Home » SHPIRTI I DYFISHTË I SULEJMAN DËRMAKUT

SHPIRTI I DYFISHTË I SULEJMAN DËRMAKUT

nga World Ks

Kritikë letrare:

SHPIRTI I DYFISHTË I SULEJMAN DËRMAKUT

Sulejman Dërmaku, “AMNEZI”, poezi, botoi “ROZAFA”, Prishtinë 2023, faqe 108, ISBN 978-9951-02-539-3

Hyrje

Në poezinë e Sulejman Dermakut përplasen dy shtigje që rrallë ndodhin të ecin bashkë: satira politike dhe elegjia intime. Nga njëra anë kemi shkrirjen e dhimbjes kolektive të një shoqërie të zhgënjyer; nga ana tjetër, kemi dhimbjen e një babai që i flet birit të humbur. Ky dyzim, që në dukje është kontradiktë, përbën themelin e kësaj poezie. Dhe kjo e bën poezinë e Sulejman Dërmakun, të rrallë e të dalluar.

Vetëkritika e shpirtit kombëtar

Në poezinë “SHPIRTI YNË”, poeti rrëfen një ves të përsëritur, përkatësisht, “Paaftësinë për ta dashur vetveten”, sepse vazhdimisht: “Vlerësuar kemi të huajt fare pa merituar/ Të tyre përherë jemi bërë besnikë dishepuj/ Duke nënçmuar veten, t’huajin duke lartësuar”, (fq.5-6) . Ky varg është një pasqyrë e e vesit të keq, jo vetëm tonin e të rilindasve tanë, por na kujton edhe elegjinë e Rilkës për shpirtin që e braktis vetveten.

Poezia, është reflektim i realitetit dhe shpjegon gjendjen shpirtërore e shoqërore të një kombi. Vargjet nisin me një pyetje intime çfarë është “shpirti ynë?”, dhe nga aty del një lloj kritikë narrative, nga e cila shtrohet pyetja pse “vetëvlerësimi ynë mungon, ndërsa lavdërimi i të huajve bëhet normë”. Vlerë e poezisë është gjuha e thjeshtë por që godit; ky zë poetik duket i trishtuar dhe i zemëruar njëkohësisht, sepse vë në dukje për humbjen e dinjitetit individual i cili bëhet normë e dinjitetit kolektive.

Ky nënshtrim dhe kjo përçarje për interesa të vogla, ka nxitur urrejtje, mëri dhe inati, për ma tepër ambicje për pushtet që mund të sjell shkatërrim. Imazhet e shpirtit që bëhet rob i interesit, gjaku i njeriut që bëhet copë për pushtet, rrahagjoksi që plas nga smira dhe inati, janë ndërthurur me kujdes për të shfaqur dhimbjen personale të poetit, i cili është vëzhgues real i garës, qoftë me pasoja politike e sociale, kur dihet se vendi ynë është një shtet i brishtë, lakmia për kolltuk e pushtetit, është me përmasa shqetësuese. Poezia është thirrje për t’u zgjuar, dhe për të çmuar “tonin njeri” kur ka vlerë dhe apelon për të ndalur copëtimin mes vete për interesa vetjake. Poezia është një krijim lirik dhe fton në tavolinën e debatit moral e politik.

Kujtesa historike

Cikli i parë, “ABSURD”, i poezive të Sulejman Dërmakut, hapet si një testament shpirtëror dhe shoqëror, ku bashkëjetojnë kujtesa, dhimbja, ironia dhe thirrja për përgjegjësi. Poeti përpiqet të bëjë një bilanc të asaj çfarë është trashëguar dhe çfarë po humbet, duke ndriçuar figurën e prindit, të mikut ndërkombëtar, të vetëdijes patriotike, por edhe duke e vendosur lexuesin përballë absurdit e hipokrizisë së kohës.

Në poezinë “BABAI IM ME PLIS”, kujtesa e gjallë e babait shfaqet si figurë e qëndrueshmërisë, që nuk u lëkund asnjëherë nga tundimet e botës së huaj: “kurrë nuk u tund/ nga bukuri të huaja/ qofshin ato përrallore/ as u hamend as u lëkund/ t’i linte trojet arbërore”, (fq.9). Ky varg nuk është vetëm një përshkrim i një njeriu, por një metaforë e një brezi që trashëgoi tokën dhe e ruajti dinjitetin si vlerë të patjetërsueshme.

