Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim dy kongresistë amerikanë, republikanin Mike Turner dhe democratin Donald Norcross, të dy anëtarë të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe Komitetit për Shërbime të Armatosura në Kongresin amerikan.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, fokusi i bisedës ka qenë forcimi i partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Kurti ka theksuar se në katër vitet e fundit mbi 1,000 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në programe trajnimi në SHBA, përfshirë West Point dhe U.S. Army War College. Ai kujtoi edhe faktin se Kosova ka pritur tri herë radhazi ushtrimin ndërkombëtar “Defender Europe”, ndërsa gjatë edicionit të vitit 2025, Komanda e Divizionit të 28-të të Këmbësorisë së Ushtrisë amerikane ishte e vendosur në aeroportin ushtarak në Gjakovë, nga ku ka drejtuar operacionet në gjithë Evropën Juglindore.
Në aspektin e investimeve mbrojtëse, Kurti ka përmendur blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane, përfshirë sistemet anti-tank Javelin, si dhe nënshkrimin e marrëveshjes për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA, që e vendos Kosovën në mesin e 33 shteteve me këtë nivel të besueshmërisë.
Po ashtu, në takim është biseduar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në sektorin e energjisë, teknologjisë dhe projekteve të mëdha infrastrukturore, përfshirë ato hekurudhore.
Kurti ka theksuar se Kosova po shënon përparim të qëndrueshëm ekonomik dhe demokratik, i reflektuar në raportet e organizatave ndërkombëtare, dhe ka ripërsëritur synimin e vendit për integrim euro-atlantik dhe anëtarësim në NATO e BE.
Ai ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe rolin e saj historik në shtetndërtimin e Kosovës.
