𝑵𝒂𝒏𝒂
𝑬𝒉, 𝒏𝒂𝒏𝒂… 𝒎𝒃𝒓𝒆𝒕𝒆𝒓𝒆𝒔𝒉𝒂 𝒆 𝒋𝒆𝒕𝒆𝒔 𝒔𝒐𝒏𝒆
Nana nuk e shijoi kurrë jetën për vete. Ajo ua fali neve çdo minutë dhe çdo sekondë të saj. Kishte apanga në vend të takave të larta dhe përsëri dukej si zonja më e hijshme e botës. Eleganca dhe forca i buronin natyrshëm, sikur t’i kishte trashëguar nga një brez grash të pathyeshme. Gjithmonë la hapësirë për vajzën e saj, sepse donte që ajo të ecte më lart se vetë nana, të arrinte lumturinë që ajo nuk pati kohë ta jetonte.
Sa e madhe ishte nana jonë. Veten e vuri gjithmonë në plan të fundit. Ne në të parin. Qëndroi pranë nesh në secilën stuhí të viteve, e palëkundur, e fortë, e heshtur, e mbushur me durim. As rrudhat e ballit nuk mund ta fshijnë djersën me të cilën na rriti. Net pa gjumë, ditë pa pushim… edhe kur e sëmura e lodhte, ajo nuk dinte të tërhiqej, sepse dashuria për fëmijët s’ka buton ndalese.
Edhe sot, kur jemi rritur e kemi marrë jetën në duar, ajo sërish na shikon me të njëjtët sy, si ditën e parë. Për të, kurrë nuk do të bëhemi të rritur. Për të, mbetemi fëmijët e saj, pjesa më e shtrenjtë e shpirtit të saj.
Shkruan: Dalinë Arifi