Në poezinë “TË FALEMI”, poeti nderon figurën e Medlin Ollbrajtit, duke e krahasuar eksodin e shqiptarëve me eksodin biblik: “E biblik ishte edhe eksodi ynë/ siç ishte eksodi i popullit tënd”. Këtu ndërthuret dimensioni historik e ai moral, duke i dhënë asaj figurë statusin e një shpëtimtareje humane, që “ndrite Dheun tim” dhe solli “agim” për një popull të nëpërkëmbur. Një ton kritik e të ashpër merr vargu në “POEZI PATRIOTIKE”, ku shfaqet një revoltë ndaj hipokrizisë: “Jo, nuk dua të shkruaj poezi patriotike/ ndërsa t’ia punoj pas shpine atdheut”, (fq.12). Në këtë poezi, ai kërkon veprim konkret, duke theksuar se patriotizmi është përkushtim i përditshëm. Ky cikël sjell edhe ironinë e fatit njerëzor në poezi të shkurtra e të mprehta si “Ç’MOLLË QE AJO”, (fq.14), ku aludohet mbi mëkatin dhe helmin e historisë njerëzore, apo dhimbjen dhe padrejtësinë personale në poezinë “ME DORËN TIME”, ku shfaqet absurdi i akuzave të rreme: “se qenkam ai që nuk jam/ se e paskam bërë atë që s’e kam bërë kurrë”, (fq.15). Absurdi është një motiv qendror, i artikuluar drejtpërdrejt në poezinë “ABSURD”, ku pyetja e poetit bëhet universale: “mos absurdi është në ne/ apo mbase absurdi jemi vetë ne”, (fq.20). Motivi i saj, është ves i hidhur mbi gjendjen kolektive, ku gjithçka duket e zhytur në humnerën e kontradiktave.

Në poezinë “DY VETAT”, (fq.21), poeti prek një tjetër plagë: mungesën e vetës së dytë, të dialogut e të sinqeritetit, ndërsa në “FESTAT TONA” denoncon shpërfilljen dhe sipërfaqësinë: “Nëse 364 ditë të vitit i kalojmë në shpërfillje e improvizim/ ç’të mirë do të sjellë ajo ditë që festë i themi me gojën plot”, (fq.24). Pra, ky cikël nuk është vetëm poetik, por është edhe manifest moralizues. Në këtë cikël janë shpalosur figura e prindit, respekti për mikun, revolta ndaj hipokrizisë, ankthi e absurdi dhe thirrjen për përgjegjësi. Përgjithësisht ndihet një zë i qartë: Poeti, parasegjithash kërkon sinqeritet, pastaj kujdes ndaj vlerave dhe refuzim të retorikës boshe.

Ironia dhe kritika për veset e shëmtuara

Cikli i dytë “NE GJITHOLOGËT”, poeti Sulejman Dërmaku ironizon paradokset shoqërore, vonesat historike dhe fatin e mërgimtarit. Në të gjitha poezitë, (duke përjashtuar ato me motiv mërgimin, ndihet ironia, kritika dhe një reflektim i thellë për njeriun shqiptar në raport me veten, me të tjerët dhe me kohën.

Në poezinë “NE GJITHOLOGËT”, ai godet një nga veset më të përhapura shoqërore: prirjen për t’u dhënë mend të tjerëve, ndërsa jeta personale mbetet e rrënuar, siç shprehet në vargun: “për vete s’arrijmë të ngreme as gotën / për të gëzuar jetën tonë të shkretën”, (fq.27). Dy poezitë e radhës, “NXITIM”, dhe “QEMË DHE MBETËM TË VONË”, janë si dy pamje të njëjtës sëmundje: ngarendja pa sukses, ai ironizon një shoqëri të tërë e cila vazhdimisht nxiton por gjithmonë vonohet: “secili nga ne nxiton/ por secili nga ne vonon/ askush s’arrin dot/ atje ku synon”, (fq.28). Ndersa te poezia tjetër këtë motiv, e ndeshim në përditshmëri, “nxitojmë në vendkalim këmbësorësh/ kur jemi këmbësorë – shajmë shoferët/ kur jemi shoferë – shajmë këmbësorët”, (fq.29), dhe në dimension historik, “nxitojmë në histori/ mbetemi jashtë saj”, (fq.30). Padyshim ky varg është një gjykim i rëndë, sepse një komb që nxiton kot, do t’i humb çastet vendimtare.

Në poezinë “E SHPIFUR”, poeti i drejtohet “fqinjit tonë verior”, i cili ndërtonte dhe ndërton imazhe të rreme për tjetrin, duke shpikur një “Uni” tjetër dhe të deformuar: “nuk jam ai unë/ ai është jo Uni im/ po Uni i sajuar nga ti/ për mua”, (fq.31). Poezia paraqet një ves të përhershëm në marrëdhëniet e tensionuara e gjithnjë të shtrembëruara, ku propaganda dhe gënjeshtra shpërndahen si pasqyra të rreme.

Mërgimi plagë e përhershme

Motivi i migrimit, trajtohet në poezitë “EMIGRANTI” dhe “MËRGIMTARI”, ku drama e largimit merr formë të dhimbshme dhe tjet përjetuese. Emigranti jeton në tri stinë: Dy stinët janë ëndrra për atdheun, vetëm njëra është realitet i hidhur: “këtu viti i tij ka tri stinë/…/ dy stinët e tjera i ka/ të ëndërrta”. Ai jeton me trup në një vend, me mendje e shpirt në atdhe, duke e ditur se kurrë nuk do të ndjehet i plotësuar: “trupin e ka me vete/ mendja gjithnjë i mbetet në atdhe”, (fq.33-35). Mërgimtari, në anën tjetër, rrëfen një dhimbje të përhershme gjatë vitit, të cilën e shëron vetëm kthimi njëmujor në vendlindje: “këtu njëmbëdhjetë muaj/ më dhemb gjithkund/…/ kur arrij të shkoj çdo vit/ në atdhe një muaj/ askund nuk më dhemb”, (fq.36).

Po në këtë cikël është edhe një poezi e shkurtër, por me vlerë antologjike, “JETA”, ku gjithçka është reduktuar në tri fjalë: lindje, rrojtje relative, vdekje absolute. Ja poezia e plotë:

JETA

jeta

ç’është kjo

lindje

rrojtje relative

vdekje

fund absolut

Faqe 37.

Ky poezi kaq e shkurtër është një filozofi e ngjeshur mbi kufizimin dhe brishtësinë e ekzistencës. Ndërsa, cikli i dytë i Sulejman Dërmakut, paraqet një tablo kritike dhe tragjike të njeriut shqiptar: gjitholog e i vonuar, i rrethuar nga pasqyra të rreme, i shpërndarë mes mërgimit dhe atdheut, i ngujuar në absurditetin e nxitimit dhe të vonesës. Natyrisht mesazhi poetik është mjaftë i qartë: koha po ikën, jeta është e shkurtër, dhe vonesat e shoqërisë e bëjnë edhe më të dhimbshme këtë rrugëtim.

