dhe shoqërore e politike>.

(”Ndër demonstruesit kosovarë, të vrarë nga dhuna policore e serbomëdhenjve ishte edhe e fejuara e një poeti” fq.62.)

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Prologu:

Në vitin 1990, diku nga muaji maj, më ra në dorë numri i ri i revistës “NËNTORI”, ku isha i abonuar prej vitesh. Kjo revistë, nga të gjitha abonimet e mia, te Ndërmarrja e Përhapjes së Librit në Tiranë, ishte më e dashura dhe më e çmuara; ndaj çdo numër të saj e lexoja me një kureshtje të veçantë.

Në faqen 62 të atij numri hasa një krijim që më mbeti gjatë në kujtesë: poemën e Arbër Ahmetajt, me shënimin “boton për herë të parë”. Ishte një poemë me një frymë ndryshe nga lirikat e zakonshme që kisha hasur, qoftë brenda faqeve të revistës, e qoftë më herët. Më pëlqeu mënyra poetike e saj, jo vetëm për formën e lirikës, por edhe pasi lidhej ngushtë me Kosovën Dardane, me përpjekjet e saj për liri e pavarësi.

Përveç dimensionit kombëtar, poema kishte si protagoniste edhe dashurinë dhe të fejuarën e poetit, (natyrisht si metaforë lirike), një ndjenjë e njomë që u ndërpre dhunshëm në lulëzim të rinisë nga breshëritë e plumbave të policisë serbe, të cilët, në atë pranverë të kobshme, morën jetën e dhjetëra djemve e vajzave kosovare.

Në pjesën e shtatë të poemës hasa emrin e Ylfete Humallit, vajzës 16-vjeçare nga fshati Lupç i Poshtëm i Besianës, e vrarë më 1 shkurt 1990. Për mua ky emër nuk ishte thjesht një emër në poezi: Shtëpia e saj ndodhej buzë magjistrales Besianë–Prishtinë, rrugë që unë e përshkoja sa herë shkoja në Prishtinë dhe anasjelltas, dhe përballë lagjes Humolli, prehej edhe trupi i Ylfetes, me një gur mermeri mbi varr, ku ishte skalitur emri i saj. Kjo afërsi e bënte leximin tim edhe më të përjetuar dhe më të kujdesshëm. Që nga ajo kohë, poema e Arbër Ahmetajt mbeti për mua një nga krijimet më të bukura të tij, edhe pse në vitet në vijim ai dëshmoi gjithnjë e më shumë një afinitet të lartë poetik e krijues.

Më 29 prill 2001, në St. Gallen të Zvicrës, u mbajt promovimi i librit tim me poezi “Strehët e gjakut”, dhe për këtë rast ishte zgjedhur Arbër Ahmetaj të fliste. Ai erdhi një ditë më parë në shtëpinë time dhe kaluam një mbrëmje të paharruar. Për mua ishte një nder i veçantë, sepse Arbër Ahmetaj ishte bërë idhulli im qysh nga leximi i asaj poeme. Për shenjë respekti e miqësie, atë natë ia dhurova numrin e revistës “Nëntori” ku për herë të parë ishte botuar poema e tij.

Ndërkohë, historia e familjes Humolli u lidh edhe më ngushtë me fatin tragjik të Kosovës. Në Luftën e vitit 1999, në moshën vetëm 23-vjeçare, ra heroikisht në Kosharen e lavdisë së UÇK-së Mentor Humolli, vëllai i Ylfetes, më 19 maj. Thuhet se në ditët e fundit të saj, e plagosur rëndë, Ylfetja kishte pyetur: “Ku është Mentori?” – dhe pak çaste më vonë kishte mbyllur sytë përgjithmonë. Kjo legjendë e gjallë e shndërroi të vëllain në një lloj Konstandini, që nëpërmes sakrificës së tij udhëtoi drejt motrës për t’u bashkuar me të.

Sivjet, Komuna e Besianës ka planifikuar një aktivitet kushtuar Ylfete Humallit. Ky fakt më risolli ndër mend poemën e Arbër Ahmetajt – një krijim, sa di unë, ende i panjohur për publikun kosovar. Iu drejtova vetë autorit, duke i kërkuar të ma dërgonte, dhe me bujarinë e tij ai ma përcolli me kënaqësi.

Fragment nga poema:

7.

Antenat janë tërbuar

nga lajmet e përgjakta.

Asgjë për ty,

as Ylfete Humollin

që e vranë këto ditë

Asgjë për terrorin shtetëror,

asgjë e dashur!

Ndërsa rruga i ka të gjitha,

klithjen e instikktit,

klithjen dhe thikat

e çetnikëve;

pëllëmbën e shtrirë

e dorën e mbledhur grusht,

heshtjen për nderimin e të parëve…

Poema është një krijim kryekëput lirik, ku përmes një fryme epike-legjendare gërshetohen dy motive të fuqishme lirike, duke e bërë veprën një nga arritjet më të ndjera të poetit. Pa dyshim, poema “TANI S’DUHET TË VDESIM”, e poetit Arbër Ahmetaj është njëri nga krijimet më të ndjera e më të veçanta që i kushtohej dramës së Kosovës, vuajtjes së rinisë, dhimbjes për të dashurit e rënë, por njëkohësisht edhe shpresës që buronte nga sakrifica, sidomos në vitin e largët 1990. Kjo poemë është një ndërthurje mjeshtërore e dy planeve që zakonisht rrallë arrijnë të bashkëjetojnë në mënyrë kaq të natyrshme: motivi lirik dhe ai epik.

Motivi lirik shfaqet qartë në pjesën e parë emocionale të poemës. Poema është një rrëfim i një poeti metaforikisht i dashuruar, që kërkon ta kuptojë dhe ta pranojë humbjen e së dashurës së tij, një vajzë nga Kosova që është vrarë në radhët e demonstruesve kosovarë. Tonaliteti është i butë, shpirtëror, shpesh intim dhe prekës, prandaj poema si e tillë është realizim i rrallë artistik. Poeti përmes kujtesës rikrijon momente nga dashuria e tyre: bisedat, endjet në natyrë, netët e bisedave të pafundme, dhe ëndrrat e përbashkëta për një jetë që nuk u realizua kurrë. Këto janë vetëm disa nga motivet e pastra lirike siç janë: dashuria, malli, kujtimi, dhimbja për të munguarën, bashkë me një poetikë dhe ndjeshmëri të thellë personale.

Por kjo dashuri nuk është thjesht personale. Ajo është dashuria për jetën, për atdheun, dhe për lirinë, dhe këtu hyjmë në shtresën epike të poemës. E dashura e poetit është një ndër të rënat në luftë, dhe përmes saj, poeti sjell gjithë vuajtjen e një populli. Ai e vendos vdekjen e saj në një kontekst sa historik po aq edhe legjendar, duke përmendur Dardaninë, legjendat e lashta, Betejat e Kosovës, dhe luftën e pabarabartë që vazhdon për liri. Kjo lidhje midis të dashurës së humbur dhe Kosovës së plagosur, e bën poemën të marrë dimension epik, ku ndjesitë personale gërshetohen me fatin kolektiv.

E dashura e poetit nuk është më vetëm një vajzë, por bëhet simbol i vajzave të Kosovës që dhanë jetën për liri, e në mënyrë të veçantë, simboli i Ylfete Humollit, që në poemë përmendet në pjesën e shtatë. Kjo ndërlidhje mes konkretës (Ylfetja, një vajzë reale, e dashur, e plagosur e më pas e vdekur) dhe simbolikes epike (figura e heroinës që frymëzon dhe udhëheq) është mbase një nga arritjet më të larta të poemës.

Poema ka gjithashtu përmasë legjendare, e cila vërehet në mënyrën si poeti flet për udhëtimin e tij në kohë, “u ktheva mbrapa 5000 vjet”, dhe përpjekjen për të përfshirë figurën e të dashurës në rrëfime të mëdha mitologjike dhe historike, si pjesë e një vazhdimësie të identitetit dardan dhe shqiptarë.

Në fund, përkundër dhembjes dhe humbjes, poeti i jep zë shpresës, rezistencës dhe vendosmërisë, që përforcon motivin epik. Ai pohon se ajo nuk ka vdekur, sepse vendin e saj në rrugë tashmë e kanë zënë “grushtet e ngritura, tej përtej Kosovës”.

Pra, poema është një monument poetik ku malli personal për të dashurën shndërrohet në mall kolektiv për të renët, ku dashuria bëhet akt rezistence, dhe ku vdekja shndërrohet në fillim për një lëvizje të madhe për liri.

Epilogu:

Kjo ndërthurje e fuqishme e motiveve lirike dhe epike i jep poemës një vlerë artistike dhe historike të jashtëzakonshme, dhe është për të ardhur keq kur një poemë e tillë artistike nuk është e njohur edhe aq në Kosovë. Prandaj, përkushtimi im, përballë një aktiviteti përkujtimor, ngrit edhe më lartë vlerën e poemës dhe ndriqon nga një këndvështrim artistik figurën e Ylfete Humollit, kurse eseu im është vetëm një homazh estetik për Heroinën e Kosovës!

Prishtinë, 24.09.2025.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment