Shkruan : Hafiz Gagica
Kuvendi i punës i LDK-së në Prishtinë duhej të ishte një moment reflektimi dhe përgjegjësie. Në vend të kësaj, ai u shndërrua në një proces formal që synoi të konfirmojë status quo-në, pa u përballur me krizën reale politike dhe organizative të partisë.
Rezultati i këtij takimi nxori në pah një të vërtetë të pakëndshme, një lidership që, edhe pse i prodhuar nga procese të kontestuara zgjedhore në degë e nëndegë, nuk gjeti forcë as vullnet për ta lexuar mesazhin e anëtarësisë dhe delegatëve, por zgjodhi vetëkënaqësinë si strategji mbijetese.
Kur pothuajse gjysma e delegatëve votojnë për largimin e kryetarit, në rrethana ku shumica janë përzgjedhur gjatë mandatit të tij, ky nuk është sukses politik, por alarm i qartë. Pranimi i këtij rezultati si legjitimitet për vazhdimin e mandatit, pa asnjë akt reflektimi apo përgjegjësie morale, e gërryen rëndë besimin në demokracinë e brendshme të LDK-së.
Trashëgimia e LDK-së nuk është dekor retorik, por obligim politik. Anëtarësia ka vëzhguar me durim, sot ajo priste drejtim, sinqeritet dhe guxim për ndryshim.
Partitë që nuk mësojnë nga sinjalet e brendshme, zakonisht i lexojnë shumë vonë verdiktet e qytetarëve.
