Home » NJË MBRËMJE NË SHTËPINË E BARDHË QË ZBULOI SHUMË

NJË MBRËMJE NË SHTËPINË E BARDHË QË ZBULOI SHUMË

nga World Ks

Shkruan Halil Geci

Mbrëmë, para gjithë botës, u shfaq një burrë i urtë, fisnik dhe i vendosur, që dëshmoi para këtij planeti të vogël se liria dhe Amerika janë vlera që duhen mbrojtur. Nga ana tjetër, ndodhi diçka e pazakontë: nikoqiri e përzuri mysafirin nga shtëpia e tij – një shtëpi që Zelensky e quante simbol të lirisë.

Kjo që pamë nuk do të duhej të ndodhte, as në një shtëpi të zakonshme e jo më në Shtëpinë e Bardhë, e cila për shqiptarët ka qenë gjithmonë busulla e orientimit politik dhe demokratik.

Dikur, Shtëpia e Bardhë digjej nga protestat e mbështetësve të Trumpit; sonte ajo u dogj nga paaftësia për të drejtuar lidershipin global. Për një moment, ishte e vështirë të dallohej nëse ishim duke parë Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë apo Kullën e Çausheskut në Rumani.

Pavarësisht kësaj ngjarjeje, Donald Trump dhe JD Vance patën përballë një burrë të vërtetë, jo me dy armë si Isa Boletini, por me armën e lirisë – një hero të kohëve moderne, Presidentin Volodymyr Zelensky. Përballë tij ishte Trump, një lider që preferon të nënshtruarit për t’u marrë pasuritë.

Jemi të bindur se gjeopolitika globale po ndryshon, duke riformatuar aleancat dhe interesat strategjike. Por kur hapur kërkohet copëtimi dhe shkatërrimi i një shteti për interesa Ruso-Amerikane, kjo është e papranueshme.

Cila do të jetë pozita e Kosovës?

Ne shqiptarët kemi pasur dhe kemi një orientim të qartë – shtetin, lirinë dhe demokracinë. Deri më sot, Amerika ka qenë udhërrëfyesi ynë. Por si do të sillet ajo me ne në të ardhmen? Kjo mbetet për t’u parë. Evropa, ndërkohë, ka treguar mungesë aftësie për të zgjidhur çështjet brenda oborrit të saj.

Megjithatë, nuk kemi humbur ende shpresën te Shtëpia e Bardhë, që për shqiptarët mbetet shtëpia e lirisë. Shpresojmë që Kosova të mos përjetojë të njëjtin trajtim që Zelensky mori nga Trump. Interesi ynë është të mbetemi përkrah Amerikës, por mbetet të shihet nëse edhe Amerika do të qëndrojë në krahun tonë.

Reagimi i Britanisë dhe BE-së ndaj sjelljes së Trumpit ndaj Zelenskyt ishte i fuqishëm dhe i vendosur. A ka filluar edhe Evropa ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës? Deri tani, ajo ka qenë e padrejtë me ne – me sanksione dhe me mosnjohjen nga pesë shtete anëtare.

Në këtë moment kritik, shqiptarët duhet të bashkohen – pozitë dhe opozitë – dhe të flasin me një zë. Përndryshe, rrezikojmë të mbetemi të papërfaqësuar dhe të pambrojtur në arenën ndërkombëtare

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment