Me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, diskutuam për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe përparimin demokratik e rritjen ekonomike të vendit në katër vitet e fundit.
Kosova po bën progres si shtet i pavarur e republikë demokratike, e krahas zhvillimit ekonomik, po zbatojmë reforma të rëndësishme e avancojmë në shumë fusha, përfshirë sundimin e ligjit e sigurinë, tregues këta se vendi ynë meriton të bëjë hapa të mëtejshëm përpara në rrugëtimin e saj evropian.
Bashkë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i dorëzuam Presidentes von der Leyen edhe tre letra zyrtare ku shprehim interesin e Kosovës për të nisur dialogun strategjik në tre sektorë kyç: Bujqësi, Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit (TIK), si dhe Industri të Mbrojtjes.