Home » Kam shkëputur e përkthyer këtë fragment shumë kuptimplotë nga libri i mrekullueshëm “Princi i vogël” i Antoine de Saint-Exupèry.

Kam shkëputur e përkthyer këtë fragment shumë kuptimplotë nga libri i mrekullueshëm “Princi i vogël” i Antoine de Saint-Exupèry.

nga World Ks

Shkruan: Ervina Toptanii

. “Mirëmëngjes” – tha princi i vogël. “Mirëmëngjes” – tha lulja. “Ku janë njerëzit?” – pyeti me mirësjellje princi i vogël.

(Dikur, lulja kishte parë të kalonte një karvan me njerëz) “Njerëzit? Mendoj se ekzistojnë, ndoshta gjashtë a shtatë.

I kam parë shumë vite më parë. Por nuk dihet kurrë se ku mund t’i gjesh. Era i shtyn sa andej-këndej. Ata nuk kanë rrënjë, dhe kjo i shqetëson shumë.”

“Lamtumirë” – tha princi i vogël.

“Lamtumirë” – tha lulja. Ky fragment që kam shkëputur e përkthyer nga libri i mrekullueshëm “Princi i vogël” i Antoine de Saint-Exupéry trajton një temë të thellë, atë të vetmisë, rrënjëve dhe përkatësisë.

Fjalët e lules janë thelbi i asaj që na mundon prej shekujsh. Njerëzit janë si qenie pa rrënjë, gjithmonë në lëvizje, pa një vend ku të jenë të lidhur vërtet me tokën.

Mungesa e rrënjëve këtu shihet si një gjendje që sjell shqetësim, një ndjenjë të humbjes dhe të mos-përkatësisë.

Njerëzit pa rrënjë shtyhen nga era dhe kjo simbolizon një jetë pa stabilitet, pa një vend që ju jep atyre ndjenjën e identitetit dhe të shtëpisë.

Mungesa e rrënjëve është edhe një metaforë për ata që gjithmonë janë në kërkim të diçkaje të re, të shtyrë nga dëshira për të zbuluar apo për të ikur, por që në fund, nuk gjejnë kurrë paqe të vërtetë apo kënaqësi të qëndrueshme sepse mungojnë rrënjët, lidhja e përkatësisë shpirtërore.

Shumë njerëz largohen për të kërkuar mundësi më të mira, për të shpëtuar nga vështirësitë apo për të ndjekur ëndrrat. Por, siç thotë edhe princi i vogël, një herë larg, malli dhe vetmia mund të na bëjnë të ndiejmë se na mungon diçka thelbësore, rrënjët tona, shtëpia jonë, kujtimet, varret e të parëve e gjithçka e lidhur me historinë e tyre, me identitetin shoqëror e kombëtar.

Largësia mund të sjellë atë që unë e quaj “dhimbja e largësisë”.

Por, paradoksalisht, pikërisht në këtë largësi mund të kuptojmë se çfarë do të thotë të jesh i rrënjosur, jo vetëm në një vend fizik, por edhe në vetvete, në bindjet tona, në njerëzit që duam, dhe në përvojat që na formojnë.

Rrënjët nuk janë gjithmonë gjeografike, ato janë mbi të gjitha të brendshme. Ervina Toptanii

Ervina Toptanii

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment