Home » Poemë: RRËFIMI I VONUAR

Poemë: RRËFIMI I VONUAR

nga World Ks

Poemë: RRËFIMI I VONUAR

(Letër e pambaruar për Agim Ramadanin)

I.

Agim,

po të shkruaj sërish…

po të flas nga kjo anë e heshtjes,

nga kjo anë ku fjala më është bërë plagë,

ku premtimi më rëndon më shumë se sa dheu

që të mbulon Ty atje në Koshare.

Nuk po mundem, Agim…

Tashmë erdh pranvera e radhës

E unë, nuk të erdha as sivjet me këngën e premtuar.

Sepse fjala që ta dhashë më është bërë plagë,

dhe kjo plagë nuk mbyllet as me kohën,

as me harresën,

as me lutjen.

E di Agim…

Ti më pate kërkuar këngë.

E unë kur të premtova poezinë,

nuk bëra gabim.

E kam thënë edhe më parë,

por sot po e them më rëndë,

më thellë, as kjo poemë nuk të mjafton?!

Po kënga është për të gjallët, Agim,

për dasma, për lindje, për hare të shpërndarë në ajër,

jo për krismat që mbeten në eshtra,

jo për plagët që nuk i mbyll asnjë pranverë.

Po Kënga yte Agim është Liria…

Prandaj por rikthehem me këto fjalë lirike,

me këtë poemë që s’di ta këndojë,

po di të qajë, të këlthas,

po di edhe të rrëfejë për mallin tim.

sikur të të rrëfejë për herë të parë

para Zotit

dhe para frymës sate

para teje Agim, i agimeve të mia

Ty që je bërë njësh

me tokën e Kosovës

atje në Koshare.

II.

Më kujtohet ajo ditë…

jo si datë,

por si ditë pa datë në kalendar,

por si ndjenjë

që gëlon edhe sot,

kur fjala jonë ishte më e lehtë se vera,

dhe premtimet nuk kishin peshën e varrit.

Ti më kërkove këngë.

Ti më the:

“Kur të bie, më këndo!”

Unë vetëm qesha.

dhe ta premtova këtë poezi.

E pastaj ta premtova, edhe

këngën Agim…

Por tash si një poet

që nuk dinte çfarë ishte lufta,

se ne flisnim veç për Firore e Liri

dhe kemi folur edhe për suksese,

këtë fort mirë e di…

Dhe tani…

nuk mund të këndoj,

Nuk mundem Agim,

si një poet që nuk e diti se fjala e dhënë

një ditë do të bëhet bumerang.

Si shok me premtimin

e djallëzuar peng

e fjala, e vargu më bëhet prangë

sidomos sot kur nuk di të shkruaj këngë

dhe kur përballet e vërteta me

vargun që më robëron.

Kënga kërkon hare,

dhe unë atë ku ta gjej

nuk kam pasur kurrë gëzime

se kam vajtuar çdo pranverë.

Nuk kam ditur as t’i gëzohem flijimit,

as ta zbukuroj me fjalë

atë që më ka djegur përbrenda

i kam heshtur edhe Lirisë…

Prandaj heshtja më ka dërmuar

dhe heshtja ma hëngri edhe

vargun e poezisë…

III.

Tani,

sa herë dëgjoj krisma,

më duket se ti po më përgjigjesh,

Jo me fjalë,

por me atë bataren që ma premtove

për ditën e varrit tim.

Dhe unë me këtë letër kthyer në varg

në vend të një përshëndetjeje

të përqafoj miku im.

Dhe e shoh veten, Agim…

nën Dhé.

E ndiej peshën e dheut mbi fytyrën tënde,

po aq e rëndë është fjala për mua.

mbi tokën e shenjtë që sot

aq lirë bënë,

por turpi nuk tretet

e liria po na mallkon.

A nuk është ky ai mallkim?

Kur pran varrit tëndë përkulën

ata që nuk ishin me ty në luftë?!

A nuk është kjo një vdekje që më përsëritet

sa herë vjen pranvera jote?

IV.

Ti shkove drejt luftës

ndërsa unë çdo natë me ty bisedojë

në ato ëndrrat e mia të rënda,

shoh se si ti ma ke pikturuar varrin,

dhe një dritë që e di se do të digjet.

Unë mbeta

si një hije që nuk di të jetojë me dritën,

as dritën, as lumturinë e vet, as

nuk di të përdor furçën tënde…

atë që e le përgjysmë kur u nise për luftë.

Dhe më beso, Agim

as furça nuk është tharë,

as boja,

as kujtimi im për Ty.

Ëndrrat e pikturuara

që i le mbi një peizazh që sot quhet Liri.

shkëlqejnë në sytë e fëmijëve të tu

se shokët e gjallë tashmë janë zhbi.

Vetëm unë jam tharë brenda vetes,

duke e mbajtur këtë premtim në shpirt

si një gur mbi kraharor.

E unë…

as një varg nuk munda ta përfundoj

pa u dridhur,

pa të kujtuar përherë

o Agim!

V.

Në Rrasë të Zogut

zogjtë këndojnë ende.

A i dëgjon?

Ata nuk kanë nevojë për mua,

as për tekstin tim të vonuar,

as për këtë ndalesë që erdhi me vite.

Ata këndojnë

siç këndon toka për bijtë e saj,

siç këndon gjaku kur bëhet histori.

Por tani po e kuptoj:

nuk paskam pasur frikë

as nga varret, Agim…

por kam pasur frikë nga fjala,

nga premtimi i dhënë

i atyre që harruar të kanë.

VI.

Ti u bëre pjesë e tokës,

dhe toka u bë pjesë e lirisë.

Tash në Rrasë të Zogut

dhe në mbarë Kosovën

zogjtë përherë këndojnë

këngën për ty

dhe Karadakun tënd.

Dhe kjo më bënë krenar.

Sepse Ata kënduan këngën

pa tekstin tim.

që unë e mbaja në zemrën time,

të të kujtoja në pranverën tënde.

Zogjtë kënduan këngën për ty

E vargu im mbeti fjalë në shtegtim,

Siç mbetet kënga e zogut në flatrim.

Ti u bëre vetë rruga,

vetë ura, dhe Liria jonë,

vetë emri që sot thirret si betim

të përqafoj si agimin

o Agim!

VII.

Kanë kaluar vite…

dhe unë shkruaj gjithnjë e më rrallë.

E them sërish: më fal.

Jo pse nuk shkrova këngë,

por pse nuk e kuptova në kohë

se ti nuk kërkoje këngë.

Ti kërkoje kujtesë.

Ti kërkoje që fjala jonë të mos vdesë.

Dhe unë asnjëherë nuk heshta

dhjetë, pesëmbëdhjetë,

tash njëzet e pesë…

E sa vjet e mbaj kujtimin si plagë pa zë.

Sepse shoh se çdo vit më shumë

ti po hyn më thellë në tokë,

ndërsa unë po plakem, e plakëm

duke ikur nga ajo kohë.

Dhe në këtë largësi

po më humbet edhe fytyra jote…

zëri yt…

ecja jote vertikale.

Prandaj po të nisë këtë LetërPozi

Se më ka mbetur vetëm një gjë:

premtimi se gjithnjë të kujtoj,

e dot’ nuk do të harrojë.

VIII.

E pashë në Gjilan

kthimin tënd…

Ishte ai kthim

që nuk i përkiste vdekjes.

Sepse

Ti ishe në këmbë.

Në këmbët tua Agim!

Si të mos kishe rënë kurrë,

si të mos kishe vdekur.

Si shenjtët që nuk bien,

si ata që nuk i merr toka,

por i mban si dritë mbi vete.

Dhe të pashë

sa madhërishëm ishe ngritur mbi ne

për të na parë drejt e në sy.

Dhe në atë turmë,

unë isha më i lumturuari.

As nga sytë e tu të kaltërt

nuk pashë ndonjë pikëllim.

Sepse shikimi yt shqiponjë

u bë “Këngë e imja për ty Agim”

kurse unë të ngjalla në poezi

dhe këngën ua dedikova zogjve

që këndonin për ty Heroit tim

o Agim!

IX.

Kur pash se si Shukrija,

Të përqafonte me aq mallëngjim

dhe në atë dhembjen e mallin tim,

u thye çdo fjalë brenda meje

dhe u bë varg i kujtimit për Ty.

U gëzova kur ty e Shukin

në atë përqafim të ngrohtë ju pash

dhe u ndjeva i ligështuar

para dhimbjes së saj

dhe para madhështisë sate.

Që atëherë kur erdhe në Gjilan

premtimin që kam në zemër

po e shndërrojë në fjalë,

varg i dhimbjes

që nuk do të pushoj më.

X.

Agim,

po të shkruaj që të rrëfehem…

por nuk po çlirohem as nga kjo poezi.

Sa më shumë shkruaj,

aq më shumë të kujtoj,

pasi kjo nuk është kënga

as poezia.

Është një rrëfim i vonuar,

një zë i brendshëm që u zgjua

kur gjithçka kishte heshtur

por unë nuk të kam harruar.

Koha kalon, Agim…

por jo për ty.

Ti lart qëndron mbi tokë,

e rritesh më lart në kujtesë.

Ndërsa unë,

sa më shumë jetoj,

aq më shumë të kujtojë,

prandaj kjo poemë-këngë

është premtimi për fjalën e dhënë.

XI.

Sot nuk po të këndoj.

Po të shkruaj LetërPoezi

Sepse kjo është e vetmja mënyrë

që di për të mos vdekur krejt.

E nëse një ditë vij tek ti…

mos më prit me batare.

Mos ma pikturo varrin.

Tash unë të them

unë e mbajta premtimin.

Le të jetë ky vargu im

heshtja jonë e fundit

më e rëndë se çdo krismë

siç është jeta pa ty.

Kjo është kënga ime e thyer,

këngë pa melodi,

kënga që nuk kërkon duartrokitje,

por e shpreh admirimin tim

që kam edhe sot për Ty.

XII.

Dhe nëse më fal…

(siç e di që do të më falësh),

atëherë le të mbetet ky

rrëfim imi i vonuar

si këngë e vetme për ty.

Le të shndërrohet heshtja jonë

në këngë gëzimi

më e fortë se çdo krismë.

Është kumt,

le të bëhet kjo poezi

varri im i dytë,

dhe unë ma në fund

aty do ta varros trishtimin.

Por vargu i mikut që mbeti gjallë

dhe diti si ta mbajë atë fjalë,

Jo me këngë heroizmi

por me poezi epike që

si një kujtim i gjallë

do të lexohet, e lexohet

gjerë në mëngjesin e nesërm

Agim Ramadani…

XIII.

Sepse në fund, Agim…

ti e di më mirë se unë:

dikush duhej të flijohej,

që të tjerët të mësonin të jetojnë-

dhe disa prej nesh

të mos harronin

se çfarë na falën

Heronjtë tanë.

Dhe ti…

e di, Agim:

se dikush duhej të bëhej dritë,

që të tjerët të mësonin

si të dalin nga errësira.

Dhe të jetonin

në Lirinë tënde

o Agimi

i agimeve

tona…

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment