Home » Shefqet Dibrani : Poezi: LUFTËTARI – LUFTA dhe LIRIA

Shefqet Dibrani : Poezi: LUFTËTARI – LUFTA dhe LIRIA

nga World Ks

Poezi: LUFTËTARI – LUFTA dhe LIRIA

(Në ditën e veteranëve)

Derisa luftëtari shkonte në luftë

Qentë poshtë lagjes lehnin

Mercenarë të tjerë zgërdhiheshin në televizion

Duke kërkuar paratë e mërgatës

Kur luftëtari qëndronte në istikam

Sojzitë në pijetore hanin kryet e vet dhe tredhnin qen

Me tu kthyer nga Beteja

Luftëtari shkoi për t’i përqafuar fëmijët

Atyre në pjatë për tua sjellë Lirinë?!

Dhe për t’iu treguar se gjymtyrët

kanë mbetur ndër beteja

Sojzitë qençe u kthyen për ta gllabëruar lirinë

Ngrënë pa bukë kanë, mish e suxhuk përzjerë me raki

Dhe kanë bërë gallatë me Veteranët

Gurmazi i tyre s’na la gjumë rehat me bërë

As për ta shijuar aromën e lirisë

Ne çuditërisht ma shumë iu besuam lehjeve

Edhe në çastin kur sytë na plasnin para plagës së luftëtarit

Kur dhembja dilte nga shpirti i Veteranit

Dikush zgërdhihej edhe në ceremoni mortore

Luftëtaret një nga një i kthyem ndër varre

Edhe veteranët dhe idealin e tyre e varrosëm

Bile bashkë me luftën që e fituan

Kurse futen e zezë ia qitëm Lirisë

Tash nuk dihet kush lehu e kush luftoi

Kush shtiu e kush tradhtoi

Por u mor vesh se Luftëtari jeton në asistencë

Ndërsa ne përditë pështyhemi në fytyrë

Nëpër sallone luksoze të atyre që tradhtuan luftën

Dhe pa pra po i fyejmë Veteranët

Tashmë zia ka mbuluar Atdheun e Lirë

Mëngjeset me kanata të hapura

Zbardhin ditët e reja me dhembje të moçme

Pastaj ne përseri me kokë ulur

Ia themi lamtumirën edhe një Luftëtari

Dhe vazhdimisht i shajmë Veteranet

Kur të kthehemi në pijetore

I gjejmë Veteranët e çmendur

në ditën e tyre

Skamje për barna e ilaçe ka Veterani

Ata s’kanë as bukë për fëmijët e tyre

Se dashurinë për gruan e jetën i lanë në luftë

Bashkë me gjymtyrët e trupit

Thonë se janë të privilegjuar Veteranet

Por banojnë në shtëpi me qira ku pika

Nga çatia bie si llomotitja për luftën

Sidomos kur rrëfejnë rrejshëm

Sehirxhinjtë e paqes së vrame?!…

*E shkruar në ditën e veteranëve për veteranët!

* Ilustrimi me ChatGPT

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment