Analizë – Halil Geci, 1 janar 2026, Prishtinë
Pse LDK duhet të reformohet urgjentisht për të mbijetuar në skenën politike
LDK sot ndodhet përballë një zgjedhjeje vendimtare: ose fundoset përfundimisht, ose ndërton një të ardhme të qëndrueshme në skenën politike të Kosovës. Humbjet e njëpasnjëshme nuk janë më rastësi, por pasojë e mungesës së rendit të brendshëm, e kaosit komunikativ dhe e shkëputjes së thellë nga baza tradicionale.
Së pari, LDK duhet urgjentisht të vendosë disiplinë politike dhe komunikim të unifikuar. Partia duhet të caktojë një zëdhënës zyrtar, i cili do ta përfaqësojë ekskluzivisht qëndrimin e saj në media. Të gjithë individëve të tjerë duhet t’u ndalohet të flasin në emër të partisë.
Derisa persona që nuk janë pjesë e LDK-së, por njihen publikisht për sjellje huligane, dhunë fizike apo për përfshirje në manipulime të votës së diasporës, dalin e flasin në emër të saj, dëmi politik është i pashmangshëm. Në këto raste, zëdhënësi i partisë duhet të dalë hapur dhe të sqarojë publikisht se këta individë nuk e përfaqësojnë LDK-në.
Po ashtu, disa deputetë apo ish-zyrtarë që janë përfshirë në skandale dhe raste dhune ndaj qytetarëve – si rasti i deputetit Armend Zemaj, i cili u përfshi në një incident fizik me një qytetar – vazhdojnë të shfaqen në media duke folur pa asnjë mandat politik nga partia. Këta individë nuk e përfaqësojnë LDK-në, por vetëm e përçajnë dhe e dëmtojnë atë.
Derisa kjo praktikë të mos ndalet, LDK do të mbetet peng i dhunuesve dhe i kaosit të brendshëm. Prandaj, partia duhet të dalë qartë dhe pa ekuivoke: të tregojë se kush flet në emër të LDK-së dhe kush jo. Vetëm kështu mund të rikthehet serioziteti politik dhe besimi i qytetarëve.
Së dyti, LDK duhet t’i kthehet bazës. Procesi i zgjedhjeve të brendshme duhet të nisë nga strukturat lokale, pa ndërhyrje të kryesisë qendrore. Një hap i domosdoshëm është kërkimi publik i faljes ndaj rugovistëve të përjashtuar, të cilët për vite me radhë mbajtën mbi supe identitetin politik të LDK-së.
Vetëm pas një procesi të tillë reformues, dhe pas këtyre zgjedhjeve, LDK duhet të fillojë përgatitjen strategjike për zgjedhjet e vitit 2030, me qëllim hapjen e rrugës për figura të reja dhe lidership të besueshëm. Në këtë proces, partia duhet të ketë qasje serioze, të sinqertë dhe pa nënshtrime ndaj rikthimit të figurave që sot përfaqësojnë trashëgiminë rugoviane në skenën politike.
Lista GUXO, Donika Gërvalla dhe Presidentja Vjosa Osmani duhet të kenë mundësi reale kthimi, duke garuar nga baza, pa skenarë të parapërgatitur dhe pa ndërskamca, për drejtimin e partisë. Vetëm një proces i hapur, demokratik dhe gjithëpërfshirës mund ta rikthejë besimin e humbur dhe ta bëjë LDK-në sërish konkurruese në skenën politike kosovare.
Së treti, LDK duhet të shkëputet përfundimisht nga shkatërruesit e saj politikë. Figura si Lutfi Haziri, Agim Veliu, Hykmete Bajrami dhe e gjithë kryesia aktuale duhet të largohen dhe të mos kenë më të drejtë kandidimi. Po ashtu, LDK duhet të heqë dorë nga çdo bashkëpunim me PDK-në dhe nga çdo tolerim politik ndaj Listës Serbe, e cila duhet të ketë vetëm atë hapësirë që ia garanton Kushtetuta e Kosovës – as më shumë, as më pak.
Së katërti, strukturat e vjetra të LDK-së duhet të rikthehen jo për ta kapur partinë, por për ta ndihmuar atë në ndërtimin e kuadrove të reja. Në krye të LDK-së duhet të vendosen profesionistë të ndershëm, të pakorruptuar dhe me kredibilitet publik, të aftë për ta rikthyer besimin e humbur të qytetarëve.
Në përfundim, pa këto ndryshime rrënjësore, LDK do të vazhdojë të tkurret deri në margjinalizim politik. Reforma nuk është më zgjedhje, por domosdoshmëri. Ose LDK e gjen forcën për t’u reformuar nga baza, ose historia do ta kujtojë si një parti që e humbi veten duke refuzuar ndryshimin.
Figurat e vjetra të LDK-së janë tashmë të harxhuara politikisht. Koha kur autoriteti i partisë mbështetej në emra dhe histori personale ka kaluar. Ibrahim Rugova është ndarë nga jeta para më shumë se dy dekadash dhe trashëgimia e tij nuk mund të përdoret si pronë private apo si kredencial automatik për poste politike.
Sot, disa individë përpiqen të legjitimojnë veten duke u fshehur pas emrit të Rugovës, duke thënë “Rugova më ka dashur” apo duke u thirrur në afërsi personale me të. Kjo qasje nuk ka më peshë politike dhe nuk përbën kriter për udhëheqje. As lidhja familjare dhe as njohjet personale nuk janë garanci për vizion, integritet apo lidership.
LDK ka nevojë për legjitimitet politik, jo për mitologji, për programe dhe ide, jo për nostalgji të instrumentalizuar. Partia nuk mund të ndërtohet mbi emra të konsumuar apo mbi trashëgimi të keqpërdorur, por vetëm mbi meritë, ndershmëri dhe besim qytetar.
Nëse LDK vazhdon të mbetet peng i figurave të së kaluarës dhe i interpretimeve subjektive të historisë, ajo nuk do të ketë të ardhme. Rikthimi i saj është i mundur vetëm përmes gjeneratës së re politike, të shkëputur nga klanet, mitet dhe interesat personale.
