Si me 10 shkurt 2007, ne qëndrojmë në të drejtën tonë. 19 vjet më parë, në Prishtinë u bashkuan mijëra qytetarë për të kërkuar vetëvendosje, liri me të drejta, pavarësi me sovranitet dhe një shtet demokratik. Ishte kjo vazhdimësi e protestave të brezave të tërë që nuk u pajtuan kurrë me padrejtësinë.
Atë ditë, ne kundërshtuam paqësisht një projekt që cenonte demokracinë, barazinë dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Dhe pikërisht atë ditë, dhuna u përgjigj ndaj kërkesës sonë politike. Vetëm 8 sekonda pasi hedhi sasi të mëdha të gazit lotsjellës, policia ndërkombëtare e UNMIK-ut shkrepi plumba të gomës që morën jetën e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, të cilët ranë dëshmorë të rrugës së vetëvendosjes, në marshin drejt Sheshit Skënderbe i cili u bllokua në rrugën “Nëna Terezë”.
Sot e kësaj dite ne shohim që kritika e protestës së 10 shkurtit 2007, fjalët e asaj proteste vazhdojnë të jenë sfida institucionale të shtetit tonë. Padrejtësitë e kundërshtuara asokohe vazhdojnë të shkaktojnë pengesa në shtetndërtimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.
Moni dhe Arbeni janë pjesë e themelit politik mbi të cilin qëndrojmë sot. Asnjë imunitet nuk mund ta fshijë përgjegjësinë, dhe asnjë dhunë nuk mund ta ndalë drejtësinë.
Sot, si atëherë, ne qëndrojmë të vendosur: për vetëvendosje, për demokraci, për republikë. Për vullnetin e shumicës, për të drejtat qytetare dhe të pakicave. Kjo është rruga jonë. Kjo është rruga e Kosovës.
Lavdi Mon Balajt dhe Arben Xheladinit! Lavdi dëshmorëve të lirisë dhe të demokracisë!
