Sipas burimeve të Worldksinfo, në prapaskenën politike të Kosovës po diskutohet një plan i koordinuar mes Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku, i cili do të vihej në zbatim në rast se Osmani nuk kandidon për një mandat të dytë presidencial.
Burime të afërta me këto zhvillime bëjnë të ditur se palët kanë shqyrtuar dy skenarë konkretë, që kanë për qëllim ripozicionimin politik të Osmanit dhe ndërtimin e një boshti të ri opozitar përballë qeverisë aktuale.
Skenari i parë: Rikthimi në LDK dhe kandidatura për kryeministre
Nëse Osmani nuk hyn në garën për presidente, sipas këtij skenari ajo do t’i bashkohet sërish Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke u shndërruar në figurën kryesore të partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në këtë rast, Osmani do të ishte kandidate për kryeministre, ndërsa fushata e LDK-së do të ndërtohej rreth profilit të saj publik dhe mbështetjes që ajo vazhdon të ruajë në sondazhet e opinionit.
Burimet vlerësojnë se ky opsion shihet si më i realizueshëm dhe më i drejtpërdrejtë, pasi do të nënkuptonte një bashkim të plotë politik mes Osmanit dhe strukturave të LDK-së, me synim rikthimin e kësaj partie në pushtet.
Skenari i dytë: Listë e veçantë zgjedhore dhe bashkëpunim me LDK-në
Skenari tjetër, që po qarkullon në rrethe të ngushta politike, parasheh që Osmani të krijojë një listë të veçantë zgjedhore, e cila do të garojë në zgjedhje në bashkëpunim me LDK-në.
Në këtë formulë, ajo nuk do të jetë formalisht pjesë e LDK-së, por do të kandidojë përmes një subjekti apo liste të sajën, e cila më pas do të hyjë në koalicion parazgjedhor ose paszgjedhor me LDK-në.
Edhe në këtë variant, sipas burimeve të Gazeta Minuti, Osmani do të jetë kandidate për kryeministre, ndërsa marrëveshja politike synon krijimin e një fronti më të gjerë opozitar, që do të përfshinte edhe votues të zhgënjyer nga spektri aktual politik.
Pa deklarime publike, por me komunikime intensive
Zyrtarisht, as nga Presidenca dhe as nga LDK-ja nuk ka pasur deklarime për këto skenarë. Megjithatë, burimet pohojnë se komunikimet dhe kontaktet mes palëve janë intensifikuar javët e fundit, veçanërisht në rrethanat e paqartësive rreth zgjedhjes së presidentit dhe mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Një burim brenda këtij procesi shprehet se “të dyja palët po e mbajnë të hapur mundësinë e bashkëpunimit, duke e konsideruar të domosdoshëm një rikonfigurim politik për garën e ardhshme zgjedhore”.
Qëllimi: Ndërtimi i një alternative për pushtetin
Sipas të njëjtave burime, plani Osmani–Abdixhiku synon që, në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit dhe shkuarjes së vendit në zgjedhje të reja, të ofrohet një alternativë serioze për qeverisjen e vendit, me Vjosa Osmanin në krye të garës për kryeministre.
Në këtë mënyrë, Osmani do të largohej nga pozicioni i presidentes si figurë neutrale dhe do të rikthehej në skenën aktive politike, ndërsa LDK do të synonte të përfitonte nga popullariteti i saj për të rritur peshën elektorale.
Gazeta Minuti do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet dhe të raportojë për çdo konfirmim apo lëvizje konkrete lidhur me këtë plan, i cili, sipas burimeve, mund të ndikojë ndjeshëm në hartën politike të Kosovës në muajt në vijim.
