Avokati Gazmend Halilaj ka reaguar me tone të forta ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, duke dënuar publikisht gjuhën e dhunës dhe kërcënimet që, sipas tij, kapërcejnë çdo kufi të debatit politik dhe përbëjnë shkelje të rëndë të rendit kushtetues dhe ligjit penal në Republikën e Kosovës.
Në reagimin e tij, Halilaj thekson se thirrjet publike për dhunë, përfshirë edhe thirrjet ekstreme ndaj Presidentes së Republikës, nuk mund të trajtohen si mendime apo kritika politike. “Thirrjet publike për dhunë… përbëjnë një akt të rëndë jo vetëm moral, por mbi të gjitha penal dhe antikushtetues. Ato nuk janë mendime politike, por forma të rrezikshme të nxitjes së dhunës, të cilat cenojnë themelet e shtetit të së drejtës”, ka deklaruar ai.
Sipas avokatit Halilaj, Presidentja Vjosa Osmani nuk është thjesht një individ, por mishëron institucionin më të lartë të shtetit dhe unitetin e popullit. “Çdo kërcënim ndaj saj është një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj rendit demokratik dhe sigurisë publike”, ka nënvizuar ai, duke shtuar se sulmet ndaj institucioneve kushtetuese minojnë vetë bazat e demokracisë.
Duke folur nga këndvështrimi juridik, Halilaj ka qenë i prerë se liria e shprehjes ka kufij të qartë ligjorë. “Liria e shprehjes nuk mbulon gjuhën e urrejtjes, kërcënimet me jetë dhe thirrjet për dhunë… Kodi Penal i Republikës së Kosovës parashikon qartë përgjegjësi penale për nxitje të dhunës, kërcënime serioze dhe destabilizim të rendit kushtetues”, thekson ai.
Avokati ka vlerësuar se reagimi institucional dhe publik në mbrojtje të Presidentes Osmani është i domosdoshëm, duke paralajmëruar se heshtja do të nënkuptonte normalizim të dhunës në diskursin publik. “Heshtja përballë këtyre akteve do të nënkuptonte normalizim të dhunës verbale dhe fizike, gjë që është e papranueshme për një shoqëri demokratike”, ka deklaruar Halilaj.
Në fund, ai ka shprehur mbështetjen e plotë për Presidenten e Republikës dhe ka bërë thirrje që organet e drejtësisë të veprojnë pa hezitim. “Askush nuk ka të drejtë të kërcënojë jetën apo integritetin e një përfaqësuesi kushtetues… Shteti ligjor mbrohet duke mos toleruar dhunën – as në vepër, as në fjalë”, përfundon reagimi i avokatit Gazmend Halilaj.
Reagim i plotë i avokatit Halilaj:
Thirrjet publike për dhunë, përfshirë edhe thirrjet ekstreme për “prerje koke” ndaj Presidentes së Republikës së Kosovës, përbëjnë një akt të rëndë jo vetëm moral, por mbi të gjitha penal dhe antikushtetues. Ato nuk janë mendime politike, por forma të rrezikshme të nxitjes së dhunës, të cilat cenojnë themelet e shtetit të së drejtës.
Presidentja Vjosa Osmani nuk përfaqëson vetëm një individ, por institucionin më të lartë të shtetit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Çdo kërcënim ndaj saj është një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj rendit demokratik dhe sigurisë publike. Si jurist, e konsideroj të domosdoshme të theksohet se liria e shprehjes nuk mbulon gjuhën e urrejtjes, kërcënimet me jetë dhe thirrjet për dhunë, sidomos kur ato drejtohen ndaj institucioneve kushtetuese.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës parashikon qartë përgjegjësi penale për nxitje të dhunës, kërcënime serioze dhe destabilizim të rendit kushtetues. Reagimi institucional dhe publik në mbrojtje të Presidentes Osmani është jo vetëm i drejtë, por i domosdoshëm. Heshtja përballë këtyre akteve do të nënkuptonte normalizim të dhunës verbale dhe fizike në diskursin publik, gjë që është e papranueshme për një shoqëri demokratike që synon integrimin euroatlantik.
Presidentja Osmani ka ushtruar funksionin e saj në përputhje me Kushtetutën, me përgjegjësi dhe me përkushtim ndaj sovranitetit, demokracisë dhe interesit publik. Kritikët politikë kanë të drejtën të shprehen, por askush nuk ka të drejtë të kërcënojë jetën apo integritetin e një përfaqësuesi kushtetues.
Në këtë kontekst, shpreh mbështetjen time të plotë për Presidenten e Republikës së Kosovës dhe bëj thirrje që organet e drejtësisë të veprojnë me vendosmëri ndaj çdo akti që cenon sigurinë, dinjitetin dhe rendin kushtetues të vendit. Shteti ligjor mbrohet duke mos toleruar dhunën – as në vepër, as në fjalë.