Ironia si mjet i politikës

Cikli i tretë “PAS HIJESH”, i Sulejman Dërmakut, nga reflektimi mbi natyrën njerëzore ai kalon në satirë të ashpër politike. Filozofia morale ndërthuret me ironinë shoqërore, duke nxjerrë në pah një panoramë ku egoja, loja e pushtetit dhe roli i opozitës bëhen metafora të realitetit. Në poezinë “EGOJA”, autori përdor një krahasim të thjeshtë, por të fortë: “Egoja/ pa të nuk bën/ siç nuk bën gjella pa kripë”, por egoja, si kripa, është e domosdoshme, por nuk duhet të teprohet, sepse shndërrohet në patologji, “pra nëse kalohet kufiri/ nëse nuk përdoret kriteri i masës/ …/ kalojnë në fushë patologjie”, (fq.47). Ky varg prek thelbin e jetës sociale: ekuilibri. Pa ego nuk ka gjallëri, por kur ajo bëhet e pakontrolluar, kthehet në shkatërrim. Këtu Sulejman Dërmaku nuk flet vetëm për individin, por edhe për shoqërinë e politikanët që egoizmin e kthejnë në ves. Ndërsa në poezinë “GJITHÇKA LOJË”, përsëritja obsesive e fjalës lojë shndërrohet në ritëm absurd, “lojë/ zgjedhjet/ lojë/ votimi/ lojë/ koalicioni/ lojë/ interesat/ lojë/ korrupsioni”, (fq.51). Në “GJITHÇKA LOJË”, poeti vizaton një realitet ku politika është reduktuar në farsë. Kjo përsëritje e qëllimshme, me ritëm të shpejtë e ironik, krijon një ndjesi boshe, sikur gjithçka është vetëm një shfaqje pa përmbajtje. Demokracia, në këtë lojë të shëmtuar, shfaqet si “fjalë boshe/ plaf kamuflimi/ i diktaturës”, (fq.52). Poezia është një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj sistemit politik, ku sundimi i ligjit është vetëm një gënjeshtër e maskuar, ndërsa kompromisi është “thikë pas shpine”.

Ironia që kultivon Sulejman Dërmaku, kulmin e arrinë në poezinë “TË KEMI VEÇ OPOZITË”, ku poeti bën një propozim absurd e satirik: të mos ketë më pozitë, por vetëm opozitë. Në thelb të këtij paradoksi qëndron e vërteta e hidhur: sapo partitë arrijnë në pushtet, “asnjë punë s’po e bëjnë për shtet”, (fq.53), dhe secili kapardiset duke thënë “shteti jam unë”, (po aty, fq.53). Prandaj, në këtë satirë të hollë, opozita shfaqet si opsioni më i mirë, sepse të paktën nuk ka shansin të bëjë dëm nga pushteti. Me këtë motiv satirik, Sulejman Dërmaku, arrinë të kthej humorin në një mjet kritik, duke treguar dështimin e vazhdueshëm të elitave politike. Ky cikël, me vetëm gjashtë poezi, arrinë të përmbledh tri shtresa të rëndësishme: dimensionin moral të individit (egoja), dimensionin absurd të politikës (loja), dhe dimensionin satirik të realitetit (opozita). Përmes një timbri therrës, poeti Sulejman Dërmaku, arrinë t’i sjell lexuesit të vet një poezi të realizuar suksesshëm.

Elegjia e birit – dhimbja si poezi

Cikli 4 “PA TY DHE PA EMËR”, është krejt ndryshe nga ciklet pararendëse të Sulejman Dërmakut. Këtu zëvendësohet me motivin e dhimbjes intime, të humbjes së birit. Poezitë bëhen elegji, thirrje të brendshme, dëshmi e një shpirti që përpiqet ta mbajë gjallë kujtimin e të birit në çdo shenjë të jetës. Në vend të ironisë e revoltës sociale, kemi mall, lot, pikëllim dhe pyetje ekzistenciale, prandaj poezia ndryshon krejtësisht. Tashmë ndeshim zërin e prindit që duke i folur të birit të vdekur, shpalos dhimbjen personale, vuajtjen që ka prandaj poezia merr tonin e elegjisë, prandaj përkushtimet e tij bëhen me vlerë universale.

Në poezinë “1 DHJETOR”, dhimbja e datës së lindjes shndërrohet në simbol të tragjedisë: ajo që është ditëlindje, bëhet edhe ditë vdekjeje, dhe prindit i mbetet ta mbajë në shpirt kontradiktën e përjetshme ndërmjet gëzimit dhe pikëllimit. Kurse në poezinë ”NJËSHI”, ai shkruan: “Po ç’t’i bëj njëshit tjetër/ që të mori ty/ e mua plagë në zemër/ lumë lotësh në sy”, (fq.76). Këto vargje nuk flasin më për komb, por për humbjen që i përket çdo njeriu. Aty, ku dhimbja personale shndërrohet në porosi universale.

Në poezinë, “PA TY DHE PA EMËR”, vihet në pah humbja e vetë identitetit, emri që i ishte dhënë birit nuk mbijeton më, dhe bashkë me të humbet edhe një pjesë e vetvetes. Pra, kufijtë mes vetes dhe birit treten:“Dhe nuk di/ në vdiqe Ti/ apo unë/ Apo vdiqëm të dy/ Biri im”, (fq.59). Ky varg është një nga më të fuqishmit në gjithë ciklin: një identifikim total me të humburin, një shkrirje ku prindi nuk di më kush ka mbetur gjallë. Në poezinë “DRITA E SHPIRTIT TËND”, poeti i jep dhimbjes një dimension metafizik:“Po tërë jetën tonë sytë i mbajmë drejt qiellit/ Na ndrit shpirti yt në vend të rrezes së diellit”, (fq.81). Këtu dhimbja nuk është më vetëm humbje, por edhe udhërrëfyes. Biri bëhet yll, dritë, një rreze që mbetet pas.

Padyshim poezitë e këtij cikli rrëfejnë dhimbjen si përvojë personale. Dhimbja në këtë rast, nuk është plagë që shërohet, por zjarr i pashuar, siç e shohim në poezitë, “DHEMBJE SHPIRTËRORE”, (fq.65), apo “NGADO”, (fq.64), ku dhimbja është shoqëruese e përhershme, pjesë e pandashme e jetës. Figura e Birit mbetet gjithnjë e gjallë, qoftë në ëndërr, qoftë në shfaqjen e tij te njerëz të tjerë, poezia “TË PASHË”, (fq.74-75), ose te poezia “INKARNIM”, (fq.73), dhe kjo dëshmon për nevojën e pashmangshme të prindit që ta gjejë e ta rikrijojë në çdo vegim praninë e humbur. Disa nga poezitë iu afrohen lutjeve, si poezia “E DI”, (fq.61), apo poezia “DRITA E SHPIRTIT TËND”, (fq.81), në të cilat dhimbja kalon në besim se shpirti i birit rrezaton ende dritë nga qielli.

Vazhdimësia e një jete

Cikli pestë “PINJOJTË”, ashtu si cikli katërt, kanë një ton të qartë elegjiak, derisa cikli paraprak ka dhimbje, “PINJOJTË”, shprehin jetë dhe vazhdimësi. Poezitë janë përkushtime që lidhen sidomos me kohën e lindjeve dhe kanë kryesisht vlerë shpirtërore për poetin, se sa ndonjë vlerë letrare. Të gjitha poezitë shprehin përjetim të gëzuar individual, duke dalluar poezinë kushtuar nipit “BISLIMI”, (fq.91), me fat ca të ndrydhur dhe ajo “TOLI”, (fq.96), e cila është demunitiv i emrit Mentori, por pa hezitim Cikli “PINJOJTË”, është model i përjetshëm i vazhdimësisë, i gëzimit dhe shpresës! Dhe përmes këtij vargu të thjeshtë dhe me simbolikë pozitive, Sulejman Dërmaku, ka arritur të sëndërtojë shpirtit e thyer, duke shprehur nderim dhe dashuri të pashuar.

Përfundim: Dyzimi si themel poetik

Duke i lexuar të gjitha ciklet, vërejmë se poezia e Sulejman Dërmakut është një poezi e ndarë mes dy dimensioneve: kritikës ndaj shoqërisë dhe politikës, dhe elegjisë së humbjes personale dhe triumfit të brezave. Në njërën anë, ai është zëri i shoqërisë së zhgënjyer, që sheh politikën si “lojë” dhe pushtetin si farsë; në anën tjetër, ai është prindi që qanë për birin dhe e bën dhimbjen poezi.

Në anën tjetër poeti e bën poezinë një zë të dyfishtë: kolektiv dhe intim. Ai shkruan për “shpirtin tonë” si komb, por edhe për “shpirtin e tij” të plagosur. Dhe kështu, poezia e tij qëndron në kufirin mes shoqërores dhe personales, duke u bërë pasqyrë e një kohe të trazuar, por edhe e një zemre të lënduar që sytë i ka drejtuar kah jeta e pinjojve!…

Prishtinë, 04 shtator 2025.

Shefqet DIBRANI

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment