Home » MISIONARI I PAQES I Ibrahim Rugovës

MISIONARI I PAQES I Ibrahim Rugovës

nga World Ks

Shkruan : Shefqet Dibrani

Misterioze Dardania me atë qiell të vrenjtur

udhët e saj kërkojnë Shpëtimtarin

nga gjëma dukej se ra tërmeti

qielli me yje ngrysi mortin atë ditë atë natë

na ngurtësoi zia

kudo në botë u hap pikëllimi ynë për

Misionarin e Çështjes

që ra si lisi mbi tokë

dënesa u ndje gjatë, trishtimi i kaploi jo vetëm të gjallët

Nga toka në qiell të janarit shkoi pikëllimi

u mërzitën engjëjt në dimrin e ashpër përplot acar

u tundën ndjenjat siç tranden nga tërmeti trojet

çaheshin akujt dhe akuj zemra jonë

binte dhembja copë-copë nga përflakja e mbufatur

mbi gjokset djaloshare

kurse lulet këputeshin nga shtrëngimi

në duart e ngrira fëminore

Përkulje o Zot para tempullit, dashurisë

para urtësisë, para mirësisë

Erdhi erë e fortë siç sjell çdo herë janari

me ngrica zemre plot thepisje akujsh

ranë iluzionet, loti piku në tokën e dhembjes

e dhembjes s‘i vinte keq pse prishi dashuritë, shpre-sën

deri sa jashtë në acar fikej një qiri,

në vend të tij një tjetër ndizej

Ty që nuk pate armë, pate fjalët që shkreptinin si armë

Të qoftë bekuar fjala, besnik i madh i saj!

II.

Hyre si Engjëll në thellësinë e shpirtit dhe dalëngadalë

heshtur e butësisht bëre strofull në zemrën e njeriut

askush s’të kuptoi sa thellë ishe futur në rrënjët tona

Ujana që sillte ujëra të turbullta u bë ujëvarë e kthjelltë

ku zbardhëllente ardhmëria gjithë kristale dhe dritë

Skamja jonë matej me një kothere buke e një kokërr kripe

në pranverë zakonisht hanim një copë ëndërr me një gjeth

qepe, një kokë hudhre na bënte mirë,

sidomos për sytë, por ruheshim

nga fqinjët të mos na binte goja erë dhe humbëm udhën

në oborrin tonë për vite nuk pamë dritën pas derës por

shkëlqimin e thikës barbare që na rrinte mbi kokë

Shpresën kishim humbur se do ta arrijmë shekullin tonë

e për çudi as ky shekull s’qenkësh yni

na paska grabitur emri dhe misioni i një profeti

që vazhdimisht thyente arra netëve të gjata

e dimrave me borë

Të atyre dimrave alpinë që bën rrasat e akullit

dy metra të trashë, të cilat gjithmonë na rrinin mbi ëndrra

Acar dimëror ku ngrihej sqepi i shqiponjës

pastaj as dielli i verës nuk i çmpinte kurrizet tanë

sepse siç thamë: thika na rrinte mbi kokë dhe

këmbët na pikonin gjak

Ty që nuk pate armë, pate fjalët që shkreptinin si armë

Të qoftë bekuar fjala, besnik i madh i saj!

III.

Ndër përroska gurgullima e ujit vazhdimisht prishte

qetësin e poetit që kërkonte metaforën

e besimit të fjalës apo tradhtisë

Shemra na rrinte në tehun e shpatës, në çatitë tona

kurse kumria këndonte në pranverë

lejlekët pastronin moçalet e mbushura përplot bret-kosa

Ujana e madhe kishte mbuluar pusin e dashurisë

shpresën për të tashmen dhe të nesërmen që nuk po vinte

e kaluara ishte lanë në harresë

Por rrodhën yjet nga qielli dhe mbushën grushtet to-na

dhe ja çova këtë rrëke yjore Engjëllit tim

atij që mbron jetën time

ardhmërinë e tim biri të sapo lindur, kurse Durimi

që moti ka shkuar të bëjë homazhe mbi trupin tënd

te vona ishte pagëzuar në uratën tuaj që e përsërisje

në çdo fund jave gjatë gjithë shekullit,

gjatë gjithë dashurisë

Kortezhi hyjnor sjell mes reve shpirtin tënd, po funerali

i trupit kurrë s’do të soset si në romanin e Visar Zhitit

që kishte parë vdekjen mes rrathëve danteskë në ato kodra

ku s’kishte bar e as hënë se ishte tharë gjithçka si kafkë e

funerali ikte, linte pas varreza, kurse në arkëmort,

më në fund, në epilog u zbulua se ishte brenda

i gjalli që shkruante

Tevona ne u zgjuam sot pak më vonë dhe temperatura

minus 17° C na i ngriu shpresat si kristalierë mortore

tevona neve nuk na bëhet vonë edhe nëse funerali

shtyhet për nesër, i themi mikut tonë Visar Zhitit,

sepse ka dy mijë vjet që “funeralin e pafundmë” e

ndjekim nga pas, teksa heronjtë i vargojmë në robëri

Je i pari Engjëll që ke marrë udhë drejt Kodrës me

Diell ku tani do të prehesh në përjetësi,

se përjetësia është thjeshtë bashkim tatuazhesh,

çastesh… ëndrrash më shumë.

Shpirti yt, e di, nga qielli do të shndritë sofrën tonë

te vona ne nuk zgjohemi se në Barakën ku kryeje

meshën e fundjavës aty ku predikimet i bëje Ti

Misionari Ynë

tani meshtar është hija jote dhe prapë predikon, se ne

nuk e njohim atë që nuk njeh as Zot, as qiell,

as tokë, as Atdhe

bastardin e fjalës së parë e të fundit, i të shkruarës dhe

të pashkruarës, por ishte lutja jote që pagëzoi lirinë.

Te vona ne dimë t’i shajmë vitet e tjetrit,

kur është i madh,

sidomos atëherë kur nuk është në mesin tonë

bile më lehtë ia pshurrim varrin, po ne i falemi Fjalës

që na fale, ah, sikur ta dimë atë Fjalë-Uratë

që të mundemi, të mundemi të falim,

të mundemi të fitojmë

duke mbetur shqiptarë

E për ty që s’kishe armë çdo fund jave kishe fjalë lut-jesh

e sikur ato t’i mori Kryqi dhe Amenin tuaj ne na fali

Ty që nuk pate armë, pate fjalët që shkreptinin si armë

Të qoftë bekuar fjala, besnik i madh i saj!

IV.

Engjëlli Ynë u shkëput dhe kaloi mëtanë ku nuk flitet më

na kundron si atëherë kur i kthenin shpinën dhe i miratonte

e vazhdimisht kërkonte fuqinë e fjalës, Durimin

Edhe kur ishte rob, megjithëse ndjehej Zot

mes atyre që flisnin edhe kur nuk duhej

e kur askush nuk i pyeste flisnin dhe s’e di në e dinin që

kështu krijonin zhurmë e potere

e nëpër ato vorbulla krimi vazhdimisht guxonte

të bënte krim më shumë

tani diellin pranveror po e presin ata të cilët ky acar ua

ka ngrirë këmbët, por jo ecjen, e kemi nga ty Zoti President

ndanë luleve si mirënjohje e përhershme që ndanë varrit

do të sjellim vazhdimisht për ta kryer ashtu si ritualin tënd

të fundjavës kur predikoje si paqen misionin tonë

Tani je futur në zgafelle mermeri atje shtatë pashë si në

folklor nën dashuritë tona dhe ngjitur je po aq,

madje dhe më shumë në ardhmërinë e përbashkët

plot me obeliskë mermeri.

Por gjithkah shndrit nuri juaj, dashuria dhe fjala që na le

pas në këtë antikitet akullnajash

përplot thashetheme ballkanike dhe marrëzira mo-derne

Orakujt nuk bien nga qielli kurse Djalli

vazhdimisht nga toka del

nga kjo tokë që të mban lidhur si Anteun

peng e nuk të lë të vdesësh

as nuk të le të mërgosh përtej pusit pas të cilit

janë lidhur përjetësisht anijet

ato të cilat transportojnë paqe e pavarësi

tani shumëçka vjen nga qielli qoftë edhe nga gozhda e

ndryshkur në mileniumin prehistorik

mbetën metaforat që interpretohen

në secilën kohë biblike

tek e fundja thyhen qypat

pse kanë fshehur thesare arkeologjike

atëherë kur shirat lagnin dherat që

do të bëheshin atdhe

atëherë kur binin meteorët

dhe tani dymijë vjet pas Krishtit Misionar

parak në hapësirën

Dardane që armë të vetme pate fjalën

andaj çdo gjë që arrihet me fjalën, mirësitë e saj,

të takojnë dhe Ty Misionar

që ndoshta jo rastësisht erdhe në tokën Dardane

Ty që nuk pate armë, pate fjalët që shkreptinin si armë

Të qoftë bekuar fjala, besnik i madh i saj!

Vërtet nuk pate armë, por fjalët që shkëlqejnë si arë

Mirënjohje për bereqetin e së mirës, që po i mbush sofrat tona!

V.

Të gjithë e kuptuam se ishe kalimthi në këtë botë

për të rrëfyer misionin e së mundurës edhe kur

është e pamundur, si ata që falin edhe kur nuk falet,

pastaj shpirti Yt në qiell te Zotat shkoi

apo në mendjet tona, në bisedat dhe bëmat, prandaj ne

hapëm krahët si qielli dhe të morëm si qielli,

i yni ishe

si Ati ynë!

Amen!

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment