Shkruan Rexhep Thaqi
Ky takim mes Ramush Haradinajt dhe Richard Grenellit, një figurë e njohur për afrimin e tij me Serbinë dhe përkrahjen e Vuçiqit, është një goditje për interesat e Kosovës dhe aspiratat e saj euro-atlantike. Është e papranueshme që një lider politik i Kosovës të ndjekë rrugën e bashkëpunimit me individë që kanë minuar vazhdimisht pavarësinë dhe sovranitetin tonë.
Ramush Haradinaj, i cili pretendohet të jetë një figurë patriotike, po shfaqet gjithnjë e më shumë si një politikan i etur për pushtet, i gatshëm të bashkëpunojë me figura që kanë qenë haptazi kundër interesave të Kosovës. Takimi me Grenellin, i cili ka qenë një ndër zërat më të ashpër kundër reciprocitetit dhe masave mbrojtëse të Kosovës ndaj Serbisë, tregon se interesi personal dhe politik i Haradinajt po mbizotëron mbi interesin kombëtar.
Kosova nuk ka nevojë për liderë që ulen me miqtë e armiqve tanë dhe bëjnë pazare politike në kurriz të sovranitetit të vendit. Qytetarët e Kosovës duhet të mbajnë mend këto momente dhe të mos lejojnë që figura të tilla të vendosin fatin e tyre. Koha është për një politikë të ndershme, të vendosur dhe të përkushtuar ndaj interesave të popullit dhe jo të individëve.