Home » Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës. Zgjidhen edhe katër nënkryetarë

Dimal Basha zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës. Zgjidhen edhe katër nënkryetarë

nga World Ks

Dimal Basha, është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës të martën. Të martën, në votimin e dytë për kandidaturën e tij, ai i mori  73 vota. Kundër kandidasturës së tij votuan 30 deputetë, ndërsa 8 deputetë abstenuan.

Për Bashën votuan deputetët e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e propozoi përsëri, si edhe të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe një pjese të pakicave.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Listës Serbe votuan kundër zgjedhjes së Bashës.

Kuvendi i zgjodhi edhe katër nënkryetarë: Albulena Haxhiun nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitakun nga Partia Demokratike e Kosovës, Kujtim Shalën nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Emilija Rexhepin nga pakicat joserbe.

Procesi i zgjedhjes së nënkryetarit nga kominteti serb u ndërpre, për shkak se asnjëri kandidat nuk i fitoi votat e nevojshme – së paku 61 sosh. Deputetët refuzuan ta votonin kandidatin e Listës Serbe, Sllavko Simiq. Lista Serbe refuzoi ta propozonte një kandidat tjetër, prandaj kryeparlamentari i sapozgjedhur i hodhi në votim kandidatët e tjerë, përmes shortit, përfshirë edhe emrin e Nenad Rashiqit, kryetarit të Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, por as ai nuk I mori vota të mjaftueshme gjatë votimit.

Meqenëse asnjëri prej kandidatëve të dalë nga shorti nuk i siguruan votat e nevojshme, Kryeparlamentari Basha e ndërpreu seancën. Vahzhimin e saj e caktoi për të enjten në orën 11:00.

Sipas biografisë së publikuar në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka lindur më 12 tetor 1979 në Prishtinë dhe jeton në qytetin e Ferizajt.

Studimet e larta i ka përfunduar në “John Jay College of Criminal Justice” në Nju Jork, ku ka diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare.”

Basha i ka përfunduar edhe studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri”, në Universitetin “The New School University”, po ashtu në Nju Jork.

Ai ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës në dy mandate. Ka qenë anëtar në Komisionin për Punë të Jashtme, Komisionit për Legjislacion, Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe Komisionit për Stabilizim-Asociim.

Ky është mandati i tretë i tij si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në fjalimin e tij të parë si kryetar i organit ligjvënës, Basha foli për përgjegjësinë që ndien dhe për rëndësinë e Kuvendit.

“Derisa ndiej nderin dhe mirënjohjen për votën tuaj, ndiej edhe përgjegjësinë e madhe që më është besuar. Kuvendi është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve”, tha Basha.

Ai theksoi se Kosova “është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti jonë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta: mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vetë jeta e tyre”.

“Një përulje dhe falënderim nga zemra u takon grave, vajza, pra nënave dhe motrave tona, të cilat brez pas brezi sakrifikuan, rritën, punuan në heshtje dhe ofruan dashuri dhe përkushtim. Ato ishin dhe mbesin themeli i një shoqërie të shëndoshë që ne e gëzojmë”, nënvizoi Basha.

Ai u bëri thirrje deputetëve të bashkëpunojnë për të realizuar agjendat e Kuvendit, pavarësisht prej përkatësisë politike të tyre.

“Ju bëj thirrje për bashkëpunim. Është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne e kemi guximin dhe mençurinë për të punuar së bashku për interesin më të lartë për vendin tonë”, theksoi ai.

Basha theksoi se “mbrojtja e Kosovës duhet të jetë detyrë e të gjithëve, pushtetit dhe opozitës”.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment