Home » Letër e hapur për LDK-në

Letër e hapur për LDK-në

nga World Ks

Shkruan: Halil GECI

Kjo letër nuk është thirrje për hakmarrje. Është thirrje për ndërgjegje. Një apel për dinjitet.

LDK nuk mund të vazhdojë të mbyllë sytë para së kaluarës — plagët nuk shërohen me harresë, e aq më pak me koalicione të rrezikshme.

LDK duhet t’i qëndrojë parimeve, jo të kthehet te aleancat e errëta.

Gjaku i atdhetarëve nuk është për pazare politike.

Bashkëpunimi me PDK-në dhe Listën Serbe do të dëmtonte themelet mbi të cilat është ndërtuar LDK-ja — vizioni i Rugovës kërkon pastërti politike dhe përgjegjësi shtetërore. Koalicioni me këto dy parti, të njohura për përfshirjen në vrasjet e aktivistëve të LDK-s, do të ishte fyerje për çdo dëshmor dhe tradhti ndaj vetvetes.

Një thirrje kundër hipokrizisë politike:

Kur ata që dikur na vranë sot quhen partnerë të LDK-së, kjo nuk është thjesht një gabim politik — është tradhti ndaj atyre që u vranë vetëm pse ishin mbështetës të LDK-së dhe të vizionit të Presidentit Ibrahim Rugova.

Në politikën e Kosovës, shumëçka është parë e dëgjuar, por pak gjëra e kanë lënduar më shumë ndërgjegjen e këtij populli sesa koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së. Ajo që dikur ishte vijë e pakalueshme morale, sot kapërcehet lehtë për pak pushtet më shumë.

Ne, si familje dhe si vëllezër që kemi dhënë gjithçka për Lidhjen Demokratike të Kosovës, kurrë nuk e kemi parë LDK-në thjesht si një parti politike. Për ne, ajo ka qenë një ideal. Luftuam për të, rrezikuam jetën, sakrifikuam familjen, humbëm shokë e miçë të ngushtë — por nuk u dorëzuam.

Në ditët më të errëta, mbajtëm flamurin e saj lart, me besnikëri të palëkundur ndaj vizionit të Presidentit Ibrahim Rugova — pa kompromis, pa interes, vetëm me përkushtim.

Pikërisht atëherë kur menduam se idealet po mbroheshin, u ndjemë të tradhtuar — atëherë dhe sot — nga kryesia e asaj kohe dhe kjo aktuale e LDK-së. Kjo parti nuk gjeti të arsyeshme të sigurojë as një vend në parlament për një përfaqësues nga Drenica, e për ne, as që ia vlen të flitet.

Në kulmin e përplasjeve politike gjatë kohës së luftës, ndodhi një nga goditjet më të rënda për ne, Vëllezërit Geci: komunikata famëkeqe nr. 59. Ajo ra mbi ne si një bombë e papritur, duke na etiketuar padrejtësisht — e, më së tepërmi, vëllain tonë, Ganiun. Ai u sulmua me gjuhë të rëndë dhe pa asnjë bazë.

Për këtë do të flas në një shkrim të veçantë, ku do të trajtoj përpjekjet e disa grupeve të lidhura me oponentë të LPK-së, të cilët më vonë u konvertuan në PDK. Këto grupe kishin paguar individë për të na eliminuar si vëllezër, duke u mbështetur në narrativën e rrezikshme të komunikatës nr. 59.

Kjo komunikatë hapi rrugën për një atentat të rëndë: Ganiu mbeti i plagosur, ndërsa dy shokët e tij, Besim Dajaku dhe Bekim Kastrati, u vranë. Ata nuk ishin thjesht truproje — ishin bij të këtij vendi, luftëtarë të përkushtuar për lirinë e Kosovës, njëkohësisht të përkushtuar ndaj LDK-së dhe vizionit të presidentit Ibrahim Rugova. Të dy ranë në mbrojtje të një ideali, duke dhënë jetën për një Kosovë më të drejtë dhe më të lirë.

Të gjithë e dinë prej kah kanë ardhur këto goditje. Fatkeqësisht, në vend që LDK-ja t’i mbështeste ata që e kishin mbrojtur me jetën, ajo zgjodhi përjashtimin e Gecve . Përjashtimi ynë nga partia nuk ishte pasojë e gabimeve tona, por rezultat i ndikimeve dhe kompromiseve politike të errëta.

Emra të njohur brenda LDK-së morën pjesë në një lojë të fshehtë dhe të pandershme kundër nesh. Një marrëveshje e heshtur mes disa oponentëve kyç të LDK-së dhe PDK-së kishte për qëllim largimin e Gecëve nga LDK-ja, me arsyetimin se vetëm kështu do të mundësohej një bashkëpunim pa pengesa. Mesazhi ishte i qartë: “Largojini Gecët, dhe askush nuk do t’ju prekë.”

Qëllimi pas këtij plani ishte edhe më i rëndë: të na zhdukeshim fizikisht, duke inskenuar gjithçka si një konflikt privat, në mënyrë që të fshiheshin motivet politike pas atentateve. Për këtë, kishin përzgjedhur si figurë qendrore Sabit Gecin dhe rrethin e tij. Fatkeqësisht, pasojat ishin të dhimbshme — humbëm miq e shokë, dhe vëllezërit tanë mbetën të plagosur.

Por, me ndihmën e Zotit dhe besimin në të drejtën tonë, jemi ende këtu — më të fortë se kurrë, të vendosur ta çojmë përpara të vërtetën dhe idealin për të cilin kemi sakrifikuar.

Sot, kur në opinion po rikthehet diskutimi për një koalicion të mundshëm mes LDK-së dhe PDK-së, kjo plagë e vjetër vetëm sa thellohet. LDK-ja duket se po synon rikthimin në pushtet përmes një aleance të re me PDK-në, madje edhe duke mos përjashtuar mbështetjen e Listës Serbe — duke harruar kështu dhimbjen dhe pasojat që na shkaktuan po këta partnerë në të kaluarën.

Çfarë vlere kanë sot parimet? A ka mbetur më asgjë nga ai që Ibrahim Rugova përfaqësonte?

Kjo letër nuk është thirrje për hakmarrje. Është thirrje për ndërgjegje. Një apel për dinjitet.

I drejtohemi deputetëve që ende besojnë në ndershmëri — përfshirë edhe mbesën tonë, Marigonën, që përfaqëson Vitinë në Kuvend. Nëse ky koalicion bëhet realitet, kërkojmë me respekt që të mos japin votë për një marrëveshje që lëndon kujtesën, viktimat dhe të vërtetën.

Nuk besoj se LDK, duke iu shmangur koalicioneve me parti të caktuara, do të humbasë në politikë — përkundrazi, ajo do të nderojë të rënët dhe do të bashkojë të gjallët.

LDK e ka humbur dinjitetin kur u bë patericë e PDK-së, pikërisht e asaj pjesë që lidhesh me ekipin vrastar të atyre nga Haga. Kur humbet dinjiteti, nuk të mbetet më asgjë tjetër.

Pikërisht këto bashkëpunime dhe koalicione të LDK-së me PDK-në e kanë sjellë këtë parti në vendin e tretë, në buzë të fundosjes politike. Mashtrimet që u janë bërë votuesve të saj nga drejtuesit e partisë – të cilët në fushata betoheshin se “kurrë me PDK-në”, por pas zgjedhjeve shkonin në qeveri me ta – e kanë gërryer besimin e elektoratit dhe e kanë dëmtuar rëndë identitetin e LDK-së.

Këto lëvizje të pabesueshme, që u përsëritën në disa cikle zgjedhore, janë arsyeja kryesore pse sot LDK është kaq larg fuqisë që dikur kishte. Janë këto tradhti politike që e kanë çuar në buzë të humnerës.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment