Ky është një moment që, sipas bindjes sime, Kosova nuk guxon ta trajtojë si një episod kalimtar diplomatik. Mbështetjet e qarta dhe të fuqishme që po vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania janë dëshmi se Kosova vazhdon të mbetet pjesë e agjendës strategjike të botës demokratike. Pyetja thelbësore sot nuk është nëse kemi mbështetje, por nëse dimë ta shndërrojmë atë në përfitim real dhe të matshëm për shtetin tonë.
Këto mbështetje mendoi se duhet të materializohen urgjentisht përmes një qasjeje më aktive, më të koordinuar dhe më strategjike në diplomaci, sidomos ndaj shteteve që ende hezitojnë ta njohin Kosovën. Çdo forum ndërkombëtar, çdo iniciativë për paqe, çdo partneritet politik apo ekonomik duhet parë si mjet konkret për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit dhe për rritjen e pranisë së tij në qendrat vendimmarrëse globale.
Historia e afërt ka dëshmuar se kur Kosova ka qenë e harmonizuar me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, ka arritur hapa vendimtarë në konsolidimin e shtetësisë dhe në avancimin e interesave të saj. Gatishmëria e vendeve mike për bashkëpunim tregon se mbështetja për Kosovën nuk është e rastësishme dhe as e përkohshme. Edhe në periudha paqartësish apo debatimesh të brendshme, vendi vazhdon të ketë partnerë që e shohin si faktor stabiliteti, sigurie dhe bashkëpunimi në rajon.
Në këtë fazë vendimtare, Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për vazhdimësi, maturi dhe konsistencë në politikën e jashtme. Stabiliteti institucional është parakusht për besueshmëri ndërkombëtare. Vazhdimësia në drejtimin e shtetit dhe forca e institucioneve do të sigurojnë që proceset për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të mos ndërpriten, por të thellohen dhe të konkretizohen.
Vetëm përmes stabilitetit institucional, bashkëpunimit të qëndrueshëm me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, si dhe përmes një përfaqësimi të denjë dhe aktiv, Kosova mund të ecë përpara drejt anëtarësimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtarë dhe drejt konsolidimit të pakthyeshëm të shtetësisë së saj, në përputhje me interesat strategjike dhe aspiratat e qytetarëve të saj.
