Home » ABDIXHIK KUR JE PA SHUMICË, TRUSE ATE PRAPANICË – QEVERI S’BOHET ME FJALË BOSHE!

ABDIXHIK KUR JE PA SHUMICË, TRUSE ATE PRAPANICË – QEVERI S’BOHET ME FJALË BOSHE!

nga World Ks

Shkruan Halil Geci

Reagim ndaj kërkesës së LDK-së për qeveri tranzicioni

Kur s’ke shumicën, s’ke as legjitimitet – populli nuk mashtrohet më dhe nuk harron kush e dorëzoi kufirin te ura e Ibrit.

Deklarata e fundit nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, për krijimin e një qeverie tranzicioni më ngjan me një përrallë absurde – si ajo ku miu sfidon ariun. Është e pabesueshme që një parti që sot është e treta për nga numri i deputetëve, të kërkojë të udhëheqë sikur të kishte shumicën absolute.

Imagjinoni për një çast që LDK-ja të kishte 48 ulëse e VV-ja të ishte me vetëm 20. A do të lejonte Abdixhiku që dikush tjetër t’ia merrte drejtimin e shtetit nga dora? Sigurisht që jo. Ky standard i dyfishtë është fyese për inteligjencën e popullit dhe për vetë demokracinë.

Por problemi nuk është vetëm logjik. Ai është edhe moral.

Ju ende nuk e kuptoni kush është Albin Kurti. Ky njeri ka ardhur nga rruga, është rrahur nga okupatori dhe përndjekur nga strukturat e vjetra politike të cilat përfaqësoni ju. Me pak deputetë ai sfidoi sistemin. Sot, me gjysmën e parlamentit shqiptar në krah, ai ka legjitimitet të plotë – kushtetues, moral dhe popullor.

Vetëm zgjedhjet mund ta zgjidhin situatën politike – jo marrëveshjet që thuren pas perdeve. Populli nuk mashtrohet më. Ai e di mirë kush ka punuar për shtetin dhe kush ka punuar për rikthimin e tij nën ndikimin e Beogradit. Premtimet tuaja në fushatën e 9 shkurtit – me rroga të fryra dhe ndihma që nuk mbulojnë as nevojat bazike, si pampersat për bebe – janë tashmë material për satirë, jo për shpresë.

Përfundimisht, z. Abdixhiku: kur të fitoni zgjedhjet, atëherë do të keni të drejtë të flisni për qeveri kombëtare apo tranzicioni. Por jo tani. Jo kur jeni i treti në radhë dhe pa asnjë kredibilitet për të udhëhequr. Shteti nuk ndërtohet me blofa politike, por me përkushtim, drejtësi dhe përfaqësim të sinqertë të vullnetit të qytetarëve.

Populli e di mirë se, me rikthimin tuaj në pushtet, kufiri do të zhvendosej sërish te ura e Ibrit. Sot po përpiqeni të bashkoni partitë jo për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët, por për të larë mëkatet e së kaluarës – marrëveshjet e errëta që ia kanë kushtuar Kosovës sovranitetin. E për ta bërë këtë më pak të turpshme, doni të përfshini të gjithë, që faji të mos mbetet vetëm mbi LDK-në e PDK-në.

Por në këtë valle nuk e tërhiqni dot Albin Kurtin – as të vetëm, as me ju bashkë. Kjo është e pamundur. Ai nuk do të bëhet pjesë e amnistisë suaj politike. Zgjedhjet janë rruga e vetme për legjitimitet. Populli është ai që flet, jo kalkulimet tuaja të zyrave.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment