Shkruan Halil Geci
“Djemtë më të këqij që i ka vendi, janë në elitën udhëheqëse të Kosovës” – Shkurte Fejza
Këto fjalë të Shkurte Fejzës, një nga zërat më të dashur të Kosovës, kanë bërë bujë ndër vite. Me këto deklarata të forta, ajo e ka kritikuar pa mëdyshje klasën politike të pasluftës, duke i quajtur udhëheqësit e vendit “gangsterë” dhe “djemtë më të këqij që i ka vendi”. Ishte e drejtpërdrejtë dhe e paepur në akuzat për krim, hajni, korrupsion dhe shantazh.
Por ironia e politikës dhe jetës nuk vonon të dalë në pah. Sot, Shkurte Fejza, e cila dikur i përçmonte dhe i akuzonte ata që ishin pjesë e PDK-së, është vetë në një pozitë kontradiktore. Djali i saj është bërë pjesë e kësaj partie, që për shumë vite ajo e kishte kritikuar ashpër. Ky veprim ka lënë një shije të hidhur te shumë prej atyre që e kanë admiruar, duke u dukur si një tradhti ndaj fjalëve dhe idealeve të saj të dikurshme.
Kur idealet bien nën hijen e interesit ndodhë kjo
Si mund të shpjegohet kjo kthesë? A është ky një kompromis i heshtur me të njëjtët “gangsterë” që ajo dikur i ka kritikuar, apo një dëshmi e faktit që politika, me rrënjët e saj të thella në korrupsion dhe klientelizëm, arrin të përthithë edhe ata që dikur u rezistonin? Ky veprim i Shkurte Fejzës hedh një hije dyshimi mbi sinqeritetin e saj të dikurshëm, duke lënë një ndjenjë zhgënjimi për ata që besonin në qëndrimin e saj të palëkundur ndaj krimit dhe korrupsionit.
Kosova sot ndodhet në një moment kritik. Zëri i kritikës dhe moralit të pastër është më i domosdoshëm se kurrë. Por kur edhe ata që janë simbol i qëndresës kulturore dhe artistike bien në prehrin e partive politike të akuzuara për korrupsion, shpresa për një ndryshim real bëhet më e largët.
Populli i Kosovës meriton udhëheqës të pastër dhe të drejtë, jo kompromiset dhe kthesat që lënë në hije moralin dhe drejtësinë. Në këtë moment, fjalia e dikurshme e Shkurte Fejzës “Djemtë më të këqij që i ka vendi…” bëhet një akuzë jo vetëm për politikanët, por edhe për ata që vendosin të heshtin dhe të bëhen pjesë e tyre.