Home » Demokracia nuk është luks – është sfidë.

Demokracia nuk është luks – është sfidë.

nga World Ks

Presidenti Ibrahim Rugova demokracinë e quante “art të rëndë”, sepse kërkon guxim për ta dëgjuar tjetrin, është dhe mençuri për ta pranuar shumicën. Kjo sfidë nuk ndodh në sistemet autoritare, as aty ku egoja dominon mbi përgjegjësinë. Fatkeqësisht, sot në Kosovë po shohim një regres alarmues në kulturën politike – një mungesë të plotë të vullnetit për dialog, bashkëpunim dhe përgjegjësi institucionale.

Kujtojmë: Kosova është republikë parlamentare, parlamenti është shtylla kryesore e demokracisë, nuk është arenë e boshatisur nga përfaqësuesit që ikin pas pesë minutash për t’u regjistruar para kamerave, e më pas për të mos thënë asgjë. Sjellja e opozitës dhe e pushtetit në detyrë ka degraduar në një spektakël të padenjë, duke i kthyer seancat në një teatër hipokrizie.

Ndërkohë, vendi ka nevojë për vendime të mëdha, për koordinim dhe për një vendim urgjent i cili po mungon krejtësisht.

Është e papranueshme që liderët politikë, të njëjtit që i vizitojnë varrezat për të nderuar të rënët dhe të zhdukurit, në të njëjtën ditë refuzojnë të komunikojnë me njëri-tjetrin lidhur me çështje kyçe të shtetit. Ky kontrast mes fjalëve dhe veprave nuk është vetëm cinik, – është edhe fyes ndaj sakrificës mbi të cilën është ndërtuar shteti i pavarur i Kosovës.

LDK-ja historikisht ka qenë promotore e dialogut politik, edhe në kohët më të vështira. Sot, drejtuesit aktualë të saj duket se e kanë humbur rrugën. Retorika e mbyllur, refuzimi i takimeve dhe hezitimi për bashkëpunim me forcat tjera politike, veçanërisht me shumicën parlamentare, bie ndesh me çdo parim të trashëgimisë rugoviane. S’mund ta shpallësh veten rugovist dhe njëkohësisht të refuzosh çdo mendim ndryshe. S’mund të pretendosh se mbron demokracinë dhe ta shmangësh debatin. Politika nuk është klub i mendjemëdhenjve – është shërbim për qytetarin dhe përgjegjësi ndaj shtetit dhe pushtetit.

Prandaj, thirrja ime është e qartë: kthehuni te parimet e demokracisë, dialogoni, bashkëpunoni, bëni marrëveshje për interesin e Kosovës. Mjaft më me inate personale dhe protagonizëm të zbrazët dhe popullist. Kosova është mbi çdo individ dhe mbi çdo parti, është shteti pa të cilin nuk mund të jetojmë si individ dhe as si popull.

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Lini një koment