Aty ku ndriçon shpirti
(jeta është festë, jo betejë)
Nuk e kërkoj në botë të largët,
as në kështjella të ëndrrave të kota,
e gjej në brendësinë time,
në zemrën që rreh me dritë,
në shpirtin që frymon dashuri.
Tek të dashurit e mi,
tek sytë që më shohin me zemër,
e gjej të shenjtën,
e gjej pa gardh, pa maska, pa kushte,
si ujë i pastër që buron
e më mbush me paqe.
Lumturia më kthehet si jehonë,
nga çdo fjalë që e dhashë me mirësi,
nga çdo përqafim që nuk priste kthim,
nga çdo buzëqeshje që ndriçoi fytyra.
Sepse ajo, lumturia,
është vetë ndjenja që jep,
vetë bukuria që nuk kërkon vlerësim,
veçse rrjedh si rreze dielli
në mëngjesin e shpirtit tim.
Ajo më bën të ec
edhe mbi gjemba, pa u lënduar,
sepse shpirti mëngjeson
edhe në netë të errëta.
Mendja më çliron
nga peshat e vogla, nga zhurmat e kota,
dhe më çon lart,
aty ku vizioni është dritare,
jo mur,
dhe jeta është festë,
jo betejë.
Koha shkon,
si lum që s’e ndalon askush,
por gjërat e mira
mbesin gurë drite në kujtesë.
Jetoj me dashurinë për jetën,
me të mirën që më pret në çdo agim,
jetoj sepse dashuria është rrënja
dhe lulëzimi i lumturisë sime.
NezJa