Shkruan : Hafiz Gagica
Në Kosovë, sa herë afrohen zgjedhjet, partitë politike sikur humbin busullën. Papritur, të gjitha nguten të publikojnë “aderime të mëdha”, mbajnë konferenca të improvizuara, japin foto të bujshme dhe premtime, që zgjasin vetëm sa një cikël elektoral.
Ky fenomen, që tashmë është bërë i neveritshëm, nuk është forcim i partive, por pranim i hapur i dobësisë së tyre.
Në vend që të punojnë me vite për aftësimin e kuadrove, për edukimin politik të anëtarëve të rinj, për reforma të brendshme dhe ide të reja për shtetin, ato e bëjnë të kundërtën: inkorporojnë emra të ri në parti në prag zgjedhjesh dhe të njëjtët i fusin menjëherë në lista zgjedhore, duke anashkaluar anëtarë me përvojë që me vite kanë punuar për të mirën e partisë. Kjo është jo vetëm padrejtësi, por edhe shkatërrim i vlerave të meritokracisë së brendshme.
Shtrohet pyetja; kah po ecim si shtet dhe shoqëri ?
Pas disa muajsh, prapë do të jemi në zgjedhje, dhe prapë do të shohim të njëjtin spektakël: sa jemi rritur si parti, kush ka fituar, apo kush ka humbur më shumë vota, duke hyrë në zgjedhje pa vizion të ri për shtetin, pa ide të reja zhvillimore, pa programe politike. Bëhet luftë primitive mediatike, se cili do e shanë tjetrin më fortë, se kush kujt ia ka hedh më shumë, ofrohet popullizëm, në vend të projekteve konkrete zhvillimore.
Andaj aderimet partiake të ditëve të fundit tregojnë qartë, se politika partiake është reduktuar në marketing politik, në slogane pompoze, në ngjyra rozë me shumë pak përmbajtje.
Ndërkohë, strukturat bazë të partive që kanë punuar me vite, dhe të cilat i kanë mbajtur degët dhe nëndegët anashkalohen, nënçmohen dhe lihen jashtë listave zgjedhore.
Partia serioze nuk ndërtohet një muaj para zgjedhjeve, ato mbajnë kongrese pune, debatohet për programe për reforma shtetrore, ide dhe projekte për ekonomi, arsim, shëndetësi, punësim, ushtri dhe diplomaci etj.
Për sa kohë partitë tona do të funksionojnë si ndërmarrje private të menaxhuara nga klane, me duartrokitje të porositura dhe me emra të rinj që shfaqen vetëm për fushatë, nuk do të kemi politikë të shëndoshë, por do të kemi shfaqje dhe nga kjo shfaqje, humbësi i vetëm është qytetari.
Hafiz Gagica
26.11.2025
