Sot, në përvjetorin e shtatë të ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministra, zëvendësministra, deputetë, veprimtarë dhe aktivistë, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta pranë varrit të tij në Prishtinë.
Kryeministri Kurti tha se “Adem Demaçi është disidenti më i madh evropian që nga Lufta e Dytë Botërore. 28 vjet në burg – i pathyeshëm, i palodhshëm, i pandalshëm.” Ai përkujtoi sakrificën e tij të jashtëzakonshme, duke theksuar se “pas secilës burgosje e dënonin më shumë, e mbanin më gjatë: fillimisht 3 vjet, pastaj 10 vjet, mandej 15 vjet.”
Duke e cilësuar si “mendja e fuqishme dhe zëri i guximshëm”, Kryeministri nënvizoi se Demaçi ishte ai që “si askush tjetër i artikuloi interesat kombëtare dhe politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.”
Për veprën dhe kontributin e tij në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, në dhjetor të vitit 1991, Adem Demaçi u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Sakharov për Lirinë e Mendimit”, duke u radhitur përkrah figurave botërore si Nelson Mandela.
“Adem Demaçi ishte kështjella që e donte urën dhe luftëtari që e donte paqen”, ka thënë Kryeministri Kurti, duke kujtuar edhe angazhimin e tij për bashkëjetesë, paqe dhe drejtësi.
Kryeministri Kurti përmendi edhe trashëgiminë letrare të Bacës Adem, duke u bërë thirrje gjeneratave të reja që “leximin ta fillojnë me librin ‘Dashuria kuantike e Filanit’, pastaj me ‘Libër për Vetëmohimin’ dhe sigurisht me ‘Gjarpërinjtë e Gjakut’.”
“Adem Demaçi ishte vetëmohim me paramendim. Ai e dinte që populli i shtypur ekziston për aq sa reziston. Ai është veprimtari më unik që kemi pasur sepse është veprimtari më autentik që mund ta imagjinosh. Prehet i qetë sepse jetoi përnjëmend,” përfundoi Kryeministri Kurti.
Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Adem!






