Hape gjirin,Dardania ime
ma bëj një varr se ja, prapë u ktheva,
mos qaj për mua, trime mbi trime
sot për së treti për ty u leva!
Për lindje t’ parë shkrepe armë për mua
u linda s’ dyti kur shkrepa për Ty,
si shqiponjë,zemërdragua
s’ treti në gji tëndin do flladis sy.
Nuk ju dua jo, lotë në faqe
nanë e dashur, o e imja motër
gjaku im mbiftë manushaqe
filiza arbërorë në secilën votër!
Menduan se m’ vranë e m’ zhdukën krejt,
s’ më dinin zgalem që mbij nga hiri,
pa u kthyer prapë s’ m’ u tretën dejt,
pa ta ndje,Dardani, atë aromë gjiri.
Sa herë trupin ma shponte fërfëlliza,
sa herë gonxhet çelte behari
“m’ fliste” Flakëkuqi, trimat me plisa:
“ Jo, për Atdhe s’ qahet i vrari!”
Vuajtjen e juaj ma sillnin ngricat, shirat
që me vite trupin ma rrahnin fort,
fitova prapë mbi egërsirat
-M’ varrosni me festë, nënë, mos mbani mort!
Këtu ku deh erë Shqiptarie,
ku shqip qava, qesha m’ varrosni, nënë,
ku zogjtë këndojnë veç këngë trimërie
e Zoti na dha çelës e dry për qiell e hënë!
VIOLETË KADRIU, 21 Shkurt, 2026
PODUJEVË
