Lakmia e merr shpirtin
(Dramën s’e bëjnë dy veta.)
PROLOG
Sekretet.
Lidhjet e fshehta.
Gjyqet pa proces.
Dënimi me heshtje.
Hakmarrja e ftohtë – me doza të vogla,
të përditshme.
MJAFTOJNË
Takimet e natës.
Molla e ndaluar.
Nevoja për dramë.
Dua tension – të ndihem gjallë.
Dua të fshihem – të ndihem e parë.
Nuk të do pa të zvogëluar.
Pastaj.
Të rrahë me krahasim.
Të vret.
(Ti i përngjan shoqes sime…
të vdekur.)
E DI
Luftë me heshtje.
Çfarë thua kur s’thua asgjë?
Premtimet e rrejshme.
“E jotja. Përgjithmonë.”
Të grish.
Të mashtroj me dashuri.
Kur dua – të marr.
Të lë.
Prap të lë.
Loja me ndjenja.
(Kush s’ndjen, fiton.)
Shpërfillja.
Sepse më do.
(Nesër, ndoshta.)
TEPROJNË
Nënçmimi.
(Hera e tretë po të them.)
Më çmend.
(Po të duket – se jo.)
Gënjeshtra.
(Prej këtu e deri në amshim.)
Pa të prekur –
të rrëzoj.
Rivaliteti i rremë.
(Kush je ti për mua?)
TA MARRIN SHPIRTIN
Xhelozi: në varre e në shtëpi.
Në burrin e vdekur.
Në katin e dytë – pa kulm.
I thashë.
Më tha.
Ashtu.
Ngreh e mos këput.
Në gjyqin estetik
plakesh para kohe.
Dhe… tradhtia – se për pak e harrova.
Këto janë prova gjenerale për tragjedi.
ZILIA
Pse ti shkruan më bukur se unë.
Dukesh.
Ke.
Je.
Për një fjalë.
Për një kolibe.
Vdes.
Nuk të çel trëndafil
kur mbjell ferrë.
Është një lule që duket e bardhë,
por me një prekje të helmon.
Është një tjetër lule që e quajnë shkretëtirë,
por të vret me ngjyrën e saj.
Sepse çdo lidhje që të shkakton shqetësim,
të mbyt përditë nga pak.
Prandaj rrallë takon njeri
që s’vuan së paku
nga një sëmundje e gjakut.
Nga sikleti
damarët i shqyn.
Edhe gjaku veten e përgjak.
Më shumë hahet hidhërim,
këtu,
se sa bukë.
Prandaj ka më shumë barnatore
se sa bukatore.
Shumëkush fsheh diçka:
dikush armë,
dikush urrejtje,
dikush një sekret
që vret.
Më së shumti fshehet dashuria,
këtu.
Dhe dashuria
e urren më së shumti:
atë që fshihet pas hijes së vet
dhe e përdor të urtin
vetëm sepse mundet…
për qejf.
Edhe vdekjen e shqetëson.
Veç kaq.
S’ka matës më të lehtë se ky:
Ajo që të qetëson
dhe të bën të ndihesh i sigurt,
quhet dashuri.
Të tjerat janë luftë.
E luftë pa gjak s’ka:
ose gjak që shihet,
ose gjak që të shpërthen brenda…
një ditë.
P.S.
Të them të vërtetën,
s’po e them krejt.
S’e meriton askush.
AUTOKRITIKË
E rrezikshme në dashuri.
E kisha ndaluar.
Si armën pa leje.
