HASHIM THAÇI
I ftohtë. I pikëlluar.
Si dikush që i janë harxhuar lotët.
Një burrë që nuk qesh as me arsye.
Në fjalën e tij të fundit në gjykatë vetëmbrohej me dashuri…
si dervishi që ec zbathur mbi zjarr.
Për dashurinë ndaj atdheut kishte hequr dorë nga studimet në Perëndim.
Ndjehej plotësisht i pafajshëm.
I vetmi fajtor, tha, ishte Sllobodan Millosheviqi.
Tha se të njëjtat akuza si të prokurorisë i kishte dëgjuar dikur nëpër fushata elektorale.
Pra, autorët e akuzave kundër tij janë shqiptarët.
Avokati i tij tha se Rexhep Selimi nuk i kishte thënë Prokurorisë të vërtetën:
se Hashim Thaçi nuk e kishte bërë komunikatën 59 të UÇK-së.
Pra, pas shpine e kishte “armikun”.
Jo Rusinë. Jo Serbinë.
Shqiptarin.
(Dukej edhe i dëshpëruar, edhe i shqetësuar.)
…
KADRI VESELI
I mençur. I matur. Elokuent.
Dukej se e do Kosovën si një matematikan… me mend, jo me zë.
Qetë. Pa patetikë.
Tha se e njeh veten dhe e di çfarë ka bërë e çfarë s’ka bërë.
Dhe se nuk ka fakte kundër tij.
Dukej si dikush që, kur të dalë nga burgu, nuk kthehet më në atdhe.
Jo sepse nuk e do – por sepse e njeh.
(Nuk dukej i shqetësuar, as i zemëruar –
por i mërzitur, shumë.)
…
REXHEP SELIMI
Fliste në emër të të gjithëve: Ne.
Ani pse prokurorisë i kishte thënë diçka tjetër, sot fliste ndryshe.
Nuk dukej i ngushtuar.
Kravatën e kishte të portokalltë… sikur ishte nisur në takim dashurie, jo në gjykatë.
Për dallim nga Thaçi dhe Veseli, fliste me mendjemadhësi.
Si babai i luftës.
Dhe sugari i gjykatës.
(Nuk dukej as i mërzitur, as i nervozuar – dukej i qetë, krenar dhe i kënaqur me fatin e vet.)
…
JAKUP KRASNIQI
Dhimbja në sytë e tij dukej më e madhe se vetë akuza.
Ai dukej si një dramë kombëtare.
Si një “tragjedi shqiptare”.
Sikur më shumë është lënduar që është akuzuar, sesa që mund të dënohet.
Sikur më parë do të pranonte burgun e përjetshëm, sesa të mos ishte patriot.
(Dukej i pikëlluar, shumë i mërzitur – jo i frikësuar, as i shqetësuar.)
…
EPILOG
I sheh ushtarët në burg.
Pastaj i sheh të lirë, të pasur e të lumtur ata që e tradhtuan luftën.
Dhe brenda vetes mendon:
le të shkojë gjithçka në djall.
…
DEFINICION
Luftë të shenjtë nuk ka.
Luftë pa gabime nuk ka.
Askush nuk është i pagabueshëm.
Por aq i frikshëm duket gjykimi pa fakte materiale…
kur prova e vetme bëhen thashethemet politike.
A nuk duhen ADN, gjurmë gjaku, fotografi, prova?
Ti mund të jesh fajtor.
Por pa prova nuk mund të shpallesh fajtor.
…
PROTESTË
Si në një paradë folklorike, shqiptarët u bashkuan në protestë për ta.
Por ata nuk ishin të bashkuar mes vete – në gjykatë.
Vjosa Osmani ishte aty.
Dukej se tragjedinë e tyre po e përdorte si skenë politike, për edhe një mandat.
E ftohtë. E pashpirt. E kuqe. Shtrigë.
…
P.S.
Mua më ka shpëtuar jetën UÇK-ja.
…
AUTOKRITIKË
Ndoshta më mirë të isha vrarë në luftë.
Ndoshta… jo.
